Thellohen marrëdhëniet Turqi-Venezuelë, marrëveshje në 10 fusha të ndryshme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përfunduar kontaktet në Venezuelë, ku shkoi për një vizitë zyrtare.

Ai vizitoi fillimisht Varrin Monumental të Simon Bolivarit, ku u prit nga ndihmëspresidentja venezuelase, Delcy Rodriguez.

Erdogani përshëndeti fëmijët që e prisnin përpara monumentit duke valëvitur flamujt turq dhe venezuelas, si dhe doli në fotografi me ta.

Kreu i shtetit turk vendosi një kurorë me lule në Varrin Monumental të Simon Bolivarit, pas ekzekutimit të himneve kombëtare të të dyja vendeve nga Orkestra Simfonike e Venezuelës.

Në vijim ai u informua nga autoritetet vendëse rreth monumentit dhe nënshkroi Librin e Shënimeve.

“Kam nderin dhe gëzimin e madh që realizoj në Venezuelë vizitën e parë zyrtare në nivel presidencial nga Turqia. Evokoj me respekt pranë varrit të tij monumental prijësin legjendar të popullit venezuelas, Simon Bolivar, simbol i luftës për pavarësi të Amerikës Latine.

El Libertadori, kujtimin e së cilit ne e mbajmë gjallë duke i dhënë emrin e tij një prej bulevardeve më të rëndësishme të kryeqytetit tonë Ankara, do të vazhdojë të ushqejë zjarrin e pavarësisë në Venezuelë, në Amerikën Latine dhe kudo në botë me trashëgiminë e pashoqe të ka lënë pas”, shkroi Presidenti Erdogan në Librin e Shënimeve për nder të Simon Bolivarit.

Më tej, Erdogani dhe homologu Nicolas Maduro morën pjesë në Forumin e Biznesit Turqi-Venezuelë, ku mbajtën edhe nga një fjalim.

“Si një vend që ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve të rënda ekonomike në muajt e fundit, ne nuk e miratojmë arbitraritetin që injoron parametrat e sistemit tregtar global”, deklaroi presidenti turk.

Duke u ndalur edhe mbi atentatin kundër Maduros më datë 5 gusht, ai tha se kjo përpjekje e mjerë është një sulm frikacak dhe i pabesë si ndaj presidentit ashtu edhe ndaj vullnetit për pavarësi të popullit venezuelas.

“Jam i vetëdijshëm që disa qarqe i shqetëson solidarësia e palëkundur e Venezuelës me të shtypurit dheviktimat”, shtoi Erdogani.

Pastaj kreu i shtetit turk theksoi se marrëdhëniet ekonomike të vendit të tij me Venezuelën kanë një potencial të fuqishëm.

“Ne e shohim të dobishme që të përfitojmë sa më mirë të jetë e mundur nga ky potencial. Po bëjmë përpjekje për të bërë të larmishme dhe thelluar në çdo fushë bashkëpunimin tonë me Venezuelën duke u bazuar në mentalitetin fito-fito (win-win). Bashkëpunimin tonë dypalësh dhe në lidhje me çështjet shumëpalëshe rajonale ne diskutuam me z. Maduro si në takimet kokë më kokë ashtu edhe ndërmjet delegacioneve”, tha ai.

Erdogani vuri në pah se do të sigurojnë që marrëdhëniet ekonomike dhe investimet të realizohen në mënyrë efektive nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e autoriteteve të nivelit të lartë.

“Megjithatë ne do të jemi në kontakt të afërt me Presidentin Maduro jo vetëm për raportet tona në planin ekonomik, por edhe për problemet që prekin rajonet tona dhe të gjithë botën”, shtoi lideri turk.

Pasi nënvizoi se gjatë 10 viteve të fundit një distancë e rëndësishme është përshkuar gjithashtu në marrëdhëniet ekonomiko-tregtare me Amerikën Latine dhe Karaibet, Erdogani bëri me dije se vëllimi tregtar me këtë rajon ka arritur në mbi 9,2 miliardë dollarë në periudhën 9-mujore janar-shtator 2018, ndërkohë që në vitin 2016 ishte rreth 7 miliardë dollarë. Ai tha se kjo shifër do të rritet më tej gjatë periudhës në vijim.

Me këtë vizitë – vijoi presidenti turk – një faqe e re është hapur në marrëdhëniet me Venezuelën dhe ne do të punojmë më shumë në vazhdim që përpjekjet tona të japin rezultate konkrete në të mirë të shteteve dhe rajoneve tona.

“Distanca gjeografike ndërmjet vendeve tona s’duhet të konsiderohet si një pengesë për fuqizimin e marrëdhënieve dhe diversifikimin e bashkëpunimeve tona. Largësitë gjeografike s’kanë aspak rëndësi për sa kohë që ne nuk distancohemi shpirtërisht nga njeri-tjetri”, potencoi Erdogani duke uruar që ky takim të jetë frymëzim për ide dhe projekte të reja.

Ndërsa në konferencën e përbashkët për shtyp që dy liderët organizuan pas Forumit të Biznesit Turqi-Venezuelë, spikatën këto fjalë të zotit të shtëpisë, Nicolas Maduro:

“Kur flitet për ne, pra, për bolivaristët, duhet të përmendemi si aristokratë, kryengritës, bamirës dhe punëtorë, por me të vërtetë shumë punëtorë. Kur populli venezuelas hap krahët për vëllazëri, i hap ata me sinqeritet dhe ne kemi vendosur shumë kohë më parë që të hapim gjirin dhe zemrën tonë për vëllazëri me popullin turk luftëtar dhe triumfues të shumë luftërave, i cili ka gjithashtu një histori aristokratike.”

Pas konferencës për shtyp, ndërmjet Turqisë dhe Venezuelës u nënshkruan marrëveshje në 10 fusha të ndryshme./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne