Skandali i grabitjes së lulishtes në bregdetin e Sarandës sa vjen e thellohet. Sa më shumë të verifikosh dokumentacionin që është dorëzuar në kadastër për regjistrimin, aq më shumë dalin në pah shkelje të tjera të cilat minimum duhet të kishin ndaluar procesin e regjistrimit. Ky është vendimi për dhënien e lejes së ndërtimit nga bashkia e Sarandës që pretendohet nga Armandi Nelaj.
Në dokument nuk pasqyrohet elementët që e bëjnë të vlefshëm. Kjo shkresë siç e shihni, nuk ka datë dhe numër protokolli. Gjithashtu vendimi i bashkisë së Sarandës, sipas kësaj shkrese, jepet duke iu referuar urdhrit të këshillit bashkiak të datës 25 korrik të vitit 2000. Në fakt, kërkesa e bërë nga Armandi Nelaj nuk ka datë.
Një tjetër shkelje është se në këtë shkresë mungon data e afatit për dorëzimin e dokumentacionit nga ana e Nalajt. Kjo do të mjaftonte për anulimin e lejes së ndërtimit.
Si rregull në fund të shkresës shënohet data dhe vendi por këto të dhëna nuk janë plotësuar, figuron vetëm viti 1999. Por dhe ky vit rezulton të jetë jo i saktë, pasi vendimi i këshilli bashkiak është i vitit 2000. Sipas këtij vendimi, i cili pretendohet se ka dalë nga bashkia e Sarandës, është marrë përpara se këshilli bashkiak të vendoste për ti shpërndarë këto troje, qytetarëve dhe më pas për ti kthyer në sheshe ndërtimi. Këto shkelje ligjore do t’i mjaftonin kadastrës së Sarandës për të mos regjistruar këtë pronë, por ky institucion nuk ka kryer verifikimet ligjore.