Tiranë-Elbasan, rruga që nuk mbaron, raporti paraprak: Duhen edhe mbi 22 milionë dollarë

Rruga Tiranë-Elbasan është kthyer në një gropë të madhe për buxhetin e shtetit duke përsëritur një skenar të ngjashëm me atë të rrugës Durrës-Kukës.
Ndonëse një vit më parë qeveria dha 35.1 milionë dollarë shtesë mbi vlerën e tenderit, prej 1 muaj e gjysmë punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan janë ndërprerë plotësisht. Arsyeja është se kanë mbaruar paratë dhe kërkohen fonde të tjera.

Burime nga Ministria e Transporteve konfirmojnë se punimet janë ndërprerë për shkak të mbarimit të parave dhe se rruga kërkon fonde shtesë. Por sipas tyre shuma e saktë që kërkohet nuk dihet ende pasi duhet të miratohet më parë nga këshilli teknik në autoritetin rrugor. Por sipas një raporti paraprak të kryer nga supervizori në qershor të vitit 2016 rruga mund të kërkojë edhe 22 milionë dollarë të tjera mbi shtesën prej 35.1 milionë dollarë që u dha vjet.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan filloi në prill të vitit 2011 nga ish qeveria e Sali Berishës. Fillimisht rruga u tenderua me një çmim 290 milionë dollarë dhe ishte parashikuar që të përfundonte në vitin 2014. Por gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme dhe kostoja është rritur vazhdimisht duke çuar edhe në arrestimin e ish drejtorit të Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika.

Sipas të dhënave zyrtare deri më tani kostoja totale e Tiranë Elbasan ka arritur në rreth 370 milionë dollarë, por edhe kjo shumë nuk është përfundimtare. Me fondet e tjera shtesë që kërkohen kostoja e rrugës shkon në plot 400 milionë dollarë ose 40 për qind mbi vlerën e tenderuar.

Një skenar i ngjashëm me rrugën Durrës-Kukës, ku kostot kanë dalë jashtë kontrollit. Por me një ndryshim. Rruga Tiranë-Elbasan, e cila duhet të ishte ndërtuar që në vitin 2014, nuk mbaron asnjëherë./TCh

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne