Tregtia e paligjshme e arit në Republikën Demokratike të Kongos (RDK) vazhdon të lulëzojë, megjithë përpjekjet për të pastruar këtë sektor, thuhet në një raport.
Raporti nga IMPACT, një vëzhgues global i pavarur i burimeve natyrore tha se disa tregtarë dhe eksportues të regjistruar ligjërisht në RD të Kongos, Ruanda dhe Ugandë po operojnë “pa patur ndonjë frikë nga sanksionet”, edhe pasi u përmendën publikisht nga Kombet e Bashkuara për kontributin e tyre në tregtinë e paligjshme të produkteve artizanale të arit të RD të Kongos.
Disa tregtarë dhe eksportues në RD të Kongos “arrijnë fitime të majme” nga kontrabanda e arit, tha raporti, i cili vuri në dukje se është koha për t’i nxjerrë këta ndërmjetës nga hijet në të cilat veprojnë.
“Janë bërë shumë përpjekje për të forcuar tregtinë artizanale të përgjegjshme të arit në RD të Kongos, por për sa kohë që këta ndërmjetës midis minatorëve dhe tregut veprojnë pa u ndëshkuar, të gjitha përpjekjet e tilla janë të kota”, tha Joanne Lebert, drejtoresha ekzekutive e IMPACT.
IMPACT heton dhe zhvillon qasje të burimeve natyrore për të përmirësuar sigurinë, zhvillimin dhe barazinë.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë së RD të Kongos dhe aktorëve ndërkombëtarë për t’iu vënë në gjurmë dhe vendosur nën kontroll zinxhirët artizanalë të furnizimit me ar në vendin e Afrikës Qendrore, tregtia e paligjshme duket se po lulëzon.
“Vetëm një pjesë e prodhimit të arit eksportohet legalisht që do të thotë se deklarohet tek autoritetet me të gjitha detyrimet dhe taksat e paguara”, thuhet në raport.
“Ari i kontrabanduar nga RD e Kongos dhe që derdhet në tregun ligjor ndërkombëtar të arit, në produktet e konsumit, është potencialisht i lidhur me kriminalitetin, pastrimin e parave, grupet e armatosura dhe abuzimet e të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.
Më tej shtohet se Ruanda fqinje është nyja kryesore tranzite e trafikut. Ari i Kivut Jugor të RD të Kongos “po kontrabandohet përtej kufirit në Ruanda, pastaj pastrohet në zinxhirin e ligjshëm ndërkombëtar të furnizimit përmes eksportit të tij në Dubai si ari i Ruandës”.
RD e Kongos është tronditur nga dhuna për disa dekada.
Shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve natyrore vazhdon të jetë një shkak themelor dhe nxitës i konfliktit në lindje të vendit, thotë OKB-ja.
Shumica e grupeve të milicisë kanë lënë mënjanë kërkesat e tyre politike dhe janë përfshirë në trafikimin e mineraleve.
Të paktën 50 minatorë artizanalë u vranë kur një minierë ari u shemb në pjesën lindore të RD të Kongos fundjavën e kaluar./AA