Trudeau: Nuk do t’i kërkojmë falje Arabisë Saudite

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ata nuk do të tërhiqen dhe nuk do të kërkojnë falje për çëshjen që shkaktoi tensione midis Arabisë Saudite dhe Kanadasë.

Trudeau, në një deklaratë për gazetarët në qytetin Montreal, tha se do të vazhdojnë bisedimet diplomatike me Arabinë Saudite. Ai theksoi se përballë kësaj nuk do të hedhin hapa prapa nga kritikat që Kanadaja ka bërë në lidhje me arrestimin e aktivistëve në Arabinë Saudite javën e kaluar.

Po ashtu Trudeau ka njoftuar se ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, ditën e martë ka zhvilluar një bisedë të gjatë me homologun saudit.

Pasi ka deklaruar se kanë krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë e Arabisë Saudite me qëllim për të rindërtuar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, kryeministri Trudeau ka tërhequr vëmendjen se në tryezën e bisedimeve nuk ndodhet kërkimfalja nga ana e Kanadasë apo tërheqja nga kritikat e saj në lidhje me të drejtat e njeriut.

“Kanadaja gjithmonë do të vazhdojë të flasë në mënyrë të fuqishme dhe të hapur në lidhje me të drejtat e njeriut si në arenën private ashtu edhe në atë publike. Qëllimi i Kanadasë nuk është që të ketë marrëdhënie të këqija me Arabinë Saudite, përkundrazi ne dëshirojmë marrëdhënie të forta. Arabia Saudite është një vend me një rëndësi të caktuar në botë dhe që ka shënuar përparime në çështjen e të drejtave të njeriut, por edhe ne do të vazhdojmë të nënvizojmë vështirësitë që ndodhen në të gjithë botën”, është shprehur Trudeau.

Më 2 gusht, ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, në një postim nga Twitteri në lidhje me arrestimin e aktivistëve të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite kishte bërë vlerësimin se “Jam thellësisht e shqetësuar që Semer Bedevi, motra e Raif Bedevi, u arrestua në Arabinë Saudite. Kanadaja në këtë kohë të vështirë qëndron së bashku me familjen Bedevi dhe ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm lirimin e menjëhershëm të Raif dhe Semer Bedevi”.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite këto deklarata të Freeland i ka komentuar si “ndërhyrje e një vendi të huaj në çështjet e brendshme të Arabisë Saudite” dhe po nëpërmjet Twitterit njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve tregtare me Kanadanë dhe vendosi afat 24 për largimin e ambasadorit kanadez në Rijad, si dhe tërhoqi ambasadorin e saj./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne