Trump po i tregon gishtin demokracisë

Një nga imazhet më ikonike – dhe mbase më dizinformuese të shekullit njëzet e një ishin irakianët e buzëqeshur që mbanin lart gishtat e tyre tregues të ngjyrosur me violë për të treguar se kishin votuar në zgjedhjet e janarit 2005 në vendin e tyre. Për shumë, këto ishin zgjedhjet e para ku ata kishin marrë pjesë.

Historia e supozuar pas këtyre imazheve ishte se demokracia më në fund kishte mbërritur në Irak. Një sistem pa zgjedhje nuk mund të pretendojë të jetë demokraci. Ndaj, për shumë, të shikoje imazhe të një procesi të mirë-organizuar votimi (njollat e bojës pengojnë votuesit të votojnë më shumë se një herë) ishte provë e mjaftueshme se gjërat kishin ndryshuar.

Por demokracia është një sistem shumë i ndërlikuar dhe zgjedhjet e lira janë vetëm një tipar. Një mungesë e zgjedhjeve sigurisht tregon për një mungesë demokracie. Por e anasjella nuk është e vërtetë. Zgjedhjet janë një kusht i nevojshëm, por i pamjaftueshëm për demokracinë, që gjithashtu kërkon institucione rezistente që kanë në trup vlera demokratike.

Sot, gjithnjë e më shumë vende mbajnë zgjedhje dhe demokracia në vetvete është në rrezik. Në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim, shkelja e besimit të publikut dhe dështimi për të mbrojtur institucionet demokratike janë sisteme të lodhura të kontrollit dhe balancës që, në disa raste, kanë ekzistuar për shekuj.

Sulmi ndaj institucioneve demokratike nuk është i kufizuar te vendet me pak eksperiencë në demokraci. Ato mund të shihen kudo, përfshirë demokracinë më të vjetër në botë, siç quhen Shtetet e Bashkuara.

Në Perëndim, ngritja në qiell e virtyteve të demokracisë për të tjerët ka ngjarë prej kohësh me prozelitizmin e një feje laike, plotësuar nga kërcënimi i zjarrit dhe barutit për ata që nuk përqafojnë besimin demokratik. Por leksionet e vendeve të zhvilluara ndaj botës së në zhvillim nuk ishin kurrë të dobishme veçanërisht.

Vite më parë, pas një eventi në të cilin një filantrop ndërkombëtar dha leksione rreth demokracisë për orë përpara se të fluturonte me avionin e tij privat në perëndim të diellit, një kryeministër ballkanas që po merrte pjesë më pyeti “Si supozohet ta bëj unë këtë?” Ndërsa ai po përballej me çështje të minoriteteve etnike, ata që ndërhynin nga jashtë po i ofronin një këshillë të vazhdueshme për të cilën ata më pas nuk mbanin përgjegjësi.

Tani, lavjerrësi është lëkundur në drejtim të ndryshëm, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme të SHBA. Nën administratën e presidentit Donald Trump, qeveria amerikane nuk duket se po mundohet t’i bëjë lavde më demokracisë.

Sigurisht, kjo pjesërisht reflekton dobësi nga dekada promovim i demokracisë nga ana e Perëndimit. Por ka edhe më shumë. Demokracia po kërcënohet direkt në vendin ku duhet të kishte rrënjët më të thella kulturore dhe politike.

Trump nuk do të shmangë përsëritjen e politikave të dështuara të së shkuarës, siç e thotë ai. Ai dhe mbështetësit e tij kanë shënjestruar institucione kyçe ku bazohet demokracia amerikane, përfshirë gjykatat, legjislativin, median e pavarur dhe të tjera.

Oficeri ushtarak prusian i shekullit 19 dhe teoristi Carl von Clausewitz ka folur pikërisht për periudhën e luftës totale që erdhi më pak se një shekull pas vdekjes së tij. Ajo që ai nuk adresoi ishte periudha e politikës totale, kur të gjitha institucionet e një shoqërie do të shtypeshin në shërbim të një lufte ideologjike totalizuese. Amerika tani është në mes të një lufte të tillë dhe mënyra si do ta përballojmë do të informojë vendet e tjera për përballimin që ato mund t’i bëjnë mundimeve të veta.

Kriza e Amerikës në atdhe tani po e ndalon atë së performuari rolin e saj tradicional ndërkombëtar si një burim i sigurimit institucional dhe një agjente ndryshimi. Gjatë periudhës së pasluftës, SHBA ofroi siguri kolektive përmes NATO-s dhe institucioneve të tjera dhe ka qenë mëse e gatshme të përballojë kërcënimet rajonale dhe globale, shpesh me pak miq në krah.

Për fat të keq, Trump tregon pak respekt për këtë trashëgimi apo për traditën e Amerikës për optimizëm dhe besim në institucionet e veta. Ai ose nuk e kupton ose nuk i intereson që sistemi amerikan i qeverisjes ka qenë burimi më i madh i prestigjit global të vendit të tij. Në fakt, ai refuzon lartësimin historik të Amerikës dhe e riformon atë si një vetë-iluzion dhe naivitet, kurdo që SHBA ndihmon ata që çojnë përpara lirinë në botë.

Tashmë, heshtja e Amerikës është shurdhuese. Në Siri, SHBA ia ka lënë fushën të tjerëve, edhe pse lufta atje do të vendosë të ardhmen e Lindjes së Mesme myslimane. Ndërkohë, refuzimi i administratës Trump ndaj pakteve të tregtisë dhe investimit trans-oqeanik ka konfuzuar miqtë e tij dhe i ka dhënë guxim kundërshtarëve. Departamentit Amerikan të Shtetit, pavarësisht se çfarë mund të thotë shefi në vështirësi i tij, Rex Tillerson, tashmë i mungon aksesi global. Dhe pa diplomaci proaktive, SHBA-ja shpesh do të eklipsohet ndërkombëtarisht, mbase nga Kina.

Por Trump fitoi zgjedhjet në 2016, ndaj ai po mban një gisht të ngjyer sikur të jetë e vetmja gjë që ka rëndësi. Vitin tjetër, do t’i takojë amerikanëve të të gjithë prejardhjeve të mbajnë lart gishtin e tyre dhe të bëjnë të qartë se demokracia është shumë e më shumë se aq.

*Christopher R. Hill, ish-ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Azinë Lindore ish diplomat ne Tirane dhe negociator i Shba ne marreveshjen e Rambouillet per Kosoven, është Dekan i Shkollës Korbel të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit dhe autor i Outpost/ Project Syndicat

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne