Riorganizimi i kabinetit Trump shkakton shqetësime. Vetëm disa ditë pas pozicionimit të ish-shefit të CIA-s si sekretar i ri i shtetit, vjen emërimi i fundit, agresivi John Bolton emërohet këshilltar i sigurisë kombëtare.
Të enjten pasdite Donald Trump vendosi të shkarkojë gjeneralin HR McMaster nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare, duke e zëvendësuar atë me John Boltonin. Ish i dërguari i SHBA-së në Kombet e Bashkuara do të marrë detyrën më 9 prill, vetëm pak ditë pasi Mike Pompeo zëvendësoi Rex Tillersonin si sekretar i ri i shtetit.
Kjo dyshe ka shkaktuar tronditje në mesin e demokratëve, të cilët pohojnë se Trump tani duket se po përgatitet për luftë. Senatori demokrat nga Massachusetts, Ed Markey ka thënë se Trumpi po formon një “kabinet të luftës”, duke paralajmëruar për një “rrezik të madh” pas emërimit të Boltonit.
“Me emërimet e Mike Pompeos dhe John Boltonit, Donald Trump po e rreshton me sukses kabinetin e tij të luftës. Bolton luajti një rol kyç duke na mashtruar për Luftën në Irak. Ne nuk mund ta lejojmë këtë politikan ekstremist, pro luftës që të na mashtrojë në një tjetër konflikt të rëndë,” shkroi ai në Twitter.
“John Bolton mbështet bombardimin e Iranit dhe goditjen e Koresë së Veriut me armë bërthamore, pa pasur provokim së pari nga ana e tyre. Emërimi i tij si këshilltar i sigurisë kombëtare është një rrezik i madh për popullin amerikan dhe një mesazh i qartë nga Donald Trump se ai është duke u përgatitur për konflikte ushtarake”, shtoi senatori Markey.
Zgjedhja e Boltonit si këshilltar i sigurisë kombëtare është vënë në pikëpyetje edhe nga senatori Jeff Merkley nga Oregoni, i cili ka vënë në pah shumë gabime në politikat e të emëruarit të ri. “Nëse gjithmonë rezulton keq me sigurinë, je personi i gabuar për të qenë këshilltar i sigurisë kombëtare”, shkroi Merkley në Twitter.
Gjithashtu edhe republikania Barbara Jean Lee nga Kalifornia mbeti e zhgënjyer nga zgjedhja e Trumpit, duke thenë se tani po dëgjonte “trumbeat e luftës”.
Frika e shprehur nga disa anëtarë të Kapitol Hillit dhe të publikut duket e justifikuar. Ish ambasadori agresiv i Kombeve të Bashkuara ishte arkitekti kryesor i arsyetimit të administratës Bush për luftën në Irak në vitin 2003, që u bazua në akuza të rreme se Bagdadi posedonte armë të shkatërrimit në masë.
Zgjedhja e drejtorit të CIA-s Mike Pompeo si sekretar i ri i shtetit gjithashtu bëri që shumë njerëz në Uashington të shqetësoheshin. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Rex Tillerson, Pompeo duket se është më i përshtatshëm me politikën e jashtme konfrontuese të Trumpit, domethënë me marrëveshjen bërthamore të Iranit, me Korenë e Veriut dhe me zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. Përveç politikanëve edhe publiku amerikan shprehu gjithashtu shqetësime rreth mundësisë së një konflikti të armatosur.
Senatori i Vermontit, Bernie Sanders e quajti Boltonin si personin më të gabuar për këshilltar të sigurisë kombëtare, duke rikujtuar se si ai e mashtroi publikun për luftën në Irak.
“John Bolton ishte pjesë e përpjekjes për të mashtruar SHBA-në në luftën katastrofike të Irakut, i cili ka mbështetur veprime ushtarake kundër Koresë së Veriut dhe Iranit. Ai ishte tepër ekstrem për t’u konfirmuar si ambasador në OKB në vitin 2005 dhe është absolutisht personi më i gabuar për të qenë tani këshilltar i sigurisë kombëtare,” tha Sanders.
“John Bolton është një radikal i rrezikshëm. Vendimi i Presidentit Trump për të bërë Boltonin këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare është thellësisht shqetësues,” tha në një deklaratë me shkrim kongresisti Brendan F. Boyle. “John Bolton e ka kaluar gjithë karrierën e tij duke u marrë me teoritë e komploteve, duke shprehur idetë radikale rreth multilateralizmit dhe duke minuar aleancat kyçe në të gjithë botën”./rt/Gazeta Impakt