Bota

Trump: Takimi me Erdoğan, “shumë produktiv”

Takimet me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe zyrtarët e tij të lartë ishin “shumë produktive”, tha presidenti i SHBA-së Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në konferencën për media pas takimit që u realizua midis dy presidentëve dhe delegacioneve të tyre në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se diskutimet ishin “të mrekullueshme”.

“Aleanca amerikane-turke mund të jetë një forcë e fuqishme për siguri dhe stabilitet, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë. Mezi pres të punoj me ju” tha Trump.

“Presidenti Erdoğan lufton terrorizmin njëlloj sikurse e luftojmë ne”, shtoi ai.

Presidenti amerikan e quajti Turqinë si një “aleat i shkëlqyeshëm në NATO”, pasi ai dhe Erdoğan diskutuan një sërë temash, përfshirë blerjen e sistemit anti-ajror rus S-400 nga ana e Ankarasë, avionin e përbashkët luftarak F-35, tregtinë dypalëshe dhe pauzimin e operacionit të Turqisë në veri të Sirisë.

Trump tha se ai dhe Erdoğan kanë udhëzuar zyrtarët e tyre të lartë të “fillojnë menjëherë punën për zgjidhjen e çështjes S-400”.

Pranimi i sistemeve S-400 nga ana e Turqisë, tha Trump, “krijon disa sfida shumë serioze për ne, dhe ne po flasim vazhdimisht”.

“Ne folëm për të sot. Do të flasim për të në të ardhmen. Shpresojmë se do të jemi në gjendje ta zgjidhim këtë situatë”, shtoi Trump.

Lidhur me zgjerimin e vëllimit të tregtisë dypalëshe për të arritur në 100 miliardë dollarë, Trump tha se ai mendon se dy vendet kanë bërë “përparim të jashtëzakonshëm në këtë drejtim”.

“Ne e inkurajojmë Turqinë të hapë më tej tregun e saj, dhe ata po e bëjnë këtë gjë,” tha Trump.

Duke folur për refugjatët e strehuar në Turqi, presidenti amerikan tha se Evropa nuk ka ofruar mjete të mjaftueshme financiare për ta./ AA

OPINIONE