T’u rrojnë Bes Kallakët, se Hajria iku!

Nga Ilir Levonja

Nuk e di pse shqiptarëve u dhimbset kaq shumë ikja e Hajrie Rondos? Kemi kaq kollozër tani, sa, mjafton një Kallak a një Fevzi, a Mamaq…, ku di unë tjetër. Ia kemi kaluar edhe Hollivudit. Koha e kinemasë së Hajries ishte një kovaçanë.

Shkollë e këmbëzbathurve. E atyre që nuk dinin se si të lidhnin një papion. Hajria vetë, një e dënuar nga ai soj me një apartament një dhomë e kuzhinë. E dënuar t’i rishikohen rolet, përmbajtja.

Të transmetohen apo jo, filmat ku ka luajtuar? Ne kemi plot tashmë. Plot që shtrëmbërojnë surratin. Si e si të marrin me zor një të qeshur. Ku dinte Hajria ta bënte këtë.

Këta po, e kanë gojën plot me batuta bythësh, gjoksi, leshrash. Tu rrojnë fushatat, dhe ca kaseta të shtrydhura. Nuk kanë ngelur hapësirë të lirisë sonë pa e pushtuar. Hajria se kishte haberin e kasetave. Dilte në skenë ashtu zë jete. Fshatarkë origjinale. Kuadër origjinalë. Zyshë origjinale. Sekretare partie, origjinale. Harixhofkë origjinale.

Vjerrë e ligësht a nëpërkë, ashtu si ua ka qejfi të rejave moderne sot të quajnë mamatë e burrave, origjinale.
Ku e kishte Hajria haberin e veshjeve në mode. E koktejleve publike. A dasmave me porosi, të premten tek xhamllëku me farefisin. Të shtunën me shoqërinë tek Rogneri.

Hë e dini dasmën e Hajries? As mos e çoni nëpër mend. Kush është ajo, Bes Kallaku.? Hajria ishte aq, rrogën e pesëmbëdhjetëditshit. Pensionin sa për hape. Nuk e dini se çfarë janë hapet.

Aspirina, paracetamol. Kurse ju filluat nga çjerrjet në fejsbuk. Humbën këtë e humbëm atë. Humbje e madhe e artit. Filluat nga pëllitjet kolektive. Në një garë kolektive.

E kthyet me qejf Teatrin Kombëtar në teatër të shoqërisë, të pika eksperimenteve tuaja, tani e qani Hajrien. Lëreni Hajrien në prehjen e saj, se, ia shpifët së shkretës.

Nuk mbeti këmbë ministri, qeveritari, partiaku pa postuar këtë e atë. Këtë e atë gjoja dhimbje…, megjithëse nga ata tjetër nuk kanë asnjë politikë referuese a vepruese për kurimin a kujdesin e rasteve të tilla. Se shkollës së artit të Hajries ia bënë në kokë me karkalecat e skenës eksperimentale. Dhe ato pak thërrime që hedhin gjoja për investim, ua japin shokëve, dhëndurrëve, kunetërve. Ose i tregtojnë me përqindje interesi etj. Hajria një cope provinciale ishte.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne