Turqi – Gjykata lë në arrest shtëpie pastorin amerikan

Një gjykatë turke ka kundërshtuar apelin për lirim të parashtruar nga pastori amerikan, Andrew Brunson, i cili në Turqi akuzohet për lidhje me terrorizmin.

Gjykata e Tretë e Krimeve të Rënda në Izmir vendosi për vazhdimin e masës së sigurisë “arrest shpie” për pastorin amerikan dhe masën plotësuese që e ndalon atë të largohet nga Turqia.

Ismail Cem Halavurt, avokati i pastorit Brunson, apeloi në një gjykatë më të lartë, pasi të mërkurën ankesa e tij ishte refuzuar edhe nga Gjykata e Dytë e Krimeve të Rënda sërish në Izmir.

Së fundi, gjykata e kishte lejuar pastorin Brunson të dilte nga paraburgimi dhe kishte caktuar për të arrest shtëpiak duke marrë në konsideratë “problemet e tij shëndetësore” që ishin paraqitur nga avokati.

Brunson akuzohet për spiunazh për PKK-në, organizatë që bën pjesë në listën e zezë (të terrorit) të ShBA-së dhe Turqisë, si dhe për organizatën terroriste gyleniste FETO, grupi që fshihet pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016 në Turqi, që la të martirizuar 251 persona dhe mijëra të tjerë të plagosur.

Turqia dhe ShBA po përjetojnë marrëdhënie të acaruara pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj dy ministrave të kabinetit turk, për shkak të mos-lirimit të pastorit Brunson.

Javën e kaluar, Presidenti Donald Trump nisi sulmet e tij ndaj Turqisë duke dyfishuar tarifat amerikane për aluminin dhe çelikun turk.

Të mërkurën, në shenjë kundërpërgjigjeje, Turqia rriti tarifat për disa produkte me origjinë amerikane, duke përfshirë alkoolin, produktet e duhanit dhe makinat./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne