Turqi – Shtyhet vizita e ministrit të Jashtëm Çavusoglu në ShBA

Ministri i Jashtëm i Turqisë ka shtyrë vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të planifikuar për 19 mars.

Pritej që tema kryesore e kontakteve të ministrit Çavusoglu në ShBA të jetë largimi i PYD/YPG-së, fraksionit të organizatës separatiste terroriste PKK në Siri, nga zona e Menbixhit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy njoftoi se vizita e ministrit Çavusoglu është shtyrë për një datë tjetër.

Mes Turqisë dhe ShBA-së janë formuar tre komitete, të cilat do të bisedonin në lidhje me çështjet e luftës kundër organizatës terroriste gyleniste (FETO) dhe për çështjet e Irakut dhe Sirisë. Ndërkaq mbledhja e parë e komitetit të Sirisë ishte mbajtur para pak kohe në ShBA.

Shefi i diplomacisë turke dje në kuadër të mbledhjes së 6-të të Grupit të Përbashkët të Planifikimit Strategjik Turqi-Rusi të mbajtur në Moskë të Rusisë u takua me homologun e tij Sergey Lavrov. Gjatë konferencës për shtyp të organizuar pas takimit ministri Çavusoglu ka deklaruar se “Takimi ynë me delegacionin e ShBA-së ishte planifikuar të mbahet më 19 mars në Washington, por pasi Sekretari amerikan i Shtetit është shkarkuar nga detyra kjo mund të shtyhet për një datë tjetër, jemi në kontakt dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në një postim të bërë në llogarinë e tij në Twitter ditën e martë ka deklaruar se në vend të Sekretarit Rex Tillerson është emëruar drejtori i Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), Mike Pompeo, ndërsa në vendin e tij është emëruar Gina Cheri Haspel.

Trump bëri të ditur se vendimin për shkarkimin e Rex Tillerson nga detyra e ka marrë vet, ndërsa ka thënë se me Tillerson kanë patur dallime në opinione në lidhje me marrëveshjen nukleare të arritur me Iranin në vitin 2015./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne