Bota

Turqia dhe Libia theksojnë bashkëpunimin ushtarak dhe të sigurisë

Turqia dhe Libia do të zhvillojnë aktivitete trajnuese dhe këshilluese në fushën e ushtrisë dhe sigurisë, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, priti homologun e tij libian Salah Al-Namroush, të cilët drejtuan takimet e komitetit në kryeqytetin Ankara, duke përfshirë përfaqësues nga të dyja palët, ku u dakorduan të vazhdojnë trajnimin dhe konsulencën, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Duke deklaruar se vendet kanë një histori të përbashkët që daton pesë shekuj dhe gëzojnë lidhje miqësore kulturore, në deklaratë theksohet se Akar përsëriti se Turqia qëndron pranë administratës libiane të njohur nga OKB në një përpjekje për të siguruar paqen dhe stabilitetin në vend.

“Libia i përket libianëve”, tha Akar, duke shtuar se Turqia mbështet një Libi të pavarur, sovrane ku integriteti territorial dhe uniteti politik janë stabilizuar.

Nëntorin e kaluar, Turqia dhe Libia nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në sferat e sigurisë dhe atë ushtarake.

Pas përmbysjes së sundimtarit të ndjerë, Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga OKB-ja. Mirëpo, përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të një ofensive ushtarake nga forcat e kryekomandantit Khalifa Haftar.

OKB e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin legjitim të vendit, ndërsa Tripoli lufton me milicitë e Haftarit. Turqia gjithashtu mbështet qeverinë legjitime në Tripoli.

Në muajin mars, qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” kundër Haftarit për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin Tripoli dhe çliroi disa vende strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna./AA

OPINIONE

INTERVISTA