“Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve në botë”

Në qytetin bregdetar të Kroacisë, Dubrovnik, po mbahet konferenca ndërkombëtare “Dubrovnik Forum 2023”, e cila këtë vit mbahet për herë të 16-të, raporton Anadolu.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqise dhe shefi i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian (BE), Mehmet Kemal Bozay foli në panelin “Rendi i parregulluar botëror: Si mund të sigurohet stabiliteti në politikën globale?”.

Në fjalën e tij, Bozay theksoi se pajtimi është zgjidhja e vetme për gjithçka në çdo rast. “Pa bashkëpunim shumëpalësh, ka rajonizim dhe kjo mund të rezultojë në proteksionizëm, i cili nga ana tjetër mund të çojë në izolim. Kjo nuk është diçka që na duhet”, tha ai.

Ai theksoi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit në vend të ndërtimit të “mureve të hekurt”. “Turqia ka vendosur një nivel të lartë dialogu me Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushën e energjisë, bujqësisë, transportit, inovacionit, shëndetësisë dhe klimës”, tha Bozay.

Bozay tha se Turqia ka kapacitet të eksportojë 10 milionë tonë hidrogjen të gjelbër në Evropë deri në vitin 2030. “Korridori i grurit tregoi se sa e rëndësishme është bujqësia. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dje në Istanbul”.

Ai theksoi se linjat moderne hekurudhore në Turqi lidhin shumë vende.

“Si rezultat i punës së përbashkët me disa kompani evropiane, ne po zhvillojmë edhe dronët”, tha Bozay. Ai shtoi se me BE-në bashkëpunojnë edhe në fushën e mjedisit. “Mendoj se ne të gjithë kemi një mundësi të madhe tani dhe ne të gjithë duhet ta përdorim mirë atë. Turqia me siguri do të vazhdojë të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve”, tha Bozay.

Zv/ministri i Jashtëm, Bozay në margjinat e Forumit në Dubrovnik ka shkëmbyer mendime për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet brenda BE-së dhe çështje të tjera aktuale rajonale dhe ndërkombëtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne