Turqia do t’i përgjigjet çdo intervenimi në Mesdheun Lindor

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se vendi i tij u është përgjigjur të gjitha intervenimeve ndaj anijes së saj të kërkimit të energjisë në Mesdheun Lindor dhe se do të vazhdojë ta bëjë atë në të ardhmen.

“Asnjë intervenim ndaj anijeve tona nuk ka mbetur dhe nuk do të mbetet pa përgjigje. Ne duam që të gjithë ta dinë se jemi të palëkundur në këtë çështje”, tha Akar në një video-konferencë me komandën e lartë në detyrë në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje, duke përfshirë shoqëruesit e anijes së saj sizmike Oruç Reis.

Akar theksoi se janë të vendosur të mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre në detet e Turqisë dhe të bëjnë atë që është e nevojshme.

“Republika e Turqisë si shtet nuk e lakmon tokën e askujt”, tha Akar, duke theksuar se Ankara respekton integritetin territorial dhe politik të fqinjëve të saj.

“Greqia nuk e njeh ligjin ndërkombëtar në Egje dhe Mesdhe, vetëm kërkesa, qasje egoiste dhe të njëanshme që mbrojnë interesat e veta dhe janë të papajtueshme me faktet. Ne përpiqemi të shpjegojmë se aktivitetet e kryera në këtë mënyrë nuk përputhen me arsyen, logjikën apo ligjin dhe se ato nuk i sjellin dobi askujt”, shtoi Akar.

Akar theksoi se marrëveshja e fundit e delimitimit detar, e nënshkruar javën e kaluar midis Greqisë dhe Egjiptit, nuk ka “asnjë bazë ligjore” dhe se të dy vendet janë “në humbje”.

Ai po ashtu pohoi se mosmarrëveshjet ndërkombëtare duhet të zgjidhen përmes dialogut si “mjeti më i rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve midis Turqisë dhe Greqisë”.

Në fillim të kësaj jave, Turqia rifilloi kërkimet e energjisë në rajonin e Mesdheut Lindor pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme detare për delimitimin.

Marrëveshja erdhi vetëm një ditë pasi Ankara tha se do të prolongojë kërkimet e saj të naftës dhe të gazit si një gjest i vullnetit të mirë.

Por pas shpalljes së marrëveshjes greko-egjiptiane “të pavlefshme”, Turqia autorizoi anijen e kërkimeve sizmike Oruç Reis të vazhdojë aktivitetet e saj në një zonë brenda ndarjes kontinentale të vendit.

Anija do të vazhdojë misionin e saj dy-javor deri më 23 gusht së bashku me anijet Cengiz Han dhe Ataman.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se e vetmja zgjidhje për mosmarrëveshjen është ajo përmes dialogut dhe negociatave, si dhe kërkoi nga Athina të respektojë të drejtat e Turqisë.

Turqia në mënyrë të vazhdueshme ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për të shpallur një zonë ekskluzive ekonomike të bazuar në ishujt e vegjël pranë brigjeve turke duke shkelur interesat e Turqisë, vendit me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne