Rajoni Shqiperia

“Turqia është partner strategjik i Shqipërisë”

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO) ka organizuar në Tiranë takimin e Asamblesë së Përgjithshme për vitin 2019, ndërsa në hapje të aktivitetit ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë dhe institucioneve turke.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i Shqipërisë, Eduard Shalsi, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Odës Tregtare Kosovaro – Turke Abdurrahman Balkız, anëtari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Dhomave dhe Bursave të Turqisë, Ömer Zeydan, dhe drejtues të ATTSO.

Në fjalën e tij, ministri Shalsi tha se miqësia shqiptaro-turke daton shumë larg në kohë dhe se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë.

“Ju falënderoj që jeni pjesë e biznesit shqiptar. Keni investuar dhe besuar në Shqipëri si dhe luani një rol në ekonominë shqiptare”, u shpreh Shalsi.

Sipas Shalsit, Shqipëria po përpiqet që ta shndërrojë administratën publike në partnere reale të biznesit dhe se prioritet i punës është komunikimi me biznesin.

“Besojmë fort se duke dialoguar, kemi çfarë të mësojmë nga biznesi. Jemi dëshmitarë që biznesi është në pararojë dhe shpesh herë përpara qeverive në përgjithësi. Përpos takimeve individuale, ne po zbërthejmë edhe tematikat e ndryshme nëse është problem ligjor, institucional apo vullneti lidhur me problematikat e biznesit. Ftesën e sotme e pranova me kënaqësi për të treguar se jemi pranë jush”, u shpreh Shalsi.

Në përfundim të fjalës së tij, Shalsi tha se bizneset turke janë një komponent i pazëvendësueshëm në ekonominë shqiptare.

Ambasadori turk në Tiranë, Yörük, tha se sipas të dhënave të Agjencisë Shqiptare për Investime dhe Zhvillim (AIDA), numri i kompanive turke në Shqipëri ka arritur në 433, nga të cilat 109 veprojnë në sektorin e prodhimit.

“Duke u llogaritur edhe iniciativat e kohëve të fundit të kompanive tona në fusha strategjike si transporti ajror, arsimi dhe shëndetësia, vlera në treg e investimeve turke në Shqipëri, përfshirë shërbimet e sipërmarrjes, po i afrohet tre miliardë dollarëve. Këto investime janë një kontribut i rëndësishëm për prodhimin, punësimin dhe eksportin shqiptar”, theksoi Yörük.

“Numri i vëllezërve tanë shqiptarë të punësuar në firmat prodhuese turke në Shqipëri po i afrohet 15 mijë vetëve, ndërsa eksportet e tyre arrijnë në rreth 240 milionë dollarë. Vitet e fundit po vërehet një zhvillim i vrullshëm edhe në marrëdhëniet tregtare dypalëshe. Vëllimi ynë tregtar vitin e kaluar u shtua afër dhjetë për qind dhe arriti në 520 milionë dollarë. Turqia është partneri i dytë përsa i përket importeve të Shqipërisë”, tha ambasadori turk.

Kryetari i Bordit Drejtues të Dhomës Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), Seyhan Pencablıgil, në aktivitet theksoi se ATTSO me 60 anëtarët e saj ka arritur të jetë një organizatë joqeveritare nga më të rëndësishmet në vend.

“Ndihemi krenar për kontributin tonë në ekonominë shqiptare. Detyra jonë është të çojmë më tej marrëdhëniet tregtare dhe industriale mes dy vendeve mike dhe vëllezër, si Turqia dhe Shqipëria”, tha Pencablıgil.

Sipas tij, synimi i ATTSO është krijimi i një komunikimi të shëndoshë midis anëtarëve dhe të zhvillojë ekonominë e Shqipërisë, duke shtuar standardet e shërbimeve. /AA

OPINIONE