Bota

Turqia kritikon koalicionin arab për viktimat civile në Jemen

Operacioni ndërkufitar i Turqisë në veri të Sirisë ka në shënjestër vetëm terroristët, por koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite vrau dhjetëra mijëra civilë me pretekstin e luftimit të terrorizmit në Jemen, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Në një intervistë për rrjetin e lajmeve Al Jazeera, Çavusoglu tha se nëse operacioni antiterrorist i Turqisë “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë krahasohet me operacionet e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Jemen, “atëherë ka shumë gjëra për të thënë”.

“Turqia filloi këtë operacion kundër grupit terrorist (YPG/PKK)…Në Jemen, dhjetëra mijëra civilë u vranë nga bombardimet e Arabisë Saudite dhe EBA-së”, tha kryediplomati turk, duke theksuar se asnjë civil nuk është vrarë gjatë operacionit të Turqisë.

Çavusoglu rikujtoi se qindra mijëra njerëz humbën jetën gjithashtu nga uria dhe sëmundjet epidemike për shkak të rrethimit në Jemen.

Lufta në Jemen ka dëmtuar rëndë infrastrukturën e vendit, duke shkatërruar spitalet, shkollat ​​dhe fabrikat.

OKB vlerëson se më shumë se 70.000 njerëz janë vrarë në konfliktin e egër që nga viti 2016. Ajo gjithashtu ka thënë se mbi 24 milionë jemenas kanë nevojë të madhe për ndihmë humanitare, përfshirë dhjetë milionë që vuajnë nga nivele ekstreme të urisë.

“Ne po flasim për civilë…Ata duhet të japin llogari për këtë së pari. Çfarë jeni duke bërë në Jemen? Ju hytë në Jemen, e shkatërruat Jemenin. Ne e mbështetëm këtë koalicion në fillim pasi (Jemeni) duhej të pastrohet nga terrorizmi. Megjithatë, më vonë ne pamë situatën e rëndë humanitare”, tha ministri i jashtëm turk.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, në mënyrë që të sigurojnë kufijtë e Turqisë, të ndihmojnë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojnë integritetin territorial të Sirisë.

Më 22 tetor, Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas së cilës terroristët e YPG/PKK-së brenda 150 orëve të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë veriore, ndërsa forcat e sigurisë turke dhe ruse të kryejnë patrullime të përbashkëta atje. Periudha 150-orëshe përfundoi dje.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së./AA

OPINIONE