“Turqia ofron mbështetje për krizën e Arakanit”

Ministri i Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Abul Hasan Mahmud Ali tha se janë të kënaqur për vizitat e realizuara nga delegacionet turke për qytetarët e Arakanit të cilët ndodhen në shtetin e tij. “Turqia na ofron mbështetje (për çështjen e krizës së Arakanit)”, thotë ai.

Ali në kuadër të programit “Visit Bangladesh 2018” në kryeqytetin Dakka, u takua me rreth 50 gazetarë nga shtete të ndryshme si Turqia, Kanadaja, Arabia Saudite, Japonia, Omani, Brazili, Etiopia, India, Filipinet dhe Koreja e Jugut dhe u përgjigj në pyetjet e tyre.

Ai tha se është i kënaqur nga vizitat e realizuara nga ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu dhe bashkëshortes së presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, Emine Erdoğan dhe të delegacioneve shoqëruese në kampet në rajonin Cox’s Bazar të Bangladeshit ku qëndrojnë qytetarët e Arakanit.

“Turqia na ofron mbështetje (për çështjen e Arakanit). Ata kanë plane të shumta për Arakanin”, tha Ali.

Ali thotë se Turqia realizon aktivitete të shumta për qytetarët e Arakanit në Bangladesh dhe se turqit kanë ndërtuar një spital për qytetarët e Arakanit në rajon.

Ministri i Jashtëm i Bangladeshit bën të ditur se për shkak të dendësisë në kampet në Cox’s Bazar, një pjesë e muslimanëve të Arakanit do të vendosen në ishullin Bhashan Char. Ai njoftoi se ende po punojnë për këtë projekt dhe shtoi se ky plan do të zbatohet kur shtëpitë në këtë ishull do të jenë të gatshme.

Duke rikujtuar se në muajin gusht kanë vizituar fshatrat e qytetarëve të Arakanit në Mianmar, Ali tha se “Qeveria e Indisë atje ka ndërtuar 250 shtëpi për qytetarët e Arakanit. Edhe qeveria e Kinës do të ndërtojë 1.000 shtëpi”.

Më tej ai tha se po zhvillojnë takime me zyrtarë të Kinës dhe të Mianmarit. “Atyre u thashë që shtëpitë të ndërtohen në ato vende prej nga kanë ardhur qytetarët e Arakanit”, thotë Ali.

Lidhur me pyetjen se kur do të realizohet kthimi i qytetarëve të Arakanit, Ali rikujtoi se edhe në të kaluarën kanë ndodhur praktika të ngjashme duke shtuar se “Ky është një proces i vazhdueshëm. Duhet të përfundojnë punimet”.

Ministri Ali thekson insistimin e Qeverisë së Bangladeshit për kthimin e sigurtë të qytetarëve të Arakanit.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, ishin të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin ndaj komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dëshmuar nëpërmjet imazheve satelitore se qindra fshatra janë shkatërruar.

Marrëveshja e nënshkruar midis qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për kthimin e qytetarëve të Arakanit në territorin e tyre mbetet në praktikë pa efekt pasi nuk është e mundur të dokumentohet gjendja e të zhvendosurve.

Organizatat ndërkombëtare dhe të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave të ndihmave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më sot nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut janë të shqetësuara se rikthimi i muslimanëve të Arakanit në Mianmar pa ofruar një mjedis të sigurtë do të çojë në një fushatë të re të spastrimit etnik.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne