Turqia paralajmëron qytetarët për “udhëtimet në SHBA”

Ankaraja zyrtare paralajmëroi të premten qytetarët turq që të rishikojnë planet e tyre në lidhje me udhëtimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë kërkoi nga qytetarët e saj që të bëjnë kujdes në lidhje me udhëtimet në SHBA për shkak të akteve terroriste, të dhunës dhe arrestimeve arbitrare në këtë vend.

Në azhurnimin për udhëtimet, lëshuar nga MPJ turke mëngjesin e së premtes, pasi theksohet se kohët e fundit në SHBA është vërejtur një rritje e sulmeve terroriste dhe akteve të dhunës, sqarohet se krahas akteve terroriste me bomba ose armë zjarri, ka gjasa që sulmet me makina drejt turmave të njerëzve të vazhdojnë duke shënjuar edhe qendrat urbane, aktivitetet kulturore, stacionet e metrosë, objektet publike dhe ato të kultit, madje dhe kampuset e shkollave apo universiteteve.

“Përveç kësaj, qytetarët turq, përfshi këtu edhe nëpunësit tanë publikë që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me misione zyrtare, u nënshtrohen arrestimeve arbitrare duke u bazuar në deponime të burimeve të pabesueshme. Në proceset gjyqësore të hapura kundrejt qytetarëve tanë mund të jepen vendime duke u bazuar në pretendimet e pabaza të kurdisura më parë dhe shpifjeve të anëtarëve ose simpatizantëve të organizatës terroriste gyleniste (FETO). Në këto rrethana, me dobi për qytetarët tanë, që do të udhëtojnë në SHBA, është të rishikojnë planet e tyre të udhëtimit dhe të jenë të kujdesshëm në rast se udhëtojnë”, thuhet në fund të komunikatës së MPJ turke.

Në përditësimin e ditës së mërkurë të paralajmërimit për udhëtimet, Departamenti amerikan i Shtetit renditi Turqinë, Sudanin, Rusinë, Pakistanin, Guatemalën dhe Venezuelën në mesin e shteteve me rrezikshmëri të kategorisë së tretë në aspektin e sigurisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne