Turqia reagon ndaj “zgjedhjeve” në Nagorni Karabakun e okupuar nga armenët

Ministria e Jashtme turke lëshoi të hënën një deklaratë të shkruar për pseudozgjedhjet presidenciale dhe legjislative, të parashikuara për t’u mbajtur më 31 mars 2020 në rajonin e Karabakut të Epërm [Nagorni Karabak], territor i Azerbajxhanit që mbahet i pushtuar nga Armenia.

“Ky hap është një manifestim i përpjekjeve për të legjitimuar në mënyrë të njëanshme situatën aktuale në Karabakun e Epërm, situatë që është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Ky hap është gjithashtu një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar, përfshirë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimet e OSBE-së”,- thuhet në vijim të komunikatës.

Duke iu referuar Procesit të Minskut [të OSBE-së] që ka për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje paqësore konfliktit në rajon, Ministria e fton shoqërinë ndërkombëtare që të mos i njohë këto zgjedhje.

“Mbajtja e zgjedhjeve të pretenduara në territorin e okupuar në një fazë kur bisedimet janë në proces është një përpjekje që bëhet për të minuar përpjekjet drejt paqes dhe zgjidhjes së përhershme”,- thuhet në komunikatë.

Turqia nuk i njeh këto zgjedhje jolegjitime, të cilat përbëjnë një shkelje të re të sovranitetit dhe integritetit territorial të Azerbajxhanit. Si një vend anëtar i Grupit të Minskut Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të përhershme konfliktit në Karabakun e Epërm”, përfundon komunikata me shkrim e Ministrisë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne