Ambasada e Republikës së Turqisë në Prishtinë ka përshëndetur ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të rregullt duke e quajtur këtë veprim si “një të drejtë sovrane” të Kosovës.
Përmes një postimi të hënën nga llogaria e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Ambasada turke në Prishtinë ka theksuar se, si vend i Ballkanit dhe anëtare e NATO-s, Turqia kontribuon në KFOR dhe FSK.
“Turqia, si vend i Ballkanit dhe anëtar i NATO-s që kontribuon në KFOR dheFSK, duke marrë në konsideratë ligjet e miratuara nga Parlamenti i Kosovës më 14 dhjetor për transformimin e FSK-së në ushtri si një e drejtë sovrane, gjithashtu i konsideron deklaratat nga autoritetet kosovare të përshtatshme që procesi i transformimit, i cili pritet të zgjasë me vite, do të zhvillohet në mënyrë demokratike dhe përfshirëse të të gjitha komuniteteve të Kosovës brenda kornizës kushtetuese, në koordinim me NATO-n dhe në një mënyrë që do të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon. Turqia, në përputhje me rëndësinë që i jep paqes dhe stabilitetit të rajonit, do e mbështesë vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka theksuar Ambasada turke.
Në seancën e së premtes, Kuvendi i Kosovës miratoi me një shumicë absolute tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri të rregullt, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.
FSK-ja numëron sot rreth 2.500 pjesëtarë aktivë. Ndërkaq, pas arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, FSK-ja do të ketë 5.000 pjesëtarë aktivë dhe 3.000 rezervistë./ trt