U shkarkua, çka pas?!

Nga Doc. dr. Muhamed JUSUFI

S’kisha më ndërmend të merresha me ngjarjet e fundit në BFI-në e RMV-së pas shkarkimit të Reisit, mirëpo, u habita kur lexova një komunikatë të Reisit të shkarkuar se paska dhënë dorëheqje!? Në diplomacinë botërore shpesh herë është thënë se Kosova është sui generis, pra, jo vetëm Kosova por shqiptarët në përgjithësi na qenkan sui generis. Nuk besoj se në ndonjë vend të botës të ketë ndodhur që një person i shkarkuar, pas dy ditësh të jepte dorëheqje!

U shkarkua me 2/3 e anëtarëve të riasetit, sikur atij t’i ishte kërkuar dorëheqja ndryshe do ta kisha përpiluar këtë shkrim. Ai u shkarkua, prandaj prokuroria duhet të merret me të në të ardhmen e afërt, mirëpo, dorëheqja e tij menjëherë pas dy ditësh lë për të dyshuar. Prandaj sa më parë duhet të zbardhen kurdisjet e reja dhe të mësohet se kush qëndron prapa këtij hapi sui generis. Sidoqoftë, ata që e shkarkuan nuk kanë pse të brengosen për mbrojtësit e tij, sepse ata kanë një sërë hapa të tjerë për t’i marrë deri në drejtimin përfundimtar të këtij institucioni.

Reisi i BFI-së në RMV-re u shkarkua, po jo edhe nomenklatura e tij. S’do mend se ai nuk do të emërohej Reis pa e aprovuar anëtarësia e gjerë e këtij riaseti, prandaj edhe këta kanë pjesë në bëmat e shumta të tij. Nuk dua, e as nuk kam energji të merrem me secilin veç e veç të kësaj nomenklature, mirëpo, për të gjithë këta kam një mesazh të shkurtër:

Të dashur muftilerë dhe ju anëtarë të tjerë të cilët e shkarkuat Reisin e shumëpërfolur. Jeni heronj dhe këtë nuk do t’ua mohojë askush.

Për të mbetur të tillë, ju, duhet sa më shpejtë të shpallni konkursin për hartimin e kushtetutës së re dhe pasi të jetë hartuar si draft, jeni të detyruar të hapni debat publik. Kur të përmbyllet ky cikël, duhet të kërkoni të shkohet në zgjedhje të reja. Nëse këtë kështu nuk do ta bëni, atëherë xhematit do t’ia zgjeroni edhe më shumë plagët. Preferohet që të gjithë ju, të mos konkurroni në zgjedhjet e ardhshme, edhe pse askush nuk ua mohon të drejtën ligjore për t’u kandiduar, mirëpo, kujtoj se e keni humbur të drejtën morale.

Ishit pjesë e nomenklaturës së Reisit më famëkeq në historikun e BFI-së në RMV-re, prandaj, mendoj se duhet ta frenoni ose ta privoni të drejtën tuaj për t’u kandiduar. S’do mend se prej jush ka të pastër para Allahut dhe para xhematit, mirëpo, më së miri ju e kuptoni se kjo ishte një goditje e madhe, dhe kjo kërkon kohë derisa të riparohet. Që ta shëroni këtë plagë, them se muftilerët në bllok duhet largohen nga kandidatura e ardhshme për të kaluar në këshilltarë të hoxhallarëve të rinj që do të marrin postet udhëheqëse. /gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne