U vra në atentatin ndaj prokurorit Ndoja, babai i Andi Malokut kërkon nga SPAK pamjet filmike

Babai i Andi Malokut, shoferit që u vra në makinën e prokurorit Arjan Ndoja kërkon nga SPAK ti vihen në dispozicion provat.

Më konkretisht ai kërkon që të lejohet të shohë pamjet filmike të sekuestruara nga vendi i ngjarjes.

Me 5 maj, policia ka arrestuar një person të dyshuar për pjesëmarrjen në atentatit të 1 nëntorit 2019 ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi dhe u vra shoferi i prokurorit, Andi Maloku.

Në pranga ka rënë shtetasi Arjol Halilaj nga Skrapari. Sipas policisë 29-vjeçari është bashkëpunëtor kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ai ka ndihmuar të largojë autorët nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu, për këtë krim është arrestuar edhe shtetasi Redjan Rraja 34 vjeç si i dyshuar për ngjarjen.

“Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët kryesorë të autorëve të ngjarjes së ndodhur më datë 01.11.2019, rreth orës 16:13, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbetën të plagosur tre persona, shtetasi A. N., 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, shtetasi A. L. dhe shtetasi A. M., i cili më pas ndërroi jetë në spital” njoftoi policia.

Bashkëpunëtor i autorëve-“Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin”.

Si ndodhi atentati

24-vjeçari Maloku ishte në makinë bashkë me prokurorin Ndoj dhe shtetasin tjetër Aleksander Laho, 48 vjeç, të cilët mbetën të plagosur.

Përpara atentatit, Arjan Ndoj së bashku me Aleksandër Lahon dhe shoferin e tij Andi Maloku kanë qenë duke drekuar në një prej restoranteve në zonën e plazhit së bashku dhe me një person të katërt.

Më pas prokurori Arjan Ndoj dhe Laho së bashku me shoferin Maloku janë nisur drejt Tiranës. Në momentin që kanë qenë tek mbikalimi i Shkozetit, (ora 16:30) një makinë tip Benz që mendohet se ka pasur 3 persona, ka qëlluar me breshëri, në ecje e sipër, drejt makinës ku ndodhej prokurori.

I arrestuar edhe Redjan Rraja-Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi R. Rr., 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.

Eshte gjetur edhe makina me te cilen dyshohet se u kyre atentati-Gjithashtu, po si rezultat i kontrolleve të shpejta në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohe të shkurtër, në fshatin Shkafane, Durrës, është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes.

Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, kapjen dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë ngjarje./ Ora News

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne