Shqiperia

U zhdukën 100 pasaporta, Prokuroria heton diplomatët

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për zhdukjen e 100 pasaportave shqiptare në Greqi, një ngjarje e cila solli shkarkimin e konsullit shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria.

Hetimet janë regjistruar për dyshimet e shpërdorimit të detyrës, pasi prokurorët mendojnë paraprakisht se në shkelje të Konventës së Vjenës pasaportat e emigrantëve shqiptarë nuk u transportuan që nga kompania prodhuese me mjet me targa diplomatike dhe nuk u shoqëruan nga korrieri diplomatik.

Për këtë arsye pritet që në ditët në vijim me skandalin diplomatik të ndodhur në muajin shkurt, por për të cilin pati reagim nga Ministria e Jashtme disa ditë më pas, t’i kërkohet këtij institucioni materiali i detajuar.

Në fakt, thonë burimet e organit të akuzës, kallzimi është dorëzuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe në të thuhet se në datën 13 shkurt pasaportat e prodhuara nga kompania Aleat po transportoheshin drejt Greqisë të amballazhuara.

Në pikën kufitare të Kakavijës, pasi janë kryer verifikimet, autoritetet greke bllokuan pakon me pasaporta shqiptare dhe ky ngërç është zgjidhur më tej pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të Konsullatës së Përgjithshme në Janinë.

Por, ndërsa Ministria e Jashtme këmbëngul se ngarkesa me pasaporta ishte e shoqëruar me një dokument autorizues të Ambasadës Shqiptare në Athinë dhënë kompanisë së transportit, prokurorët do të kërkojnë sekuestrimin e praktikës për dobi të hetimit.

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme pretendon se pakot me pasaporta i janë dorëzuar në kufi përfaqësuesve të Konsullatës së Janinës të cilët kanë pranuar transportin drejt Ambasadës Shqiptare në Athinë. Por, gjatë transportit të tyre nga konsulli Gjikuria, i shkarkuar nga detyra tanimë, pasaportat u grabitën.

Edhe pse Ministria e Brendshme i shpalli pasaportat të pavlefshme, për Prokurorinë e Tiranës sidoqoftë ka vend për hetime për të kuptuar se kush nga zyrtarët e ka shkelur detyrën në transportimin e dokumentit më të rëndësishëm të identifikimit.

OPINIONE