Bota

Udhëhoqi lëvizjen antikomuniste, ish-presidenti i Rumanisë akuzohet zyrtarisht për ‘krime kundër njerëzimit’

Prokuroria e Rumanisë ka akuzuar zyrtarisht Ion Iliesku, ish-president, për krime kundër njerëzimit. 89 vjeçari akuzohet se ka organizuar në fund të 1989-ës dhe në fillim 1990-ës veprimtari të gjëra komplekse dhe mashtruese që shkaktuan vdekjen e qindra njerëzve të pafajshëm.

Prokurorët i referohen vdekjes së qindra njerëzve pasi diktatori Nicolae Ceaușescu ishte larguar nga Bukureshti, ndërkohë që lëvizja antikomuniste solli edhe ekzekutimin e tij.

Ion Iliesku ishte ndër figurat kryesore të grupit që udhëhoqi lëvizjen antikomuniste, por prokurorrët thanë se ky grup, duke përdorur deklarata të ndryshme dhe televizionin, u angazhua në “veprimtari të gjera dhe komplekse mashtruese për diversion dhe dezinformim.”

Iliesku ka qenë ndër figurat më dominante në politikën rumune pas viteve ’90. Ai ka shërbyer si presidenti i vendit në periudhat 1989-1996 dhe 2000-2004, duke u bërë presidenti i parë rumun që zgjidhej nëpërmjet zgjedhjeve. Gjatë aktivitetit të tij në krye të shtetit, Rumania u anëtarësua në NATO dhe avancoi dukshëm në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Gjithsesi, kritikët brenda dhe jashtë vendit e akuzojnë Ilieskun dhe bashkëpunëtorët e tij se janë përpjekur për të bllokuar reformat si dhe të ruajnë trashëgiminë politike dhe elitën sunduese të sistemit komunist.

30 vite pas rënies së komunizmit, Rumania vijon të jetë një prej shteteve të BE-së me më shumë problematika në sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Shumë kritikë thonë se kjo situatë favorizohet nga ‘elita e vjetër komuniste’ që vijon të kontrollojë pushtetin në forma të ndryshme.

OPINIONE