Organi drejtues i futbollit evropian UEFA ka bërë të ditur se ka tre plane për të shpëtuar sezonet e ndaluara për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).
Për të përditshmen italiane “La Repubblica”, shefi i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha se mund të fillojnë përsëri “në mes të majit, në qershor apo madje edhe në fund të qershorit”.
Por, siç theksoi Ceferin, nëse situata aktuale vazhdon njëjtë edhe në verën e këtij viti, “sezoni me siguri do të humbet”.
Ceferin tha se askush nuk e di se kur do të përfundojë kjo pandemi dhe shtoi se UEFA ka zhvilluar bisedime me ligat dhe klubet, por shtoi se ata tani duhet të presin.
“Po ashtu ekziston një propozim për të përfunduar këtë sezon në fillim të sezonit tjetër dhe pastaj pak më vonë të fillohet sezoni i ardhshëm”, tha Ceferin.
Mes frikës nga virusi COVID-19, shumë liga të futbollit evropian u pezulluan, si Premier Liga e Anglisë, Bundesliga e Gjermanisë, Seria A e Italisë, Liga 1 e Francës, Eredivisie e Holandës, Premier Liga e Portugalisë dhe Super Liga e Turqisë.
Në muajin mars, UEFA i vendosi në pritje ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropiane 2019-2020, si dhe prolongoi për një vit kampionatin EURO 2020.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi i ri është përhapur në të paktën 177 vende dhe rajone. Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me bazë në SHBA, deri më tani në të gjithë botën janë raportuar mbi 618 mijë raste të koronavirusit, prej të cilave mbi 28.600 kanë vdekur dhe mbi 135.700 janë shëruar./AA