UNRWA: Të paktën 40 fëmijë palestinezë janë vrarë nga ushtarët izraelitë gjatë protestave në Gazë

Mathias Shamali, drejtor i Zyrës së Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët e Palestinës në Lindjen e Afërt (UNRWA) në Gazë, një mbështetëse e fuqishme e fushatës “Dorë më dorë për një mjedis pa dhunë ndaj fëmijëve”, e cila u organizua në një shkollë të Gazës, vlerësoi dhunën që ushtrohet ndaj fëmijëve palestinezë.

“Vrasja me plumba izraelitë e 40 fëmijëve palestinezë, 13 prej të cilëve ishin nxënës të UNRWA-së, në demonstratat e organizuara në kufirin e Gazës, është vetëm një nga format e dhunës ndaj të cilëve fëmijët janë të ekspozuar”, deklaroi Shamali gjatë fjalës së rastit në këtë aktivitet.

Drejtori i Zyrës së UNRWA-së në Gazë theksoi gjithashtu se shërbimet e tyre do të vazhdojnë derisa të arrihet një zgjidhje rrënjësore për çështjen e refugjatëve.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të drejtë, të arsyeshme dhe përfundimtare për çështjen e refugjatëve. Derisa të arrihet një zgjidhje rrënjësore për refugjatët, ne do të vazhdojmë të ofrojmë shërbimet tona”, tha ai.

Shamali rikujtoi edhe se sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili realizoi të dielën një vizitë në kampin më të madh të refugjatëve palestinezë në Jordani, premtoi atje se “700 shkollat e varura nga UNRWA-ja do të vijojnë të japin mësim”.

Që prej 30 marsin 2018 e këtej, palestinezët vazhdojnë të organizojnë protesta në kufirin ndërmjet Izraelit dhe Rripit të Gazës nën bllokadë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, ndërhyrjet e dhunshme të ushtarëve izraelitë ndaj këtyre protestave të quajtura “Marshimi i Kthimit të Madh” kanë martirizuar mbi 200 palestinezë.

Pas ardhjes në pushtet të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në vitin 2016, ndihmat që bëheshin për buxhetin e përgjithshëm të Palestinës përmes kanaleve të ndryshme, të tilla si UNRWA-ja dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), filluan të shkurtohen ndjeshëm.

Kurse vitin e kaluar, administrata e Uashingtonit njoftoi ndërprerjen e plotë të ndihmave financiare për UNRWA-në./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne