Termi i kobshëm ‘gjenocid’ është bërë tashmë familjar për shumicën e njerëzve, ndaj dhe nuk ka nevojë të shpjegohet. Ndërsa termi ‘urbicid’ nuk njihet nga shumica e njerëzve. ‘Urbicid’ vjen nga latinishtja dhe do të thotë ‘vrasja e qytetit’. Ndërkohë, vetë termi në fjalë identifikon shkatërrimin e qëllimshëm të ndërtesave dhe qyteteve, për të fshirë historinë dhe identitetin e një grupi nga realiteti dhe memoria e tij kolektive.
‘Urbicidi’ është pjesë e ‘gjenocidit kulturor’ që përshkruan rrënimin e qëllimshëm të strukturave urbane, për të shkatërruar identitetin fetar, kulturor ose social të një popullsie, ku në dallim me gjenocidin, që fokusohet te shkatërrimi fizik i njerëzve, urbicidi synon eliminimin e gjurmëve materiale të historisë, përmes shembjes së ndërtesave, monumenteve dhe hapësirave publike.
Edhe pse pak e njohur nga njerëzit e sotëm, rënia e Perandorisë Osmane në Ballkan u shoqërua me gjenocid të pashoq mbi popullsinë myslimane vendase, nga shtetet e reja ballkanike, sllavo-ortodokse, që synonin zgjerimin e territorit dhe popullsisë.
Shqiptarët, dhe në veçanti ata myslimanë, ishin pjesë e këtij gjenocidi anti-osman dhe anti-mysliman. Përmasat e tij kanë qenë të frikshme, në qindra mijëra njerëz të vrarë e të masakruar, e po kaq të dëbuar nga trojet dhe shtëpitë e tyre. Për më gjatë mund t’i referoheni librit “Vdekje dhe Dëbim” të historianit demograf amerikan, Justin A. McCarthy.
Por shfarosja njerëzore e myslimanëve ballkanas, mes tyre dhe shqiptarë, nganjëherë edhe nga vetë bashkëkombësit e tyre etnikë me besim tjetër, është vetëm njëra anë e monedhës, ana tjetër e dhimbshme dhe kriminale është ‘gjenocidi kulturor’ që u ushtrua mbi atë që mbeti nga trashëgimia osmane.
I ashtuquajturi ‘pastrim i gjuhës autoktone’, tjetërsimi i kulturës, emrave, toponimeve, fesë, traditave dhe zakoneve të trashëguara nga periudha osmane, ishin pjesë e një agjende dhe projekti më të gjatë de-osmanizimi dhe de-islamizimi kulturor dhe identitar të kësaj trashëgimie. Nën moton e një nacionalizmi shterp apo oksidentalizimit apo ideologjisë marksiste etj. myslimanët ballkanas dhe shqiptarët mes tyre, janë përballur me një tëhuajsim kulturor dhe identitar të pamëshirshëm.
Shkatërrimi masiv dhe sistematik i trashëgimisë arkitekturore të periudhës osmane, apo ndryshe ‘Urbicidi’, është shembulli më konkret i këtij gjenocidi kulturor dhe identitar ndaj myslimanëve të këtij rajoni.
Një nga historianët bashkëkohorë që ka folur për këtë urbicid është Profesor Machiel Kiel (1938–2025), një historian arti dhe osmanolog holandez, dhe një nga specialistët e arkitekturës osmane në Ballkan. Prof. Kiel për dekada me radhë ka udhëtuar nëpër Ballkan, shpesh në kushte të vështira politike, duke dokumentuar xhami, hamame, ura, imarete, karvansarajë e ndërtesa civile osmane, shumë prej të cilave sot nuk ekzistojnë më. Kiel ka botuar rreth 15 libra dhe mbi 300 studime në disa gjuhë dhe ka dhënë kontribut të madh në rivlerësimin e trashëgimisë osmane në Evropën Juglindore.
Kiel në një përmbledhje të tij studimore, botuar në 1990-n, të titulluar “Studies on the Ottoman architecture of the Balkans: a legacy in stone” (Studime mbi arkitekturën osmane të Ballkanit: një trashëgimi në gur), trajton trashëgiminë arkitekturore osmane në Ballkan nga shekulli XIV deri në atë XX. Duke iu referuar veprës së Ekrem H. Ayverdi, Kiel pohon se ka pasur pothuaj 20 000 ndërtesa osmane të të gjitha madhësive, të shpërndara në qindra qendra myslimane, shpesh të vogla, por me vlerë të madhe monumentale dhe artistike.
Këto ndërtime përfshinin godina jo vetëm me karakter fetar, si xhami e teqe, por edhe sociale e arsimore si:
Xhami dhe mesxhide, që shërbenin si vend adhurimi, dhe nga ku shpesh rreth tyre organizohej qendra sociale e qytetit ose fshatit.
Hamame- banja publike me ujë të ngrohtë që shërbenin për larje dhe higjienë.
Hane/Karvansaraje- hotele/bujtina në qytete, ose përgjatë rrugëve kryesore.
Arasta- Rrugë të mbuluara, ku zhvillohej tregtia.
Bedestene- Salla tregtare të mbuluara, kryesisht prej guri. Qendra tregtare zakonisht të mëdha.
Imarete- Institucione, ku të varfrit mund të hanin falas, pavarësisht fesë së tyre. Shërbenin si qendra të ndihmës sociale. Këto, në mjaft raste ishin edhe pjesë e një kompleksi vakëf.
Medrese/Kolegj- Niveli më i lartë i kohës, i arsimit në shtetin osman, ku mësohej ligji islam dhe dije të tjera.
Teqe/zavije- objekte adhurimi të tarikateve (urdhra mistikë), ku qëndronin dervishët, por edhe vendqëndrimi, në fillim janë përdorur edhe si xhami.
Turbe/mazoleume- varre monumentale të ndonjë personi të rëndësishëm, apo dikujt që konsiderohej si evlija.
Kulla sahati- Për të treguar kohën, pjesë e vonshme e arkitekturës osmane.
Ura dhe rrugë.
Arkitektura osmane në Ballkan ishte një sistem i tërë urbanizimi, ku nuk kemi vetëm xhami si objekte kulti, por një rrjet të tërë hamamesh, tregjesh, bedestenësh, karvansarajesh, urash, imaretesh e vakëfesh, etj. që organizonin jetën ekonomike, sociale dhe shpirtërore të qyteteve dhe fshatrave.
Ndërkohë, sipas Prof. Kiel-it, ka pasur një shkatërrim masiv të këtyre monumenteve osmane në shek. XIX–XX. Kiel përmend se përqindja e zhdukjes së medreseve, xhamive, hamameve, karvansarajeve dhe ndërtesave të tjera civile shkojnë nga 95–98%, duke e bërë të pamundur rindërtimin e plotë të historisë së arkitekturës osmane në Ballkan.
P.sh. Kiel përmend se në Bullgarinë Veriore, ku Anuari Osman i 1869/70 përmend dyzet xhami, në vitin 1980 ishin vetëm tetë, ndërsa në 1989 vetëm tri. Të tjerat ishin hedhur në erë me dinamit dhe ishin hequr me buldozer.
Në sanxhakun e vogël të Eğriboz (Negroponte) në Greqinë qendrore, nga 34 xhami, 6 banja publike (hamame), 10 shkolla dhe 6 teqe të regjistruara në 1521, vetëm rrënoja e një banje të vetme ekzistonte.
Në Serres (Veri të Greqisë), që sipas të dhënave osmane kishte më shumë se 60 xhami, tani ekzistojnë vetëm rrënojat e tri prej tyre.
Xhamia e Çauş Bey në Manastir (Bitola), një shembull interesant i arkitekturës së hershme osmane e datuar nga 1433–1434, u prish në vitin 1956 nën pretekstin e planifikimit urban.
Qyteti Rousse në Danubin bullgar kishte 36 xhami; sot ka një.
Në një listë zyrtare osmane për Rumelinë (Ballkanin) numërohen 166 medrese, të shpërndara në 69 qytete e qyteza. Sot kanë mbetur vetëm 8, prej të cilave 5 në Edirne (Turqi), kështu që në mbarë Rumelinë, jashtë Edirnesë, kanë mbetur vetëm 3 medrese.
Nga zinxhiri i karvansarajeve (haneve për strehimin e udhëtarëve) përgjatë 1000 miljeve të rrugës Beograd–Stamboll, është ruajtur vetëm një në gjendje të përdorshme, dhe katër të tjera si rrënoja të paqarta.
Këta janë vetëm disa shembuj të urbicidit ballkanas ndaj trashëgimisë urbane osmane.
Studiuesi holandez konstaton se trashëgimia arkitekturore osmane është parë nga nacionalizmi ballkanik shpesh si simbol i një të kaluare armiqësore, si simbol i “robërisë turke” që “është ende më e lehtë të hidhet në erë një xhami sesa të restaurohet”. Autori citon raste të arrestimit të tij dhe konfiskimit të filmave vetëm për fotografimin e ndërtesave osmane në Ballkan, duke dëshmuar se kjo temë mbetet një çështje e ndjeshme politike.
Në mjaft raste kjo trashëgimi interpretohet si “produkt i gjenisë kombëtare”, duke e quajtur atë bullgare, greke apo shqiptare (p.sh. rasti i Beratit dhe Gjirokastrës) dhe duke mohuar kështu se ato janë një trashëgimi e përbashkët osmane ballkanase.
Edhe kur objektet nuk janë shkatërruan menjëherë, ato shpesh, sipas Kiel, u lanë të rrënohen: “mos përdor, mos e mirëmbaj, pastaj thuaj se është rrënojë pa vlerë”. Ato në raste të tjera janë tjetërsuar, si p.sh. bedestenët në magazina, hamamet në depo, disa xhami në muze, kinema, salla kulturore etj. në disa raste ato u shndërruan në kisha (ku minaret u rrëzuan, kupolat u përshtatën dhe brenda u pikturuan afreske të reja).
Së fundmi, ne mund të shtojmë se e keqja nuk paska fund, sepse urbicidi vazhdon edhe sot e kësaj dite, sa herë që mundet. Mjafton të kujtoni “Velierën” e Durrësit të Vangjush Dakos, që e mbronte me forcë edhe pse ajo po ngrihej mbi rrënoja të rizbuluara osmane, që për të nuk kishin rëndësi, pikërisht sepse ishin osmane dhe nuk kishin vlerë si monument kulture të ngjashme me ato bizantine!
Deri para pak vitesh Muzeu Kombëtar i Tiranës nuk ka pasur asnjë pavijon për trashëgiminë kulturore osmane, të shkatërruar dhe zhdukur tashmë masivisht, apo të tjetërsuar dhe të mohuar, e nuk e dimë nëse në këtë proces rikonstruktimi ku ka hyrë, do të përfshihet kjo pjesë e mohuar dhe demonizuar e historisë sonë.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut të gjenocidit kulturor që është ushtruar mbi myslimanët e këtyre trojeve, e që shumica e shqiptarëve as nuk ia kanë idenë për të, por disa prej tyre vetëm llomotisin klishetë nacional-komuniste për turkun që kishte qenë vetëm i keq, stisin konspiracione neo-otomaniste dhe vazhdojnë të pështyjnë paturpësisht mbi identitetin e tyre, në vend që të reflektojnë objektivisht për të vërtetën e kësaj periudhe dhe të mos ecin më në gjurmët kriminale të atyre aktorëve përgjegjës të këtij urbicidi dhe gjenocidi kulturor, që ka kontribuar drejtpërdrejtë në krizën tonë identitare bashkëkohore./ kohaislame


















