Ushtria izraelite mbyll një shkollë në Bregun Perëndimor, dhjetëra të lënduar

Ushtria izraelite përdori plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë nxënësit dhe zyrtarët palestinezë të cilët protestuan sot kundër një urdhri izraelit për të mbyllur një shkollë në qytetin e Nablusit në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Të dielën, autoritetet izraelite urdhëruan mbylljen e shkollës Al-Laban-Al-Sawiya në Nablus me pretekstin se nxënësit kishin hedhur gurë në drejtim të ushtarëve dhe kolonëve izraelitë.

Pavarësisht nga urdhri, nxënësit dhe zyrtarët lokalë u orvatën të rihapin shkollën, me çka forcat izraelite përdorën plumba gome dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Shefi i këshillit komunal Samer Eweis u plagos nga një plumb gome, ndërsa fotoreporteri i AFP-së, Jaafar Ashtiyeh, u hospitalizua pasi u godit në kokë nga një fishek i gazit lotsjellës, njoftoi korrespondenti i AA-së.

Dhjetëra nxënës palestinezë pësuan gjithashtu asfiksim të përkohshëm pas inhalimit të gazit lotsjellës të hedhur nga forcat izraelite.

Qeveria palestineze me qendër në Ramallah e cilësoi urdhrin për mbylljen e shkollës si “agresion i ri ndaj arsimit palestinez”.

“Çdo përpjekje për të dëmtuar shkollën është një agresion i ashpër ndaj procesit arsimor dhe sulm mbi të drejtën ndërkombëtare dhe rregulloret që garantojnë të drejtën për arsim dhe njohuri”, tha zëdhënësi i qeverisë Yousef al-Mahmoud në një deklaratë.

Ai bëri thirrje për një veprim urgjent ndërkombëtar për të ndaluar këtë sjellje izraelite.

Shkolla Al-Laban-Al-Sawiya u sulmua nga kolonët disa muaj më parë dhe vazhdimisht sulmohet nga ushtria izraelite, thonë banorët palestinezë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne