Bota

Vëllazëria Muslimane: Do të ngelemi paqësorë përkundër planeve të SHBA-së

Vëllazëria Muslimane e Egjiptit tha se do të vazhdojë të punojë në përputhje me “mendimin paqësor dhe të moderuar” pavarësisht planeve të SHBA-së për ta cilësuar atë si një “organizatë terroriste”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të martën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se administrata e presidentit Donald Trump po përgatitet ta vendosë Vëllazërinë Muslimane në listën e organizatave terroriste të huaja.

Qeveria amerikane tha se Trump është takuar më 9 prill me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe ka diskutuar “kërcënimin që përbën Vëllazëria Muslimane”.

“Është për t’u habitur që formulimi i tendencave të administratës amerikane është subjekt i diktaturave shtypëse në Lindjen e Mesme, në vend që të jetë në përputhje me vlerat dhe parimet që zakonisht proklamohen nga shteti amerikan”, tha Vëllazëria Muslimane në një deklaratë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në përputhje me mendimet tona paqësore dhe të moderuara dhe Vëllazëria do të vazhdojë të jetë më e fuqishme”, thuhet në deklaratë.

E themeluar në vitin 1928, Vëllazëria Muslimane u vendos në listën e zezë nga autoritetet egjiptiane në vitin 2013 pas përmbysjes së Mohamed Morsit, presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë të lirë në Egjipt, përmes puçit ushtarak të udhëhequr nga al-Sisi në të njëjtin vit.

Përfshirja e organizatës në listën e grupeve terroriste do ta vendoste SHBA-në në krahun e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, shtete këto që tashmë e kanë vënë Vëllazërinë Muslimane në listë të zezë./ AA