Bota

Venezuela dislokoi trupat në kufijtë e vendit

Me urdhër të Presidentit Nikolas Maduro, Venezuela dislokoi trupat e saj në vijën kufitare.

Njoftohet se edhe linja detare me Ishujt Karaibe, e cila kontrollohet nga Holanda, u pezullua për një kohë të pacaktuar.

Në kufi është vendosur gjendje e alarmit para datës 23 shkurt, dita kur është njoftuar hyrja e “ndihmave humanitare” për opozitarët venezuelas të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Padrino Lopez, duke vënë në dukje se nuk do të marrin urdhra nga vendet tjera ka thënë se “Me urdhër të kryekomandantit (Nikolas Maduro) ushtarët tanë do të vazhdojnë të jenë të dislokuar dhe në gjendje alarmi përgjatë vijës kufitare me qëllim të parandalimit të shkeljes së tërësisë territoriale të vendit”.

Qeveria, e cila mori masa paraprake për sigurinë e kufijve tokësor një hap tjetër e hodhi edhe në det.

Gregorio Hoze (Jose) Montano, Drejtori i Mbrojtjes Civile në zonën Falcon njoftoi pezullimin e linjës detare me kohë të pacaktuar me 3 ishuj Karaibe që ndodhen nën kontrollin e Holandës.

Montano tha se vendimi në fjalë do të ndikojë në linjën mes ishujve Kurkao (Curcao), Aruba dhe Bonaire, pasi që ato do të përdoren si qendra për ndihma.

Debati mbi “krizën humanitare dhe ndihmat” është njëra prej pikave kryesore të tensionimit që po jetohet mes qeverisë dhe opozitës në Venezuelë, e cila po përjeton krizën më të rëndë politike dhe ekonomike në historinë e saj.

Presidenti Nikolas Maduro bëri të ditur se debatet për “ndihma” janë pjesë e “strategjisë së ShBA për pushtim” dhe se nuk do të lejojnë një shfaqje të tillë.

Ndërkaq opozitarët pretendojnë se 300 mijë persona kanë nevojë për ndihma emergjente, ndërsa mbrojnë qëndrimin se afërsisht 2 milionë persona po përballen me rrezikun për shëndet dhe bëjnë të ditur se është e nevojshme që në vend të hyjnë ndihmat humanitare.

Ndërkohë që ushtria, e cila krahas të gjitha presioneve vazhdon ti mbetet besnike Presidentit Maduro, ka mbyllur kufijtë, vazhdon edhe paqartësia se si do ti fusin në vend opozitarët pakot me ndihma që presin në qytetin Kukuta në kufirin e Kolumbisë me Venezuelën dhe në ishullin Kurkao që ndodhet 40 mile larg vendit.

Pretendohet se pengimi i iniciativës për “ndihma”, për të cilën kanë punuar vullnetarisht 600 mijë persona, do të mund të përdoret si pretekst nga ShBA-ja për ndërhyrje.  / trt

OPINIONE