Veteranët e UÇK protestojnë kundër Ligjit të pagave

Prishtinë

Mijëra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë protestuar në sheshet e kryeqytetit, Prishtinë, kundër Qeverisë së Kosovës dhe për të kundërshtuar Ligjin për pagën minimale pasi ata nuk u përfshinë në të, raporton Anadolu.

Protesta nisi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, derisa protestuesit mbanin në duar flamujt kombëtar, flamuj shtetëror, flamuj të SHBA-së dhe flamuj të UÇK-së.

Pas intonimit të himneve, protestuesit nisën me brohoritjet “UÇK, UÇK” dhe “Poshtë Qeveria”.

Bajram Qerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur e ka kritikuar Qeverinë për mospërfshirje të veteranëve në ligjin për paga dhe ka paralajmëruar edhe protesta tjera.

“Nuk mund t’i gënjesh ata që i ke gënjyer para dy vitesh e gjysmë, zotëri kryeministër, edhe ata janë mbushur mend ta dinë se kush është Albin Kurti. Rrini të fortë, rrini ashtu siç je, folni ashtu siç do të punojmë, sepse kjo është një protestë e vogël çfarë duhet bërë nesër nëse këtë nuk e kuptojnë ata. Kjo protestë është e vogël, duhet të ketë edhe protesta të tjera”, tha Qerkini.

Ai shtoi se veteranët dhe shoqatat e veteranëve janë në gjendje të mjerueshme.

Ish-luftëtari i UÇK-së, Avni Ajeti, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale ose do të përballen me protesta të vazhdueshme.

“Sot jemi këtu para Qeverisë së Kosovës së pavarur që e kemi çliruar me gjak dhe sakrificë e në të cilën për veteranët e UÇK-së ende po pyeten kriminelët serbë që na vrasin dhe na rrahin policët në veri. Kjo nuk na tregon befasi, ne edhe sulmet e befasishme të armikut i kemi kthyer në kundërsulm andaj jemi këtu që me fjalën e lirë t’i japim përgjigje këtij trajtimi të padinjitetshëm që po i prek kufijtë e tradhtisë”, theksoi ai.

Protesta, e cila përfundoi e qetë, u mbështet edhe nga disa deputetë të dy partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Protesta e veteranëve të UÇK-së është thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në Kuvendin e Kosovës dhe tani ligji pritet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Një veteran i luftës në Kosovë paguhet aktualisht 170 euro./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne