(VIDEO) Era la pa çati shumë shtëpi e xhaminë pa minare, ja rrëfimi i banorëve për tmerrin e përjetuar

Era, bubullimat dhe shiu i rrëmbyeshëm sollën frikë e trishtim tek banorët e fshatit Sfillare e epërme, gjatë natës së mbrëmshme. Dëmet materiale që u shkaktuan në këtë fshat ishin të shumta. Si pasoj e erës së fuqishme ishte rrëzuar minarja e xhamisë dhe plot çati të shtëpive të fshatit. Banorët të cilët në atë kohë kishin shkuar në xhami për të falur namazin e akshamit, tregonin për frikën e tmerrin që kishin përjetuar në ato momente.

“Ndodhi në mbrëmje në ora 7, në kohën e namazit të akshamit dhe kështu erdh stuhia, por shiqyr Zotit nuk kishte diçka më keq, e përjetuam keq ne. Ishim në xhami brenda, duke falur farzin e namazit, aq erë e fortë, që më dukeshte se do e marr edhe xhamin”, ka thënë një banor.

“Ajo ka qenë një periudhë shumë e shkurtër, afër një minutë, por ajo ka ardhur nga ana e Zotit, e shihni edhe vet se si janë dëmet, ka shkatërruar çati, minaren e xhamisë, e shumë dëme nëpër shtëpi…në njerëz nuk ka, ajo është më kryesorja, por dëme nëpër kulme besoj që 90%  ka”, deklaroi një banor tjetër.

Për vetëm disa minuta stuhia kishte marrë shumë kulme shtëpish dhe tjegullat shiheshin gjithandej të shpërndara nëpër oborre. Në ato momente kritike, thonë banorët mezi i kanë qetësuar fëmijët të cilët vetëm qanin e bërtisnin. Por jo vetëm kaq, shiu kishte hyrë edhe brenda shtëpive dhe kishte prishur mobiljet.

“Momenti i mbrëmshëm nuk harrohet ai trishtim, nuk zgjati gjatë, se po të kishte zgjatur shumë do të na shkatërronte. Por fuqi e Zotit është kjo. Për dëmin, e shihni edhe vet sa dëme ka bërë, por është prej anës Zotit nuk është prej njeriut…Uji gjithë brenda nëpër dhoma ka hyrë, nëpër mobilje, gjitha janë lagur, ata më janë prishur…Fëmijët trembeshin, ishte habi e madhe, derën e mbanim, por nuk ishte  e mundur na barte era, fëmijët qanin, trishtim i madh ishte mbrëmë”, shtoi për TV SHENJA, një banor tjetër.

“Gjithçka që ndodhi zgjati për një kohëzgjatje diku 2 min, kishte zhurmë të madhe, kishte shi, erë të madhe, fuqia e Zotit…Po ka dëme, ka frikë, panik tek fëmijët, ka trauma, dëme të mëdha tek disa shtëpi…Institucione tjera nuk ka pasur vetëm kryetari i komunës ka ardhur na ka vizituar menjëherë pas rastit, por askush nuk ka çfarë bënë në këto raste, kur punon Zoti, nuk ka çfarë bën njeriu”, tha një banor.

Banorët nuk kishin fjalë ta përshkruanin atë që kishin përjetuar natën e mbrëmshme, por thonin se zhurma e madhe që ishte shkaktuar kishte sjellur frikë dhe panik jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të gjithë banorët e fshatit.

Në fshatin Sfillare shiu i rrëmbyeshëm kishte shkatërruar edhe pemët të cilët banorët i kishin mbjellë në oborret e tyre./ shenja


Era e forte by tvshenjaofficial

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne