Vitet 80, koha kur gjermanët gati të zbarkonin në Shqipëri

Tri vizita e Gensher në Shqipëri

Vizita I – Të parën herë H.D.Gensher ka ardhur në Shqipëri në vitin 1987, të nesërmen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë Federale filluan në Bon, nga fundi i vitit 1984 dhe vazhduan deri në vitin 1987. Nënshkrimi i dokumentit përfundimtar u bë në Tiranë.

Vizita II – Më 15 qershor 1991 H.D.Gensher vjen sërish Shqipërinë. Kjo ishte vizita e tij e dytë. Si herën e parë, ashtu edhe në qershor të vitit 1991, bisedoi si dashamirës i vendit tonë dhe i popullit shqiptar. Gjatë vizitës së qershorit 1991 H.D.Gensher bisedoi me ne për fazën e dytë, për pranimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në KSBE. 

Vizita III – Vizitën e tretë H.D.Gensheri e bëri në Shqipëri, në muajin prill 1992. Duhet thënë se Gjermania në përgjithësi, ka qenë vazhdimisht më afër pozitës sonë lidhur me çështjen e Kosovës, me njohjen e të drejtave të saj dhe ka dënuar qëndrimin antishqiptar të serbëve.

Hans-Dietrich Genscher 

ARKIVA/ Nga vizita e ministrit Federal të Punëve të Jashtme të Republikës Federale Gjermane. Çfarë u bisedua në 23 tetor 1987 pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike

 

Bisedim i zhvilluar në 23 tetor 1987, në pritjen që i bëri Kryetari i Këshillit të Ministrave, Adil Çarçani, Ministrit Federal të Punëve të Jashtme dhe Zëvendëskancelarit të Republikës Federale Gjermane, Dr, Hans Ditrih Gensher. Në pritje merrnin pjesë zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, Vangjel Çërava, kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Niko Gjyzari, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Gjon Gorishti, dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka. Pas përshëndetjeve të rastit u zhvillua kjo bisedë:

 

Adil Çarçani: Si jeni me shëndet zoti ministër?

Dr. Hans Ditrih Gensher: Shumë mirë, u pritëm me përzemërsi shumë të madhe e me kohë shumë të mirë

Adil Çarçani: Kohën në vendin tonë e gjetët shumë të bukur dhe, sikurse koha, jam i mendimit dhe kam besim se edhe vizita juaj, megjithëse e shkurtër, do të kalojë me sukses dhe do të jetë e frytshme.

Dr. Hans Ditrih Gensher: Ky është edhe qëllimi im: ne duhet t’i futemi me seriozitet të madh zhvillimit të marrëdhënieve tona. Kemi bërë një hap të rëndësishëm me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por kjo nuk duhet të mbetet formale. Ne dëshirojmë që këto marrëdhënie t’i mbushim me jetë. Duhet të  shkëmbejmë pikëpamjet tona politike me njëri -tjetrin, të shikojmë ku puqemi e ku nuk puqemi dhe ne dëshirojmë të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të gjatë në ekonomi, shkencë, teknikë e kulturë. Ne nuk duhet të kursejmë asnjë fushë ku mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona.

Adil Çarçani: Ashtu është, pajtohem me ato që thatë. Në radhë të parë, e ndjej të nevojshme t’ju uroj mirëseardhjen në vendin tonë dhe t’ju them se vizitën tuaj Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, opinioni zyrtar dhe i gjithë opinioni i vendit tonë e kanë mirëpritur dhe e shikojmë si diçka mjaft pozitive. Shfaq besimin tim, të Qeverisë e të popullit, se vizita juaj do të shërbejë me siguri zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona në të gjitha fushat e ndryshme. Është e domethënës fakti që vizita juaj bëhet brenda një kohe relativisht të shkurtër, pas ngjarjeve të shënuara, do të thosha historike, ndërmjet vendeve tona – pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Federale Gjermane dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, gjithë populli shqiptar, tërë opinioni i brendshëm e përshëndeti këtë si një akt të rëndësishëm, që do të hapë një perspektivë të mëtejshme intesifikimi në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Edhe para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona ka pasur shkëmbime të ndryshme, si shkëmbime tregtare, shkencore, kulturore-artistike e në fushën e turizmit, të cilat kanë qenë në përgjithësi të dobishme. Personalitetet zyrtare e shkencore të Republikës Federale Gjermane dhe të Republikës Socialiste të Shqipërisë kanë bërë vizita reciproke, studiues të ndryshëm shkencorë të degëve të ndryshme kanë marrë pjesë në konferenca e simpoziume që janë zhvilluar përkatësisht në Republikën Federale Gjermane e në Shqipëri. Marrëdhëniet tona tregtare  janë zhvilluar normalisht e me korrektësi, sikurse dhe marrëdhëniet kulturore-artistike etj. Ne mendojmë se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona janë krijuar edhe më tepër mundësitë që këto shkëmbime të zhvillohen më tej, të intesifikohen deri në përfundimin dhe të marrëveshjeve të veçanta ekonomike, tekniko shkencore, në lëmin e transferimit të teknologjisë, kulturore-artistike, turistike etj. Të gjitha këto do të shërbenin shumë për njohjen dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet popujve dhe dy vendeve tona. Dëshiroj t’ju siguroj se predispozicioni i Qeverisë sonë, i të gjithë organeve e institucioneve tona shtetërore, është i tillë që këtyre marrëdhënieve, zhvillimit të tyre të mëtejshëm t’u jepet një impuls i ri. Siç edhe mund të jeni njohur pak a shumë, Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore ka qenë nga vendet më të prapambetura në Evropë nga ana ekonomike dhe e zhvillimit shoqëror e kulturor, kurse pas çlirimit, në këta 43 vjet të pushtetit popullor, ajo ka bërë hapa të mëdhenj përpara e të pakrahasueshëm me të kaluarën. Janë ngritur degë të shumta të industrisë, sidomos të industrisë së rëndë, të nxjerrjes së mineraleve, pa lënë pas dore industrinë e lehtë dhe ushqimore. Në krahasim me të kaluarën është bërë një zhvillim i dukshëm i bujqësisë drejt një progresi shkencor në rritje, në zbatimin e të rejave agroteknike dhe marrjen e rendimenteve më të mëdha në prodhimet bujqësore e blegtorale, pa folur pastaj për zhvillimin e arsimit e kulturës, ku është bërë një përmbysje e vërtetë, një revolucion i tërë. Para çlirimit mbi 85 për qind e popullsisë ishte analfabete, kurse sot kemi një sistem të tërë shkollash deri Universitetin, Akademinë e Shkencave etj. Me gjithë këto arritje të mëdha, në planet tona e sidomos në planin e tetë pesëvjeçar që miratoi Kongresi i 9-të i Partisë, ne kemi caktuar detyra të mëtejshme e të rëndësishme për të zhvilluar më tej, në radhë të parë, ato degë të ekonomisë sonë që mbështeten në shfrytëzimin e lëndëve tona të para, sidomos nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve të ndryshme, si të mineralit të kromit, ku  ne kemi rezerva të konsiderueshme, të hekur-nikelit, ku gjithashtu kemi rezerva të mëdha, të mineralit të bakrit etj. I kemi kushtuar rëndësi zhvillimit të  energjitikës, nxjerrjes së naftës e të gazit dhe shtimit të energjisë elektrike, sot e në perspektivë. Në të njëjtën kohë kemi caktuar detyra të rëndësishme dhe për industrinë e lehtë dhe ushqimore, për t’u dhënë një zhvillim të tillë të mëtejshëm që të përballojnë më mirë nevojat në rritje të popullit me mallra të konsumit të gjerë, pa folur pastaj për bujqësinë që, siç e dini është baza e sigurimit të ushqimit të popullit, e sidomos të drithërave të bukës, sigurimi i së cilës në vend ka qenë për ne një arritje historike. Në planin tonë të pesëvjeçarit të 8-të kemi parashikuar masa për të intesifikuar degët e industrisë minerare në shtimin e prodhimit të tyre, por edhe për të përmirësuar nga ana cilësore teknologjinë e nxjerrjes së kësaj pasurie, teknologjinë e pasurimit e të shkrirjes së mineraleve, për t’u marrë atyre sa më shumë nga komponentët që ato përmbajnë. Mekanizmi i proceseve të punës në pasurimin e mineraleve të kromit, hekur nikelit, bakrit etj., si dhe vendosja e teknologjive të reja dhe shkrirjen e këtyre mineraleve, janë disa nga objektivat tona të rëndësishëm për t’u arritur gjatë pesëvjeçarit të 8-të e në vijimësi. Parashikojmë, gjithashtu, masa e detyra të rëndësishme për shtimin e zhvillimin e mëtejshëm të prodhimit bujqësor e blektoral, për t’i rritur me ritme më të larta, por kjo kërkon masa të rëndësishme për një mekanizëm të mëtejshëm të bujqësisë, kimizimin e mëtejshëm të saj e mobilimin e tokës. Shtimi i prodhimit industrial e bujqësor, rezultat i zhvillimit me përparësi të këtyre dy degëve të rëndësishme, ku mbështetet kryesisht ekonomia jonë, sot e në perspektivë, kërkon që gjatë planit të 8-të pesëvjeçar të zhvillohet intensivisht dhe transporti, sidomos të rriten kapacitetet e tij dhe të modernizohet ai, për të përballuar zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë. Në të gjitha këto drejtime të zhvillimit të këtyre degëve bazë të ekonomisë tonë dhe, në radhë të parë, të zhvillimit të atyre degëve që i shërbejnë prodhimit të mjeteve të prodhimit siç është industria e rëndë, ne mendojmë se janë të gjitha mundësitë që të konkretizojmë me Republikën Federale Gjermane masa dhe bashkëpunim të mëtejshëm, , nëpërmjet marrëveshjeve ekonomike, teknike, shkencore, transferimit të teknologjive, vendosjes së teknologjive të reja, automatizimit të prodhimit, mekanizimit të proceseve të punës etj., siç është biseduar edhe ndërmjet delegacioneve tona gjatë takimeve të ndryshme që kemi pasur, veçanërisht kohët e fundit. Kjo nuk përjashton, përkundrazi, kërkon që edhe marrëdhëniet tregtare, zhvillimi i tyre, shkëmbimi i mallrave të eksportit e të importit ndërmjet të dy vendeve,  të marrin një zhvillim më të madh. Mendimi ynë është se kemi ç’të blejmë në Republikën Federale Gjermane, por në të njëjtën kohë kemi dhe se çfarë të shesim. Dëshira jonë është që Republika Federale Gjermane të ishte partneri kryesor, në radhën e shteteve evropiane, në zhvillimin e tregtisë ndërmjet dy vendeve tona dhe ekzistojnë mundësitë në këtë drejtim, si dhe vullneti nga ana jonë. Kemi besim të plotë se një predispozicion e vullnet të tillë do të gjejmë edhe në organet e institucionet përkatëse të Republikës Federale Gjermane. Ekzistojnë edhe mundësi të tjera. Ne disponojmë në vendin tonë pasuri të tjera, sidomos minerale që gjer më sot nuk i kemi shfrytëzuar, siç është nikel-silikati, rezervat e mëdha të kripës minerare, rezervat e konsiderueshme të azbestit e të tjera minerale që ende nuk i kemi vënë në qarkullim. Vënia në qarkullim e këtyre mineraleve nëpërmjet shfrytëzimit të tyre do të ishte në interes si për vendin tonë, ashtu dhe për Republikën federale Gjermane, sigurisht në bazë të leverdisë e të interesit reciprok. Unë dëshiroj t’ju them e t’u siguroj se përfitimi që do të kishte vendi ynë nga një zhvillim i tillë i marrëdhënieve tona ekonomike, teknike, shkencore, tregtare, etj., me Republikën Federale Gjermane, do të përdorej në radhë të parë, për zhvillimin e mëtejshëm të forcave prodhuese, sepse në politikën tonë ekonomike që ka zbatuar gjer më sot Partia dhe Qeveria jonë, sipas mësimeve të arkitektit të Shqipërisë socialiste, shokut Enver Hoxha, i është përmbajtur gjithnjë parimit të zhvillimit me përparësi të forcave e të mjeteve të prodhimit, si bazë për rritjen e mirëqenies së popullit, sot e në perspektivë, dhe për fuqizimin e mbrojtjes së atdheut.

Adil Çarçani: Do të dëshiroja që në të gjitha këto fusha e drejtime që përmenda në këtë takim të rëndësishëm me zotin Gensher, të dëgjoja edhe mendimet konkrete të tij ose edhe ide të tjera që mund të kishte ai, të cilat do t’i mirëprisja. Dëshiroj gjithashtu të siguroj edhe një herë se te qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, te të gjitha organet përkatwse të pushtetit të ekonomisë sonë, Qeveria e Republikës Federale Gjermane, të gjitha organet dhe institucionet e saj përkatse do të gjejnë kurdoherë predispozicion, gadishmëri dhe qendrim pozitiv për konkretizimin e të gjitha problemeve që diskutuam mbi bazën e interesit e të leverdisë reciproke të të dy vendeve, në format dhe mënyrat më të përshtatshme e të lejushme për të dyja palët, brenda normave dhe rregullave juridike konstitucionale, për të cilat paraprakisht janë zhvilluar edhe bisedime dypalëshe. Ne kemi në vendin tonë një gjendje të shëndoshë, siç mund t’ju kenë vënë në dijeni dhe t’ju kenë informuar edhe ministri ynë i Punëve të Jashtme. Kemi një gjendje të qëndrushme, vijimësi në zbatimin e politikës së jashtme e të brendshme të vendit, sipas mësimeve jetëdhënwse të shokut Enver Hoxha, mësime këto që me konkurrencë vazhdojnë të zbatohen nga Partia dhe pushteti ynë popullor, me në krye shokun Ramiz Alia, vazhdues i denjë i veprës së shokut Enver Hoxha. Në politikën e jashtme vendi ynë zhvillon një politikë të hapur, i thotë haptazi mendimet dhe qendrimet në çdo rast, fakt ky që i ka rritur prestigjin Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Jemi për ruajtjen e paqes dhe kundër luftës, në mbrojtje të të gjithë popujve që luftojnë për liri e të drejtat e tyre dhe, mbi të gjitha, me vendosmëri punojmë e luftojmë për të mbrojtur pavarwsinë e sovranitetin e atdheut tonë socialist kundër përpjekjeve të shumta të imperializmit e të socialimperializmit ndaj vendit e popullit tonë dhe popujve të vendeve të tjera. Kemi qenë dhe jemi në mbrojtje dhe për sigurimin e paqes në Evropë e në botë, veçanërisht në zonën e Mesdheut e në Ballkan, si dy zona shumë nevralegjike e të nxehta aktualisht. Një qendrim e politikë e tillë aktive në vendin tonë ndaj të gjitha problemeve i shërben ruajtjes sw forcimit të paqes së vërtetë në Evropë e në Botë. Në të njëjtën kohë dëshiroj të shfaq mendimin e Qeverisë e të popullit tonë, se vlerësojmë vendin tuaj, politikën që ndiqni në mjaft çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe qëndrimet dashamirëse ndaj vendit tonë, me zhvillimin e marrëdhënieve tona të gjithanshme. Vlerësojmë vizitën tuaj si shfaqje të vullnetit të mirë të qeverisë suaj dhe tuajat personalisht zoti ministër, për t’i shpënë gjithnjë e më përpara këto marrëdhënie në fushën politike, ekonomike, teknike, shkencore dhe në drejtime të tjera. Ju falenderoj për këtë dhe për vëmendjen e treguar.

Dr.Hans Ditrih Gensher: Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave, ju falenderoj për pritjen dhe për sqarimin që më bëtë për politikën tuaj. Qeveria Federale Gjermane vendosi marrëdhënie me vendin tuaj, me qëllim që të nisë një fillim të ri, por edhe me ndërgjegje të lidhjeve historike që ekzistojnë ndërmjet gjermanve dhe shqiptarve, si dhe të periudhës së tmerrshme të historisë gjatë së cilës populli juaj ishte i detyruar të hiqte shumë të këqija. Tani ne duhet ta hedhim shikimin në të ardhmen dhe unë mendoj që ne së bashku mund të bëjmë shumë mbi bazën e barazisë absolute e të një bashkwpunimi të barabartë. Ne jemi të mendimit se është e rëndësishme që të kemi një dialog të dëndur politik me njëri-tjetrin, për të kuptuar më mirë politikën e njëri- tjetrit, se çfarë kërkon ajo si në çështjet e brendshme, ashtu dhe në ato të jashtme. Ne jemi gjithashtu të mendimit që marrëdhëniet ekonomike, që kemi pasur prej kohësh, duhet të shtohen e të thellohen në mënyrë të theksuar. Ne kemi një ekonomi popullore, e cila është freksible (e epshme) dhe mund të përshtatët me nevojat që ka patneri është e nevojshme që ne të konstatojnë e të gjejmë pikat bashkuese për një bashkëpunim të gjerë ndërmjet nesh. Mendoj se ne mund të bisedojmë për një marrëveshje bashkëpunimi dhe se nuk mund të mendojmë vetëm për shkëmbime tregtare, por edhe për një bashkëpunimi teknik, i cili do të shërbejë edhe formimit edhe përgatitjes. Ne gjithmonë kemi krijuar përvojë për përpjekjet e përbashkëta për përgatitjen, për formimin, kjo rrit dhe dijen për të mësuar mw mirë se çka tjetri për të ofruar. Meqënwse dhe Ju jini të interesuar, mund të arrijmë dhe një bashkpunim të ngushtë tekniko-shkencor. Ju te ne do të takoni një rezonancë shumë pozitive. Ne jemi të interesuar që zhvillimi në të gjitha vendet e Evropës të shkojë përpara dhe mendojmë që kjo është diccka e mirë për stabilitetin në Evropë. Nëqoftëse do të jemi të lidhur ngushtë nga ana ekonomike me njëri-tjetrin, me një bashkëpunim ekonomik, që mendoj se mund të konkretizohet edhe me përfundimin e një marrëveshje kooperimi, kjo jo vetëm që do të jetë shumë e rëndësishme, por do të krijojë mundësi edhe për të gjetur forma të ndryshme në zhvillimin e njëri-tjetrit. Duhet marrëveshje për bashkëpunim tekniko-shkencor, por edhe për shkëmbimet kulturore-artistike etj. Dhe në këtë drejtim kemi pasur një sërë kontaktesh deri më sot. Edhe përsa i përket turizmit do të thosha që kjo është vetëm në dorën tuaj, se gjermanët janë shumë të dhënë pas udhëtimeve. Në qoftë se gjermani ka qenë p.sh, tri herë në një vend, menjëherë shpreh dëshirën të shkojë në atë vend edhe për herë të katërt, kështu që, Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave, në qoftë se ofrohet një gjë më e madhe në këtë drejtim, më shumw gjermanë mund të vijnë. Për këtë agjencitë turistike tona janë shumë të interesuara. Gjithashtu dhe shoqëria jonë ajrore “Luftanca” është e interesuar të hyjë në bisedime me ju për gjetjen e mundësisë për një linjë në kryeqytetin tuaj dhe unë besoj se kjo do të ishte diçka shumë e mirë, sepse shtohen edhe mundësitë e udhëtimeve e të njohjes. Por, siç e thashë, ne nuk duhet të nënvleftësojmë edhe marrëveshjen kulturore, sepse këto ndikojnë në krijimin e besimit ndaj njëri- tjetrit. Mundet të mendojmë për shkëmbimin e lektorëve, ne jemi gati t’ju japim bursa për studentë dhe, me një fjalë, Zoti Kryetar, ne e marrim me seriozitet zhvillimin e marrëdhënieve dhe ju duhet ta dini se ne, e marrim me seriozitet zhvillimin e marrëdhënieve dhe ju duhet ta dini se ne, gjermanët në qoftë se vendosim të bëjmë diçka, e bëjmë me themel atë.

Adil Çarçani: Tamam ashtu është dhe ne kemi çmuar edhe e çmojmë këtë, por dijeni se të njëjtën karakteristikë ka dhe populli ynë, vendi ynë.

Dr.Hans Ditrih Gensher: E dimë. Dua t’ju them atë që me ndjenjat e thella të njerëzve tanë ne kemi kushte të mira. Ne duam me të gjithë popujt e botës, por veçanërisht me të gjithë popujt e Evropës të kemi marrëdhënie të ngushta. Pak më parë unë i thashë ministrit të Jashtëm, se më përpara ishte larg ku banonin gjermanët dhe ku banojnë shqiptarët, por zhvillimi teknollogjik largësitë nuk i ndryshon, por ne jetojmë tani afër njëri-tjetrit dhe ne jemi të mendimit që të gjitha shtetet në Evropë mund të japin kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kontinentit tonë. Ne kemi ndjekur me vëmendje të madhe, edhe pa pasur marrëdhënie diplomatike, zhvillimet e vendit tuaj dhe përpjekjet tuaja për t’i dhënë një zhvillim modern vendit tuaj. Ne kemi pikpamje të ndryshme me njëri-tjetrin për sa i përket krijimit të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, por secili të vendosi për veten e vet.

Adil Çarçani: Sipas normave përkatëse ligjore e konstitucionale të secilit vend, por duke gjetur rrugët dhe format e përshtatshme e të pranueshme nga secili, ato norma të mos preken dhe bashkëpunimi ynë të zhvillohet në të gjitha drejtimet që ju parashtrova.

Dr.Hans Ditrih Gensher: Ne jemi për bashkëpunime dhe për garën paqësore.

Adil Çarçani: Pajtohem edhe në këtë mendim.

Dr.Hans Ditrih Gensher: Dëshiroj t’ju them që kjo gatishmëri për një bashkëpunim të gjerë nuk ekziston vetëm në udhëheqjen politike të vendit tonë. Por edhe në përfaqësuesit e ekonomisë dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Ashtu siç tha dhe ministri juaj i Jashtëm, ne duhet tani që këtë spontanitet ta shfrytëzojmë. Unë, para se të vija në vendin tuaj, u ndodha para pyetjes të vija tani në vendin tuaj apo ta shtyja udhëtimin përmë vonë. Ju e konstatuat, Zoti Kryetar, që mua më shoqëronte një grup i madh gazetarësh dhe mund t’ju them juve se shumë vende në botë do ta quanin veten të nderuar, në qoftë se do t’u shkonin kaq shumë gazetarë, por kurioziteti në shtypin tonë për vendin tuaj është i madh dhe ky është interesimi pozitiv që kanë ata. Unë gëzohem shumë që në opinionin tonë vizita ime këtu do të gjejë një jehonë të gjerë.

Adil Çarçani: Ua them sinqerisht e objektivisht se në opinionin tonë të brendshëm qysh me botimin e lajmit për vizitën tuaj ka pasur një jehonë të madhe dhe shumë pozitive. Është e mirë gjithashtu për të dyja palët që edhe në opinionin e jashtëm vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendeve tona ka gjetur një jehonë pozitive. Kjo tregon, pra, se ekzistojnë të gjithë faktorët objektivë për këtë zhvillim të mëtejshëm që thoni ju, me të cilin pajtohem plotësisht.

Dr.Hans Ditrih Gensher: Tani duhet të fillojmë punën sa më shpejt.

Adil Çarçani: Po, t’i konkretizojmë çështjet që biseduam sa më parë. Të pimë një dolli për miqësinë ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit të Republikës Federale Gjermane. Për bashkëpunimin dhe konkretizimin e të gjitha problemeve që trajtuam së bashku.

Dr.Hans Ditrih Gensher: Me këtë dolli bashkohem edhe unë me ju.

Adil Çarçani: Për shëndetin e Kancelarit tuaj! Për shëndetin tuaj dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tuaj!

(U pinë dollitë e para)

Ju falemninderit për sa më thatë, për të gjitha ato që folët e konsideratat që shprehët në adresë të popullit e të vendit tonë. Shpreh të njëjtat konsiderata simpatie në drejtim të popullit e të vendit tuaj, Republikës Federale Gjermane. Mora një suvenir të vogël, ju faleminderit shumë, do ta ruaj si kujtim të takimit tonë dhe si nxitje për zhvillimin e mëtejshëm dhe konkretizimin e bashkëpunimit të të dy vendeve tona në të gjitha drejtimet me interes të përbashkët.

Ju faleminderit

 

(Marrë me stenogram)

Burimi: Arkiva Qendrore e Shqipërisë

 

Sipas Deutsche Welle

“Enver Hoxha preferonte Gjermaninë”

Më 23 tetor 1987, Gensher vizitoi për herë të parë Tiranën për të kremtuar fillimin e marrëdhënieve diplomatike. Meritën kryesore për këtë akt e kishte pasur Franc Jozef Shtraus, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë tani se kohët e vështira kanë kaluar e se ka ardhur radha e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe “Më kanë ftuar të festoj së bashku me ta (shqiptarët) rezultatin përfundimtar të përpjekjeve të mia”, thotë Franc-Jozef Shtraus, asokohe kryeministër i landit të Bavarisë, në një intervistë dhënë Dojçe Veles, pikërisht më 23 tetor 1987 në Tiranë. E zhytur në një krizë të thellë ekzistenciale në vitin 1984, ekonomia shqiptare kishte nevojë për ndihmë. Në diskutim ishin ndihma nga Britania e Madhe dhe Franca. Por siç do të shpjegonte vite më vonë për mediat gjermane e shoqja e diktatorit komunist, Nexhmije Hoxha, kreu i atëhershëm zgjodhi Gjermaninë. “Gjermanët i respektojnë shqiptarët”, kishte thënë Enver Hoxha. Përveç kësaj ndihma do të mund justifikohej moralisht si dëmshpërblim për kohën e luftës. Kështu erdhi Franc-Jozef Shtraus në Tiranë, i pari politikan gjermanoperëndimor në një vizitë të ashtuquajtur private: “Kur unë shkova për herë të parë në Shqipëri në vitin 1984 si turist u përfshiva edhe në biseda politike. Arrita t’i bindja bashkëbiseduesit shqiptarë se marrëdhëniet diplomatike janë gjithmonë të dobishme, pavarësisht nga sistemet shoqërore”, kujtonte politikani kristiansocial. Argumentet e politikanit bavarez nuk ishin të reja për kreun shqiptar. Tiranës zyrtare rezulton t’i jetë bërë një ofertë me anë të kanaleve diplomatike të asaj kohe për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve. Por pengesë u bënë pretendimet e shpeshta të palës shqiptare për reparacionet e luftës, të cilat nga njëra anë qendronin, por nga ana tjetër ishin shumë të fryra”. Dy miliardë dollarë kërkonte fillimisht qeveria shqiptare ndaj RFGJ-së për dëmet e shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, nderkohe që ish-Bashkimi Sovjetik ishte shprehur i kenaqur me 13 miliardë dollarë, thotë Plaka më tej. Gjermania nga ana e vet i ofronte Shqipërisë kredi me kushte favorizuese, por këtë e ndalonte kushtetuta e RPSSH-së. Ecejake diplomatike nga te dyja palet shoqëruan edhe një vizitë të dyte (private) te Shtrausit ne Tiranë, ne vitin 1986. Shqipëria më në fund do të hiqte dorë nga qendrimi e saj dhe më 23 tetor 1987 do të vizitonte Tiranën ministri i parë i jashtëm i një shteti perëndimor, Hans Ditrih Gensher.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne