Vuajtjet e refugjatëve në ishullin grek Lesbos nuk kanë fund

Nuk kanë fund vuajtjet e refugjatëve të cilët me shpresën për një jetë më të mirë kanë ardhur në ishullin Lesbos të Greqisë duke marrë parasysh çdo vështirësi për shkak të luftës ose trazirave të brendshme që zhvillohen në vendet e tyre.

Refugjatët mbetën edhe njëherë pa shtëpi pas zjarrit që shpërtheu në pika të ndryshme rreth dy muaj më parë në Moria, kampin më të madh për refugjatët në vend i cili ndodhet në ishullin Lesbos. Refugjatët që u vendosën në një kamp të ri janë shprehur se kushtet aty nuk janë njerëzore.

Në Lesbos, ku numri i rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) është rritur me shpejtësi në ditët e fundit, higjiena ka një rëndësi të madhe, kryesisht për refugjatët që jetojnë në formën e grupeve të mëdha. Thuhet se ashtu sikurse në kampin Moria, edhe kampi i ri nuk mund të sigurojë as kushtet minimale të higjienës.

Refugjatët të cilët u detyruan të jetojnë nëpër rrugë, varreza dhe plazhe në zona të ndryshme të ishullit rreth një javë pas zjarrit, ankohen se në kampin e ri nuk ka tualete dhe banjo të mjaftueshme.

“Me kampin Moria u shkatërruan edhe momentet e mira dhe të këqija që kemi kaluar këtu”

Refugjatja 17-vjeçare nga Afganistani, Mina tha se para zjarrit ka jetuar bashkë me familjen e saj në kampin Moria. “Me kampin Moria u shkatërruan edhe momentet e mira dhe të këqija që kemi kaluar këtu”, tha ajo.

“Ishte një natë shumë e keqe, u frikësuam shumë. Rreth një javë jetuam në rrugë. Edhe kampi i ri është shumë keq. Nuk ka mjaftueshëm banjo dhe tualete. Të jetosh këtu është shumë e vështirë. Nuk kemi mundësi për të bërë banjo. Mendoni që një njeri nuk ka bërë banjo për një javë”, thotë Mina duke shtuar se të gjitha sendet janë bërë të papërdorshme nga zjarri.

Ndërsa afgani Muhammed pasi shpjegoi se zjarri i kapi në gjumë bashkë me familjen tha se “Dolëm jashtë pasi morën disa dokumente lidhur me aplikimin për azil dhe disa sende të rëndësisihme”.

“Qëdruam në rrugë deri në mëngjes para vendosjes në kampin e ri”

Duke treguar se shumë refugjatë u prekën nga tymi si pasojë e zjarrit, Muhammed tha se kanë qëndruar deri në mëngjes në rrugë të uritur dhe të etur deri para vendosjes në kampin e ri.

“Të paktën kemi një vend ku të strehohemi”, tha ai lidhur me kampin e ri. “Tashmë jemi shumë të mërzitur që na dërgojnë sa andej sa këtej. Kërkojmë një vend ku mund të jetojmë si njerëz”, tha Muhammed.

Kampi i refugjatëve Moria u bë i papërdorshëm si pasojë e zjarreve që shpërthyen në pika të ndryshme më 9 shtator.

Një pjesë e madhe e 12.500 refugjatëve, shumica afganë që qëndronin në kamp janë vendosur në kampin e ri që është ndërtuar në rajonin Kara Tepe. Pas zjarrit në ishull u shpall gjendje e jashtëzakonshme 4 mujore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne