Vucic: Brenda 3 muajve në bisedime me Kosovën, Kurti të bëjë qeveri me Listën Serbe

Serbia pret të rifillojë bisedimet me Kosovën brenda dy-tre muajve të ardhshëm, kështu është shprehur Presidenti serb Alexandar Vucic gjatë takimit me të Dërguarin e Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palemer, të cilit i ka theksuar nevojën që Lista Serbe të jetë në qeverinë e Albin Kurtit.

Zoti Palmer viziton Beogradin dy ditë pas Prishtinës. Përfaqësuesi i SHBA-ve u citua në shtyp të kishte thënë se “Serbia nuk do të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës”.

Sidoqoftë në Beograd Zoti Palmer nuk ka mbajtur një qëndrim të tillë. Përfaqësuesi i SHBA-ve foli për nevojën që BE-ja të ndryshojë qëndrim për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rishqyrtojë pozicionin për sa i përket hapjes së bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut:

“SHBA-të duan një rrugë drejt BE-së për Serbinë dhe ne do të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të ndihmuar”.

Presidenti serb Aleksandar Vucic shkroi në Facebook se “kishte ftuar Presidentin Donald Trump për vizitë në Serbi” dhe se e shihte këtë si një mundësi reale për “të fuqizuar marrëdhëniet mes dy shteteve”. Zoti Vucic theksoi se SHBA-të kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se gjatë takimit me Zotin Palmer, ai kishte pasur mundësinë për të treguar edhe njëherë qëndrimin serb në këtë çështje.

Për sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, Presidenti Vucic tha se me shumë siguri “brenda dy-tre muajve bisedimet do të vazhdojnë”. Këtu ai nënkuptoi se pas formimit të qeverisë së Albin Kurtit gjërat do të riktheheshin te dialogu, por pa treguar detaje.

Për sa i përket pritshmërive, Zoti Vucic cituohet nga gazeta Blic të ketë thënë:

“Serbia është gati për të biseduar dhe arritur zgjidhje të diskutueshme, por nuk do të pranojë turpërimin. Mbeta i befasuar nga fakti se (sipas raportimeve në Prishtinë) përfaqësuesi i SHBA-ve, Palmer, paska folur vetëm për detyrimet e Beogradit por nuk paska përmendur detyrimet e Prishtinës. Prisja që ai të ulte pritshmëritë dhe do të kishte udhëzuar zgjidhje me kompromis, nëse ideja është që për heqjen e taksave ne të njohim Kosovën, është qesharake që ne të bisedojmë, më duket shaka.”

Ndër të tjera, Vucic ka theksuar se në qeverinë e Kurtit duhet të jetë Lista Srpska, e cila fitoi 10 deputetë në zgjedhjet e fillim-tetorit.

Më parë Zoti Kurti e ka cilësuar Listën Srpska si jo të domosdoshme për të formuar qeverinë. Sipas tij Kushtetuta e Kosovës saktëson se “së paku një Ministër të jetë nga komuniteti serb” por jo që të vijë medoemos nga Lista Srpska./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne