Shqiperia

Xhafaj i kërkon FBI-së “agjent me kohë të plotë” në Shqipëri

Ditën e tretë, në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington, SHBA, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj u takua në selinë e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) me Zëvendësdrejtorin i FBI-së David L. Bowdich (në foto).

Në takim ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ekipi i Ministrisë dhe Policisë së Shtetit që i shoqëron.

Një sërë dokumentesh analitikë dhe informues mbi luftën kundër krimit të organizuar, drogave përfshi kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, korrupsionin, radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm u ndanë me përfaqësuesit e lartë të FBI – njofton Ministria.

Në këtë takim, u parashtrua kërkesa e Ministrit të Brendshëm për dërgimin në Shqipëri të një agjenti me kohë të plotë nga FBI-ja, për të asistuar strukturat e hetimit në Polici.

Zëvendësdrejtori i FBI-së, z.Bowdichu shpreh se e sheh kërkesën pozitivisht dhe “do ta diskutojë për të vlerësuar mundësitë konkrete të realizimit të saj” – sipas njoftimit zyrtar mbi takimin.

Në përfundim, ministri i Brendshëm e ftoi Bowdich të vizitonte Tiranën, ftesë të cilën ai e pranoi.

OPINIONE

INTERVISTA