Bota

Zarif: Do t’i paraqes Presidentit Erdogan raportin e takimit me Assadin

Javad Zarif iu përgjigj interesit të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij turk, Mevlut Çavusoglu, pas takimit të zhvilluar ndërmjet tyre në Rezidencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ankara.

I pyetur nëse ka sjellë apo jo ndonjë mesazh për Turqinë nga takimi i tij me Assadin në Siri, shefi i diplomacisë iraniane u përgjigj me këto fjalë: “Në Siri kam zhvilluar një bisedë shumë të gjatë me Bashar al-Assadin. Një raport të këtij takimi do t‘ia paraqes Presidentit Recep Tayyip Erdogan.”

Duke theksuar se Irani dëshiron që vendet e rajonit të kenë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, Zarif tha se Teherani nuk ndërhyn në punët e brendshme apo në marrëdhëniet ndërkombëtare të shteteve të tjera, por vetëm u shpreh atyre dëshirat e tij.

Ai tha gjithashtu se vazhdojnë dialogun me Rusinë, Turqinë dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Komisionin Kushtetues, i cili planifikohet të formohet në kuadër të procesit të zgjidhjes politike në Siri, ndërsa vuri në pah se pala e regjimit ka biseduar në mënyrë të detajuar për këtë çështje me përfaqësuesin special të OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen.

“E nevojshme është gjithashtu që të zgjidhen çështjet se kush do të jenë anëtarët e Komisionit Kushtetues dhe se cilat procedura e parime do të dominojnë në këtë komision”, nënvizoi Zarif duke shtuar se mbledhja e ardhshme e Procesit të Astanës do të zhvillohet gjatë ditëve të ardhshme në kryeqytetin Nur Sultan të Kazakistanit dhe se shpresojnë që ta çojnë procesin një hap më tej.

Kryediplomati iranian ka potencuar se kuptojnë shumë mirë shqetësimet e Turqisë në lidhje me kërcënim ndaj saj dhe se mënyra më efektive për të garantuar sigurinë në Siri është vendosja e dominimit të ushtrisë në kufij.

“Qetësia dhe siguria e popullit turk është shumë e rëndësishme për ne. Kemi një bashkëpunim shumë serioz në këtë çështje”, përfundoi Zarif./ trt

OPINIONE