Zbulohet prapaskena e anulimit të marrëveshjes për shelfin detar Greqi-Shqipëri në 2009, pas jehonës që shkaktoi në rajonin mesdhetar ratifikimi i marrëveshjes së AOZ mes Greqisë dhe Italisë. Me një artikull me titull “Admirali Cihat Yaycı paralajmëron për marrëveshjen Itali-Greqi!” gazetarja turke Cubra Par i referohet gazetës “Haberturk” në historikun e përcaktimit të shelfit detar në detin Jon dhe Mesdhe, ndërsa zbulon se ishte pikërisht pala turke që ka ndikuar në palën shqiptare për detajet e dëmshme që kishte marrëveshja e vitit 2009, e cila në vijim u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Padyshim që ky artikull e sidomos pohimi se anulimi i paktit mjaft të rëndësishëm, me kosto të lartë në marrëdhëniet bilaterale të dy vendeve fqinj, ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të redaktorëve diplomatikë me eksperiencë të gjatë në Greqi, e konkretisht, gazetari i njohur Nikos Meletis ka publikuar një analizë të situatës, në gazetën elektronike “Liberal.gr” dhe në “Hellas Journal”.
Admirali turk tashmë në pension Cihat Yayci, njëkohësisht themelues i lëvizjes “Atdheu i Kaltër” ka qenë ndër personalitetet kryesorë, me njohuri e ndikim të thellë në çështjet e shelfit detar, si dhe ka shkruar disa libra për këtë çështje. Në intervistën për “Haberturk” referohet me detaje si në marrëveshjen e suksesshme siç e konsideron, të Turqisë me Libinë, ashtu dhe në “rreziqet” që parashtron për Turqinë e Shqipërinë, marrëveshja e fundit mes Greqisë e Italisë. Paralelisht thekson se Turqia, në çdo rast, duhet të tregojë epërsi diplomatike bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe jo forcë ushtarake.
Duke u referuar në marrëveshjen Greqi-Itali, e konsideron gurin e themelit për përcaktimin e plotë të zonave ekonomike eksluzive greke, në gjithë shelfin detar, duke i sugjeruar palës turke të bazohet në debatin me qeverinë aktuale greke të Nikos Kotzias, ish-ministër i Jashtëm me qeverinë Tsipras, në lidhje me ishujt Diapontias në veri të detit Jon, konkretisht një pohim që sipas tij vetë Kotzias ka bërë publikisht e që duhet përdorur si “armë” nga diplomacia turke.