Zgjedhjet amerikane: Pronari i vdekur i një bordelloje zgjidhet përfaqësues i Nevadës

Votuesit në Nevada, tradicionalisht simpatizuesit e republikanëve, në zgjedhjet e djeshme ia kanë dhënë fitoren kandidatit i cili më nuk është në mes të gjallëve, por se gjatë jetës ka qenë i akuzuar për përdhunim, mirëpo kjo nuk është e tëra. I ndjeri Dennis Hof ishte pronar i disa bordellove.Hof, i cili ishte gjetur i vdekur muajin e kaluar, ka marrë përkrahjen e 63 për qind të votuesve në njësinë e tij zgjedhore për kuvendin e Nevadës.

Pasi fletëvotimet në momentin e vdekjes së tij tashmë ishin shtypur, nuk ishte e mundur që ai të tërhiqet nga zgjedhjet.

Vendi i tij i deputetit tani konsiderohet si i zbrazët prandaj komisioni i posaçëm  nga kjo njësi zgjedhore do ta caktojë trashëgimtarin e tij.

Fushatën e Hofit e kanë përcjellë shpalljet e mëdha në të cilat kandidati republikan premton heqje të tatimeve dhe mbrojtje të drejtës për posedim të armëve.

Kandidati tashmë i ndjerë shpesh e ka quajtur veten si “Trump nga Pahrumpi” (qytet në Nevada). Mediet amerikane shkruajnë se dy ish punëtore të tij e kanë akuzuar për abuzim seksual dhe përdhunim për çka ekzistojnë edhe dosjet policore. Hof i ka përgënjeshtruar të gjitha këto akuza.

Pronari i pasur i një zinxhiri të bordeleve ka vdekur më 16 tetor në një prej “Fermave të dashurisë”, ku një mbrëmje më herët e kishte festuar ditëlindjen e 72 në një festë të madhe.

Festën e kishte vazhduar në një nga bordelet e tij me reperin dhe yllin e reality show Flower Flow dhe ish porno aktorin Ron Jeremy, i cili mëngjesin e ardhshëm e kishte gjetur të vdekur.

Hof ka vdekur në apartamentin e njëjtë të “Fermës së dashurisë” në të cilin në tetor 2015 ishte mbidozuar Lamar Odom, ish ylli NBA dhe bashkëshorti i dikurshëm i Khloe Kardashian, shkruan “New Yorker”. Odom një kohë ka qenë në komë, por ka mbijetuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne