Shqiperia

Zhdukin kartelat e pronësisë, kallëzohen penalisht 2 punonjës së hipotekës në Korçë

Në Korçë kryeregjistruesi ka shkarkuar dhe ka çuar për ndjekje penale dy punonjës të ZVRPP.  Mësohet se dy specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, me inicialet E. G., dhe A. P., janë shkarkuar nga detyra dhe ndaj tyre është depozituar kallëzimi penal pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Kryeregjistruesi Elion Semanaj ka firmosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës për dy specialistët, pasi sipas këtij institucioni është verifikuar se në bashkëpunim kanë zhdukur dy kartela pronësie. Menjëherë është ngritur një grup pune dhe është kërkuar një hetim i brendshëm i institucionit. Në këto kushte, janë kontrolluar kamerat e sigurisë së institucionit dhe është evidentuar se dy punonjësit e zyrës, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në këtë vepër penale.

“Në këto kushte flagrance, kryeregjistruesi firmosi shkarkimin e tyre dhe nisjen e procedurave për depozitimin e kallëzimit penal ndaj dy punonjësve të ZVRPP në Korçë. Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të vijojë të verifikojë çdo ankesë të qytetarëve për shërbimet që ofrohen pranë sporteleve të saj dhe do të godasë çdo rast abuzimi me detyrën apo më keq korruptiv nga punonjës të papërgjegjshëm të saj.”, thuhet në njoftim.