Opinion

Zhgënjim: Shkencëtarët britanikë vihen nën presion që të lidhin origjinën e gazit nervor me Rusinë

“Është një propagandë e formuluar me kujdes, e një lloji te zhvilluar nga gënjeshtarët”

Autori ka qenë ish diplomat dhe ambasador i lartë anglez në Uzbekistan.

nga Craig Murray.

Tani kam marrë konfirmim nga një burim i saktë brenda FCO-së (Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe) se shkencëtarët në Porton Down (Laboratori Shkencor i Ministrisë së Mbrojtjes) nuk janë në gjendje që ta identifikojnë gazin nervor si të prodhuar në Rusi dhe janë indinjuar tej mase nga presioni i vënë mbi ta për ta bërë këtë.

Porton Down thjesht firmosi për një formulim “të një lloji të zhvilluar në Rusi” pas një takimi mjaft të vështirë, në të cilin u ra dakord mbi këtë formulim kompromisi. Rusët dyshohet se kanë bërë kërkime në programin “Novichok”, një gjeneratë agjentësh nervorë të cilët mund të prodhohen nga elementë të disponueshëm të tregut, si insekticide dhe fertilizatorë. Në këtë sens substanca është një “novichok”. Është e atij lloji. Ashtu sikurse ky kompjuter portativ në të cilin po shkruaj, i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, por që është i prodhuar në Kinë.

Kjo ka qenë e qartë për shumë ditë. Qeveria asnjëherë nuk ka thënë se agjenti nervor është bërë në Rusi, ose se mund të bëhet vetëm në Rusi. Formulimi i saktë i shprehjes “i një lloji të zhvilluar në Rusi” u përdor vetëm nga Theresa May në parlament, u përdor pastaj nga Britania e Madhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e përdori edhe Boris Johnson në BBC. Shprehja “e një lloji të zhvilluar në Rusi” po përdoret tani edhe në komunikatat e përbashkëta të lëshuara nga Britania e Madhe, SHBA, Franca dhe Gjermania: Përdorimi i një agjenti nervor ushtarak, i një lloji të zhvilluar në Rusi, përbën sulmin e parë në Europë me një agjent nervor që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kur të njëjtat formulime fjalësh tejet të kujdesshme nuk ndryshohen asnjëherë, duhet ta dini se është rezultat i një kompromisi shumë delikat nga qeveria. Edhe une si pjesëtar i dikurshem i FCO-së, kujtoj presionin e jashtëzakonshëm të vënë mbi stafin e FCO-së dhe nëpunësve e tjerë civilë për të nënshkruar dosjet e pista të Armëve të Shkatërrimit në Masë (WMD) të Irakut, presione të cilat i sillja përsëri në kujtesën time kur isha në Samarkand. Kujtesa ime më ka ndihmuar që të bëj krahasimin me atë që po ndodh tani, veçanërisht në Porton Down.

Më vete i kam shkruar zyrës së Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) për ti kërkuar që të bëjnë konfirmimin se asnjëherë nuk ka pasur prova fizike për ekzistencën e Novichokut rus dhe se programi i inspektimit dhe shkatërrimit të armëve kimike të Rusisë u krye vitin e kaluar.

A njihni këto fakte interesante?

Inspektorët e OPCW-së kanë pasur akses të plotë në të gjitha objektet e njohura të armëve kimike të Rusisë për më shumë se një dekadë, duke përfshirë edhe ato të dyshuara për elementin “Novichok”, të identifikuara nga Mirzayanovi. Inspektorët e OPCW-së e përfunduan shkatërrimin e fundit të 40,000 ton armëve kimike ruse vitin e kaluar

Në të kundërt, programi i shkatërrimit të stoqeve të armëve kimike amerikane ka ende edhe pesë vjet të tjera për të vazhduar.

Izraeli ka rezerva të mëdha të armëve kimike, por gjithmonë ka refuzuar të deklarojë ndonjë prej tyre në OPCW. Izraeli nuk është palë shtetërore në Konventën e Armëve Kimike dhe as që është anëtar i OPCW-së. Izraeli bëri një marrëveshje për të nënshkruar në vitin 1993, por refuzoi ta ratifikonte, pasi kjo do të nënkuptonte inspektimin dhe shkatërrimin e armëve kimike. Padyshim që Izraeli ka aq kapacitet teknik sa çdo shtet për të prodhuar “Novichok”.

Deri këtë javë, besimi i përhershëm universal midis ekspertëve të armëve kimike dhe pozicionit zyrtar të OPCW-së ishte se “Novichok” më së shumti ishte një program kërkimi teorik, të cilin rusët asnjëherë nuk kishin arritur ta sintetizonin dhe prodhonin. Kjo është edhe arsyeja pse ata nuk janë në listën e OPCW-së të armëve kimike të ndaluara.

Akoma Porton Down nuk është i sigurt se ata që e kanë sintetizuar, përpunuar dhe prodhuar “Novichokun” janë rusët.
Shprehja “e një lloji të zhvilluar nga Rusia”, është një propagandë e formuluar me kujdes, e një lloji te zhvilluar nga gënjeshtarët./russia-insider/Gazeta Impakt