10 teza paraprake mbi Trump

Ian Alan Paul

1. Pushteti i Trumpit është kryesisht virtual në formën e tij.

Propozo këtë, sugjero atë, gënje për të djeshmen, deklaro se është e pashmangshme ajo çka ende s’ka ndodhur, tërhiqu prej një pozicioni duke përparuar tek dy të tjerë, kundërshto vetveten, lësho cicërima në twitter sa më shumë mbi çdo gjë arbitrare, sulmo, provoko, shtiru se po lëviz diçka, zgjero interpretimet, riprodho zhurmën, turbullo ujërat, errësoje parashikueshmërinë në mjegullat e dendura të së mundshmes. Pushteti i Trumpit nuk lind prej ndonjë akti të vetëm, por prej shumëfishimit të akteve të mundshme.

2. Të mbrosh të vërtetën përballë Trumpit do të thotë të mos e kuptosh hiç se cila është fushëbeteja.

Gazetarët e po ashtu politikanët janë të paaftë për të bërë ndonjë qëndresë, kundërshtim a ballafaqim kuptimplotë ndaj Trumpit sepse ata i aviten atij si diçka singulare e konsistente, ndërsa ai në fakt vepron në mënyra të shumëfishta, dhe kaotikisht. Ata synojnë që ta sjellin bisedën tek diçka që aktualisht ekziston, ndërsa Trumpi tashmë është arratisur prej vendit të atyshëm e prej kohës së tashme, dhe mendja e tij fluturon tek gjërat që mund të jenë, e jo tek ato që janë. Ndërkohë që të gjithë punojnë që të ruajnë ndonjë shtresë të brishtë të së vërtetës, Trumpi ka lëvizur tek pallati i tij i artë i ndërtuar mbi themelet e shndritshme të bëra me “çka nëse?”.

3. Trumpi përpunon atë që është e imagjinueshme, e lejueshme, dhe si pasojë e mundshme të bëhet prej së djathtës, e kjo do të shumohet në çdo drejtim e në çdo kah.

Në fund të një autobusi, si një nxënës i vogël në ndonjë shkollë, Trumpi mezi e përmbante qejfin e vet teksa përshkruante se si është në gjendje “t’i kapë gratë prej pidhi”. Fjalët që dikur vetëm mund të pëshpëriteshin pa zë, tashmë nisin të shfaqen në bisedat e përditshme, madje me një farë mburrjeje të rrezikshme. Djem të rinj nëpër kolegje kanë nisur të ankohen për gjenocid ndaj të bardhëve. Në dyert e stallave kanë nisur të shfaqen svastika të vizatuara me sprej. Një familje ulet të hajë drekë me pushkë të forta sulmi të ngjeshur në supet e secilit pjesëtar. E djathta pasi që më në fund e gjeti veten të çliruar prej korrektesës politike liberale, ndjenjës së fajësisë të të bardhëve, kriticizmit akademik, raportimit mediatik dhe çdo lloj hetimi përgjithësisht, tashmë është e lirë të vazhdojë të ëndërrojë lindjen e botëve të reja që i përngjajnë botëve të vjetra imagjinare.

4. E majta, duke parandjerë fashizmin në horizont, është tërhequr në mbrojtje të një demokracie liberale të prodhuar prej halucinacioneve të etheve të së tashmes.

Mos e lejo normalizimin e kësaj! Hulumto për lidhjet me Rusinë! Organizohu për zgjedhjet “midterms”! Nisja procesit për “impeachment”! Hiq dorë prej taksave! Kushtetuta duhet mbrojtur me çdo kusht! Këto po bëhen thirjet e betejës të një të majte liberale që gjen ngushëllim veç tek një e shkuar e pakompromentuar, që sigurisht është veç fantazi dhe është thjesht pasqyrimi simetrik i fantazisë së djathtë për “Amerikën tradicionale”. Fantazia e së shkuarës për të majtën është një Amerikë pa Guantanamo Bay. Një Amerikë që s’ka dërguar kurrë dronë për të vrarë njerëz. Një Amerikë ku nuk ka pasur vrasje të të pafajshmëve prej policisë. Një demokraci amerikane që gjithnjë e më shumë i afrohet drejtësisë. Një Amerikë që nuk ekziston. Nën hijen e tmerrshme të virtualitetit të Trumpit, e majta kërkon të gjejë shpresë e siguri tek të njëjtat institucione që e mundësuan ardhjen e tij.

5. Virtualiteti i Trumpit është virtualitet i kapitalit.

Trumpi është fytyra e rebelimit neoliberal kundër forcave liberale, të cilat më përpara vazhdimisht janë përpjekur ta zbusin, ta ngadalësojnë, ta bëjnë njerëzor dhe ta menaxhojnë kapitalizmin. Ai është tehu i mprehtë, kreshta e kreshpëruar e një vale deterritorializimesh, është fytyra kozmetike e kapitalit global. Ai është infeksioni i krehur me kujdes që do ta sjellë krizen e kapitalit prej jugut të globit, ku është lënë të zieje deri tani, në veri të globit. Për Trumpin dhe për kapitalin, kufijtë ekzistojnë veç për t’u shkelur, suksesi do të thotë sukses me çdo kusht, dhe çdo gjë që ekziston ekziston veç për t’u marrë prej atyre që kanë mjaftueshëm guxim e mençuri për t’ia dalë mbanë. Nuk është kurrë çështja se a është e mundshme diçka, por se çfarë ligji duhet shkelur që që ajo të bëhet e mundur.

6. Kanë për të mbetur veç ato pjesë të shtetit që janë të domosdoshme për të ruajtur pasurinë.

Policia dhe ushtria do të bëhen gjithnjë e më të padallueshme, dhe do të gjejnë mbështetje buxhetore, ndërsa të tjerat do të masakrohen, do të priten, do të lihen të kalben në nxehtësinë e temperaturave globale që po rriten shumë shpejt. Ndërkohë që kapitali do t’i rrisë masat e sigurisë, gjithçka do të bëhet më e pasigurt. Kur gjithçka bëhet pronë e dikujt, thjesht të qenit i gjallë nënkupton shkelje ligji, e ndërkohë që të pasurit grumbullojnë shuma pamundësisht të mëdha parash, do shohin se s’do ketë mbetur më asnjë vend i sigurt për ta mbajtur atë pasuri. Dallimi mes politikës dhe luftës, nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë dallim të tillë, do të bëhet gjithnjë e më i padukshëm, mjegulluar prej reve të gazit lotsjellës që do të rrinë vazhdimisht në qiejt rreth qendrave financiare.

7. Forcat riterritorializuese të kapitalit nuk po munden të avancojnë me të njëjtin hap si forcat deterritorializuese, gjë që pashmangshmërisht do të çojë në intensifikim të krizës së kapitalit.

Forca disiplinore e burgjeve, spitaleve, shkollave, postblloqeve dhe gardhimit kufitar nuk mund të bëjnë ndonjë gjë të madhe për të parandaluar revoltat apo valët e reja të emigrantëve e të refugjatëve. Degëve të mbyllura të bankave në Athinë u është vënë flaka, ndërsa Deti Mesdhe e Shkretëtira e Arizonës po bëhen varreza gjithnjë e më masive. Tregjet shkatërrohen brenda sekondit, sapo që algoritmet zbulojnë diçka që njeriu nuk mundet ta shohë. Korporatat e energjisë, të cilat pa u ndalur lobojnë kundër ligjeve për mbrojtjen e mjedisit, në të njëjtën kohë bëjnë thirrje që të merren masa ndaj ndryshimeve klimatike. Lumenjtë e çliruar prej ekonomisë globale po i thyejnë digat e atyre që duhet të përfitonin prej tyre, dhe edhe ata lart shpeshherë përfundojnë poshtë, tek fushat e përmbytura. Mundësia e të resë kërcënon me zhdukje jetën në të tashmen.

8. Ndërsa realiteti jetësor bëhet gjithnjë e më i pasigurt e i padurueshëm, jeta do të ketë nevojë për gjithnjë e më shumë ndërmjetësim që të mund të administrohet.

Imazhet do të përshpejtohen dhe do të shumëfishohen në përmasa që më përpara nuk përfytyroheshin si të mundura. “Pepe thë Frog” do të risillet, do të riinterpretohet, do të rifotografohet dhe do të ripublikohet në rrjet prej çdo rryme e çdo fraksioni politik, ndërsa videot e Richard Spencerit teksa grushtohet nga një militant i Black Bloc, do të sinkronizohen me çdo këngë që do të dalë në hit-parade Top 100, dhe do të publikohet në playlist-a në youtube. Konferencat për shtyp të presidentit do të shoqërohen me tinguj duartrokitjesh, ndërsa drejtorët e rrjeteve sociale do të përgatiten që të bëhen politikanë. Cilido do ta ripublikojë cicërimën e Trumpit në twitter, dhe Trumpi do ta publikojë cicërimën e cilitdo. Shkrues nga Evropa Lindore do të prodhojnë lajme për portale në Meksikë që të kundërshtojnë marrëveshjet tregtare me Kinën. Gjithçka do të bëhet më e dukshme e më pak e dallueshme ndërkohë që thellimi i varfërisë në realitet kompensohet prej formave gjithnjë e më të sofistikuara të medias.

9. Kur e tashmja të ketë hyrë në fazën e shpërbërjes formale të vetvetes, virtualiteti i Trumpit doemos do të bëhet edhe yni.

Ndërsa jeta këtu e tash do të bëhet gjithnjë e më e pamundur, atëherë secili do të duhet të gjejë se çka do të mund të bëjë me vetveten. Ndonjëherë kjo do të jetë thjesht shpallje, si fantazi e pastër: në ëndrrën amerikane, tek rrokaqiejt e shndritshëm që pa e vrarë mendjen e me plot hijeshi qëndrojnë përmbi kaosin këtu poshtë, ose ndonjë komunë rurale diku në hapësirë, ose në spektaklin e realitetit “The Apprentice”, ose kthim në bjeshkë e në pyje për të jetuar me bishat. Këto gjëra do t’i mbushin mendjet e atyre që duan të mbijetojnë. Ndonjëherë tjetër kjo do të shfaqet si eksperimentim radikal në rrugë, që do të çojë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me trupat e Trumpit. Sido që të shkojë, e tashmja do të përmbytet prej shumë versioneve të ndryshme të asaj çka do të duhej të ishte e mundur në vend të saj.

10. Kriza aktuale e cila virtualisht është ndezur prej Trumpit duhet të takohet me një krizë tonën, të bërë nga ne.

Ndërsa gjërat gjithnjë e më shumë shpërbëhen, nuk do të jetë më e mundur të ribëhet ajo që u zhbë. Të braktisur në një botë pa kufij e pa kuptim, një vend ku vetë mundësia e jetës është kërcënuar prej mundësive zhvillimore të kapitalizmit, e vetmja mënyrë për të dalë prej saj është që të nisë një krizë e një lloji tjetër, një krizë që vendos përpara një regjistër thelbësisht të ndryshëm të asaj çka është potencialja. Tek shpikja lojcake e repertorëve të rinj, tek themelimi i kolektiviteteve të reja, tek eksperimentimi me praktika të reja të jetesë, ndoshta tek diçka krejt tjetër mund të lindë diçka e ndryshme. Në vitet në vijim do të jetë detyra jonë të bëjmë të mundur atë që s’është e mundur nën kapitalizëm./ rreth

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne