Ka mjaftuar vetëm një dokument tre-faqësh i falsifikuar e disa gjyqtarë të korruptuar dhe gati tre mijë hektarë buzë detit u janë dhënë trashëgimtarëve të pronarëve falsë.Dikujt kjo tokë i mori jetën, ndërkohë jetët e të tjerëve janë në rrezik, ndërsa përplasjet kriminale për këtë tokë vazhdojnë.Bëhet fjalë për tokën bregdetare pranë Gjirit të Lalzit, në fshatin Rrushkull të Sukthit—një nga pronat më të lakmuara në Shqipëri, një pjesë e së cilës është rezervat natyror i mbrojtur nga shteti.

Tre gjyqtarë të gjykatës së Durrësit dhe katër të Gjykatës së Lartë, të larguar nga vetingu për mosjustifikim pasurie, me disa procese rekord për nga shpejtësia ua kanë njohur këtë pasuri pasardhësve të disa njerëzve që nuk kanë qenë kurrë pronarë të tokës.

Edhe kur u vërtetua falsifikimi, gjyqtarë të tjerë refuzuan të pranojnë ekspertizat shkencore të prokurorisë. Ndërkohë, me ose pa dashje, qeveria vazhdon të tregohet e pafuqishme për të mbrojtur pronën e saj dhe pasurinë publike të shqiptarëve.

Kjo është një histori e gjatë grabitjeje, që zgjat prej 100 vjetësh, që në fillimet e shtetit shqiptar.

Emisioni BoomTV Ora hodhi ditët e fundit, për herë të parë, dritë publike mbi këtë aferë, që i ngjan një seriali pambarim me intriga dhe krime. Në ketë raportim ne po risjellim faktet kryesore të kësaj historie.

Vendndodhja e përafërt e tokës së pretenduar

Përvetësimi i tokës nga shteti 100 vjet më parë

Gjatë sundimit osman, dy prona në Rrushkull të Sukthit, të njohura si Çifliku i Rrushkullit dhe Çifliku i Ri, ishin në pronësi të Sulltanit. Nga mesi i viteve 1860 deri më 1912, pronat, kryesisht moçalishte dhe pyll, ishin marrë në përdorim me qira nga administrata osmane prej tre personave, mes të cilëve një person i quajtur Konstantin Shallvari.

Në vitin 1886, të drejtën e shfrytëzimit me qira të këtyre pronave shtetërore e morën me ndërrim tre djemtë e Konstantinit, njëri prej të cilëve ishte Miltjadh Shallvari.

Më 1912, me shpalljen e Pavarësisë, të gjitha pronat e Sulltanit kaluan në pronësinë e shtetit të sapokrijuar shqiptar. Që në vitet e para të saj, administrata shqiptare filloi ndërtimin e kadastrës, duke identifikuar dhe regjistruar të gjitha pronat në vend.

Procesi u shoqërua me abuzime dhe përvetësime të shumë pronave, që duhet t’i takonin shtetit. Në kushtet e mungesës së një qeverie efikase, shumë individë regjistruan, përmes mashtrimit apo falsifikimit, prona që më parë nuk ishin të tyret.

Ky dokument i vitit 1931 i qeverisë së Pandeli Evangjelit tregon përmasat e mëdha të grabitjes së tokave, sidomos në zonën e Durrësit. Kjo e detyroi këtë qeveri të niste një proces për verifikimin e pronave në bazë të regjistrave të Perandorisë Osmane dhe të ngrinte një komision qeveritar për zbulimin e grabitjeve të tokave shtetërore.

Tokat në Rrushkull janë një nga rastet më flagrante të grabitjes së tokave pas Pavarësisë. Në vitin 1919, me një copë letër-deklaratë të pleqësisë së fshatit Rrushkull, Miltjadh Shallvari regjistroi si prona të tijat dy çifligjet që kishte pasur në përdorim me qira, si dhe disa toka të tjera kufitare me to.

Sipas ligjit, regjistrimi i pronave në kadastër mund të bëhej vetëm me anë të tapive origjinale në osmanisht, por Shallvari nuk kishte tapi të tilla, ndaj regjistrimi me një deklaratë pleqësie ishte i paligjshëm.

Ky përvetësim u zbulua më vonë nga Zyra e Kadastrës së Durrësit, e cila në qershor 1928 i kërkoi Ministrisë së Financave të hetonte pronat e Shallvarit dhe të merrte masat që ato t’i ktheheshin shtetit.

Të njëjtin shqetësim ngriti më 1931 Nën-Prefekti i Shijakut, i cili i kërkoi Ministrisë së Brendshme, gjithashtu, të verifikonte pronat e grabitura. Kontrollori i Pasurive Shtetërore, që bëri verifikimin e pronave të Shallvarit, arriti në përfundimin se ai jo vetëm i kishte regjistruar ato pa pasur tapi të mëparshme, por kishte zmadhuar sipërfaqen e dy çifligjeve në një mijë (1000) hektarë, duke i shtyrë kufijtë e tyre deri buzë detit—të gjitha veprime të paligjshme.

Siç shihet në faksimilet më poshtë, Kontrollori i rekomandoi qeverisë mbretërore të fillonte procedurat gjyqësore kundër Shallvarit për të rimarrë tokat që i takonin shtetit. Megjithatë, nuk dihet se pse, administrata e Zogut nuk e paditi Shallvarin, dhe pronat e grabitura mbetën padrejtësisht në emër të tij.

Faksimile të dokumenteve shtetërore që vërtetojnë tjetërsimin e pronave shtetërore nga Miltjadh Shallvari

 

Kush ishte Miltjadh Shallvari?

Miltjadh Shallvari është një personazh për të cilin ka fare pak informacion. Dihet se ai ka lindur më 1868 në Trieste, dhe se ka jetuar gjithë jetën në Itali. Po kështu edhe dy vëllëzerit e tij, Perikli dhe Nikollaq Shallvari—ky i fundit madje ka shërbyer deri edhe nënkolonel në ushtrinë italiane.

Miltjadhi, i njohur në Itali me emrin Miltiade Salvari, ishte i martuar me një italo-kroate të quajtur Maria Llubica. Në vitin 1911, në Milano, atyre  u pati lindur një vajzë, të cilën e patën quajtur Edita. Miltjadhi vajzën e regjistroi edhe në Shqipëri me emrin Ariadhni Shallvari. Megjithatë, as vajza dhe as gruaja e tij nuk e vizituan kurrë Shqipërinë.

Vetë Shallvari fliste pak shqip dhe lidhjet e tij me Shqipërinë ishin të pakta. Edhe tokat që ai përvetësoi në Sukth nuk i përdori asnjëherë vetë, por ua dha në përdorim të tjerëve.

Kështu, në maj 1929, ai ua dha ato me qira për 20 vjet dy nënshtetasve italianë, të cilët morën përsipër bonifikimin dhe kthimin e tyre nga moçalishte në tokë bujqësore.

Katër ditë pas kontratës së qirasë, po në maj 1929, Miltjadh Shallvari hartoi një testament, para një ndihmës-gjyqtari me detyrën e noterit në gjykatën civile të Durrësit. Dëshmitarë në hartimin e testamentit ishin katër persona, dy nga të cilët ishin sipërmarrësit italianë, që sapo kishin marrë me qira pronën e tij, dhe një përkthyes nga italishtja.

Testamenti, i hartuar në italisht, i nënshkruar nga dëshmitarët dhe i noterizuar, u depozitua në zarf të vulosur pranë gjykatës civile të Durrësit.

Pas këtyre dy veprimeve, Shallvari u kthye në Itali dhe nuk erdhi më në Shqipëri deri sa vdiq në një spital të Triestes, në maj 1933, në moshën 65-vjeçare.

Pesë muaj pas vdekjes, me kërkesë të një personi me emrin Jorgji Veveçka, testamenti i tij u hap publikisht nga një gjyqtar i gjykatës së Durrësit, në praninë e vetë kërkuesit, të dy dëshmitarëve, të një noteri dhe të një përkthyesi nga italishtja. Proces-verbali i hapjes së testamentit konfirmon se dokumenti u gjet i rregullt dhe i vlefshëm.

Me testament, Miltjadh Shallvari ia kishte lënë trashëgimi të gjitha pronat e tij gruas së tij italiane, Maria Llubica. Si trashëgimtare e vetme, Maria Llubica i regjistroi pronat në emër të saj në Kadastrën e Durrësit në vitin 1940.

Menjëherë pas regjistrimit, ajo ia dha ato me qira, me amfiteozë, për 99 vjet një kompanie italiane të quajtur E.E.I.A., e cila bleu edhe detyrimet e kontratës me dy qiramarrësit e mëparshëm italianë.

Kompania E.E.I.A., e cila sipas kontratës gëzonte çdo të drejtë mbi pronën, e ktheu tokën në një fermë pjellore dhe vazhdoi ta ushtronte pronësinë deri në vitin 1943, kur tokat e saj u sekuestruan me ligj nga qeveria e kohës.

Të gjitha veprimet janë bërë me dokumente të rregullta gjyqësore dhe hipotekore dhe janë në arkivën e shtetit.

 

Përpjekjet për t’ia marrë pronat gruas së Shallvarit

Pas vdekjes së Miltjadh Shallvarit filluan përpjekje për të përvetësuar pronën, të cilën vetë ai e kishte përvetësuar më parë nga shteti.

Më këmbëngulësi ishte një rrobaqepës i varfër me banim në Tiranë, i quajtur Jorgji Veveçka. Për të dhe origjinën e tij nuk dihet asgjë, por dokumentat e kohës dëshmojnë se ai gëzonte statusin zyrtar të të vobektit. Me gjasa, ai mund të ketë qenë rrobaqepës që i ka shërbyer Miltjadh Shallvarit.

Menjëherë pas vdekjes së Shallvarit, Veveçka filloi përpjekjet për t’u shpallur trashëgimtar i tij. Ishte Veveçka ai që kërkoi hapjen e testamentit të Shallvarit dhe filloi të zhbironte të gjitha të dhënat e pronave të Shallvarit.

Veveçka pretendoi se ishte nipi i Miltjadh Shallvarit—djali i motrës së tij. Nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që të mbështesë këtë pretendim dhe të tregojë se tre vëllezërit Shallvari, që lindën dhe jetuan në Itali, kishin një motër në Shqipëri. Vetë Veveçka nuk paraqiti asnjëherë ndonjë provë të lidhjes së të ëmës me Shallvarët.

Në vitin 1934, Veveçka së bashku me një motër të tij, të quajtur Sofia Kolea, bënë një kërkesë në gjykatën civile të Durrësit për t’u njohur si trashëgimtarë të Shallvarit. Për mungesë provash, gjykata e atëhershme nuk e mori në shqyrtim kërkesën e tyre, pasi Veveçka nuk paraqiti dokumente, që të vërtetonte lidhjen e tij me Shallvarët.

Përkundrazi, disa nga pretendimet e Veveçkës ishin haptazi të gënjeshtërta. Për shembull, në këtë kërkesë ai pretendon se është trashëgimtar i Miltjadh Shallvarit, për shkak se ky i fundit ka vdekur pa lënë fëmijë. Kjo  do të thotë se ose Veveçka nuk e njihte aq Shallvarin, sa të kishte dijeni për vajzën e tij në Itali, ose e dinte këtë fakt, por gënjeu për të përfituar padrejtësisht pronat.

Edhe qëndrimi i administratës mbretërore ishte se pretendimi i Veveçkës nuk ishte i mbështetur në asnjë provë.

Për rrjedhojë, pavarësisht përpjekjeve të Veveçkës, trashëgimia e gruas së Shallvarit mbeti e pacenuar.

Edhe kur një tjetër pretendent me emrin Petro Allamilli hodhi dyshime mbi trashëgiminë, në tetor 1941, gjykata civile (paqtuese) e Durrësit lëshoi një akt-njoftimi, në të cilin pesë dëshmitarë deklaruan para gjyqtarit dhe sekretarit të gjykatës se Miltjadh Shallvari ia kishte lënë trashëgiminë vetëm gruas e vajzës dhe askujt tjetër.

 

Sekuestrimi i pronës

Pronat e Shallvarit mbetën në pronësi të gruas së tij dhe në përdorim me të drejta të plota për 99 vjet të shoqërisë Italiane E.I.A.A..

Kjo shoqëri kishte marrë me qira edhe toka të tjera në zonën e Sukthit dhe krijoi me to të parën fermë të madhe bujqësore në Shqipëri.

Në tetor të vitit 1943, me Ligjin Nr. 12 të Këshillit Ekzekutiv (parlamenti i kohës), shteti i sekuestroi të gjitha pronat e shoqërisë italiane E.I.A.A. Ato mbetën të sekuestruara deri pas vendosjes së regjimit komunist. Tetë muaj më pas, Këshilli i Lartë i Regjencës i shtetëzoi tokat e kompanisë E.I.A.A. me vendim të 1 majit 1944, botuar në fletoren zyrtare të 5 qershorit 1944.

Kjo do të thotë se këto prona nuk mund të ishin objekt i Ligjit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, i cili mbulon vetëm pronat e sekuestruara nga regjimi komunist pas nëntorit 1944.

Në shkurt të vitit 1946, regjimi komunist konfirmoi konfiskimin e të gjitha pronave të shoqërisë italiane E.I.A.A..

Këto dy vendime u duk se e mbyllën përgjithmonë historinë e tjetërsimit me mashtrim të pronës publike në Rrushkull.

 

Përpjekjet për marrjen e pronës nga pasardhësit e Veveçkave

Atë që nuk e arriti Jorgji Veveçka dhe motra e tij në vitet 1930-1940, e arritën pasardhësit e tyre rreth 70 vjet më vonë.

17 vjet pas rrëzimit të komunizmit, papritmas pasardhësit e Jorgji Veveçkës dhe dy motrave të tij—disa familje me banim në Vlorë, Durrës, Lushnjë dhe Tiranë—filluan përpjekjet për të marrë si kthim prone pasuritë e dikurshme të Miltjadh Shallvarit, duke ripërdorur pretendimin e dikurshëm se paradhësit e tyre, Jorgji Veveçka dhe motrat e tij, ishin nipi dhe mbesat e Miltjadh Shallvarit.

Në vitin 2007, ata paraqitën një kërkesë pranë komisionit të kthimit të pronave të Durrësit për marrjen e pasurive të Miltjadh Shallvarit, madje me një sipërfaqe të pretenduar tri herë më të madhe, gati tre mijë hektarë.

Prova e vetme e paraqitur prej tyre për të pretenduar pronat e dikurshme të Shallvarit ishte një document, që ata pretenduan se ishte vendim i gjykatës të Durrësit në vitin 1946.

Sipas këtij dokumenti, gjykata komuniste e vitit 1946 kishte vazhduar gjykimin e kërkesës së bërë 12 vjet më parë, në vitin 1934, nga Jorgji Veveçka. Gjykata komuniste kishte vendosur të anulonte testamentin e Miltjadh Shallvarit dhe të njihte Jorgji Veveçkën dhe tri motrat e tij si trashëgimtarë dhe pronarë të pronës së Shallvarit, pronë tashmë në pronësi të shtetit komunist.

Sipas dokumentit, gjyqi komunist e kishte shfuqizuar testamentin e vitit 1929 të Shallvarit, sepse provoi se Miltjadh Shallvari nuk kishte qenë në gjendje të mirë mendore në momentin e hartimit të testamentin 17 vjet më parë!

Vendimi i pretenduar ka përmbajtje problematike në çdo aspekt. Ai është vetëm tri faqe i gjatë, i gjithë argumentimi i fakteve e pretendimeve dhe arsyetimi i gjykatës zënë vetëm një faqe e gjysëm, ndërsa fleta e tretë është përshkrimi i pjesëve të pronës. Ai shpërfill faktin e pakontestueshëm ligjërisht që, sikurse u shpjegua më sipër, hartimi i testamentit dhe hapja e tij ishin bërë para një gjyqtari dhe noteri dhe në prani të dëshmitarëve, të cilët kishin autoritetin dhe kishin vërtetuar regullsinë dhe ligjshmërinë e testamentit, i cili ishte i ekzekutuar plotësisht.

Por absurdi më i madh i vendimit të pretenduar është se sipas ligjeve të kohës, si të mbretërisë edhe të regjimit komunist, edhe nëse testamenti do të shpallej i pavlefshëm, e drejta e trashëgimisë i kalonte automatikisht sërish gruas dhe vajzës së Shallvarit dhe jo fëmijëve të motrës së tij (edhe nëse motra ekzistonte vërtetë, çfarë nuk është provuar kurrë).

Për më tepër, ky dokument, i futur në arkivën e gjykatës së Durrësit, nuk ka firmën e gjyqtarit që pretendohet se e ka marrë. As në librin e indeksit të vendimeve të gjykatës të kësaj periudhe, me numrin dhe datën e dokumentit, kjo çështje nuk është e regjistruar.

Pretendimi i vendimit është i pashpjegueshëm edhe për një arsye tjetër: ai pretendon se gjykata komuniste kishte vendosur të njihte Veveçkat si pronarë të mëdhenj të tokave dhe t’ua kthente këto toka, të cilat regjimi i kishte shtetëzuar një vit më parë.

 

Agjencia e Kthimit të Pronave i refuzon, Gjykata e Lartë i shpall pronarë

Kërkesa e pasardhësve të Veveçkave u refuzua në vitin 2008 me vendim nga Zyra e Durrësit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, dhe më pas me vendim përfundimtar administrativ të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë.

Argumenti i Agjencisë ishte i qartë: pretenduesit kërkonin kthimin e një prone që nuk kishte qenë kurrë në pronësi dhe nuk ka figuruar kurrë në ndonjë kadastër në emër të paradhësve të tyre.

Pas refuzimit të komisioneve të pronave, pasardhësit e Veveçkave paditën shtetin në Gjykatën e Durrësit, e cila në mënyrë të papritur, në tetor 2009 i njohu ata trashëgimtarë dhe u ktheu pronën në natyrë.

Vendimi i gjyqtarëve Ervin Metalla, Dhurata Bilo dhe Markeljan Koça është një dokument që pasqyron degradimin total të sistemit të drejtësisë. Ata pranuan, pa asnjë hetim, vendimin e dyshimtë të vitit 1946, dhe me një absurd logjik e ligjor vendosën t’i shpallin Veveçkat ligjërisht pronarë të pronës që nga viti 1929. Pra, jo thjesht nga viti 1946, kur pretendonin vetë trashëgimtarët, por 17 vjet më herët.

Edhe pse në vendim gjyqtarët pranojnë se duke qenë se vendimi i 1946-s e ka shpallur testamentin të pavlefshëm, duhet të zbatohet trashëgimia ligjore mbi pronat, në vend që të shpallin trashëgimtarë të vetëm gruan dhe vajzën e Shallvarit, sikurse e përcaktonte ligji i vitit 1929, ata kanë shpallur trashëgimtarë nipërit dhe mbesat e tij—edhe këta pa provuar vërtet që janë nipërit dhe mbesat.

Me arsyetimin e tyre, gjyqtarët shpallën nul dhe të pavlefshëm çdo veprim në lidhje me pronën të marrë pas vitit 1929, përfshi edhe ato kontraktuale me shoqëritë italiane. Pra, tre gjyqtarë të gjykatës së Durrësit në vitin 2009 marrin vendim të mos njohin asnjë vendim, akt dhe ligj të asnjë gjykate, asnjë institucioni ligjvënës apo administrativ të Shqipërisë nga viti 1929 deri në vitin 2007.

Vendimi i gjykatës së Durrësit u apelua nga Avokatura e Shtetit, dhe në vitin 2010 u rrëzua me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Durrësit, e cila i la pronat në pronësi shtetërore.

Ndërkohë, Avokatura e Shtetit bëri dy padi penale për falsifikimin e dokumentit të vitit 1946, një në prokurorinë e Durrësit dhe një tjetër në drejtorinë e krimit ekonomik në Ministrinë e Brendshme.

Asnjë nga institucionet nuk hapi hetim, me pretendimin e paligjshëm se çështja ishte në shqyrtim gjyqësor dhe nuk mund të ndërhynin sa të mbaronte procesi gjyqësor

Ndërkohë, pretenduesit e pronës e ankimuan çështjen në Gjykatën e Lartë. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në vend që ta kthente çështjen për rigjykim, nëse kishte konstatuar shkelje proceduriale, vendosi në qershor 2011 të shfuqizojë vendimin e Apelit të Durrësit dhe të kthente në fuqi vendimin e gjykatës së Durrësit, duke i njohur pretenduesit pronarë dhe duke urdhëruar kthimin e pronës.

Vendimi u miratua nga gjyqtarët Besnik Imeraj, Gani Dizdari, Fatos Lulo, Andi Çeliku, ndërsa votoi kundër Medi Bici. Në mënyrë domethënëse, Medi Bici, që votoi kundër, është i vetmi gjyqtar i Gjykatës së Lartë që kaloi vetingun; katër të tjerët u larguan për mosjustifikim pasurie.

Të katër gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që njohën pasurinë, u shkarkuan nga vetingu për mosjustifikim të pasurive të tyre.

Pak javë pas vendimi të Gjykatës së Lartë, njëri nga përfituesit kryesorë të pronës, gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi u vra në një atentat mafioz, me gjasa në lidhje me këtë pronë. Vrasja ka mbetur ende pa u zbardhur, por hamendësimi kryesor është se vrasja e tij lidhet me ketë pronë.

Avokatura e Shtetit nuk u pajtua me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe nuk u tërhoq nga përpjekja për të mbrojtur pronën shtetërore. Ajo paraqiti menjëherë një tjetër rekurs në Gjykatën e Lartë, duke sjellë prova të reja për falsifikimin dhe kundërshtimin e dokumentit të vendimit të pretenduar të vitit 1946, por çështja pret të shqyrtohet kur të ribëhet funksionale kjo gjykatë.

Në një kthesë të papritur të zhvillimeve, dokumenti i pretenduar i vitit 1946 u zhduk nga arkiva e gjykatës së Durrësit. Për këtë arsye, prokuroria hapi hetime në vitin 2011. Si pjesë e hetimeve u bënë dhjetëra ekspertiza dhe akte të tjera hetimore, përfshi ekspertizën e një kopjeje të certifikuar të dokumentit të zhdukur të regjistrit të vendimeve të vitit 1946 dhe të një sërë dokumenteve të tjera të gjykatës së Durrësit.

Prokuroria arriti në përfundim se dokumenti i vendimit të pretenduar të vitit 1946 është fals.

Një nga mënyrat e përhapura të mashtrimit me pronat në Shqipëri ka qenë futja paraprakisht e dokumenteve të falsifikuara në arkivat e hipotekës, Arkivës së Shtetit apo gjykatave, dhe pastaj përdorimi i këtyre për të pretenduar të drejtat e pronës.

Duket se e njëjta gjë mund të ketë ndodhur në këtë rast: në arkivën e gjykatës së Durrësit është futur një vendim i falsifikuar, për ta përdorur pastaj për të kërkuar kthimin e pronës. Pasi e kanë shtënë në dorë pronën me anë të vendimit fals, përfituesit mund të kenë dashur ta zhduknin “mjetin e krimit” nga frika se mund të zbulohej.

Por gjyqtarja Nurjeta Tafa e gjykatës së Durrësit, me një vendim të dhjetorit 2018 hodhi poshtë ekspertizën dhe vendimin e prokurorisë për falsitetin. Ajo refuzoi të njihte si të falsifikuar dokumentin e vitit 1946, me pretendimin se ekspertiza e tij ishte bërë mbi një fotokopje të certifikuar të dokumentit origjinal. Argumentet e ekspertëve të Laboratorit të Policisë Shkencore dhe shumë fakte të tjera, që gjithashtu konfirmonin falsifikimin, u injoruan prej saj përfshi ekspertizën mbi regjistrat origjinalë të gjykatës të vitit 1946, të cilët rezultuan se ishin falsifikuar për të shtuar vendimin e fallsifikuar të kësaj çështjeje.

Vendimin e Tafës, prokuroria e ka apeluar në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ku çështja pritet të gjykohet në javët e ardhshme nga gjyqtari Arjan Balliu.

Pas këtij vendimi do të mësohet nëse drejtësia vazhdon të jetë palë me grabitësit apo, më në fund, në Shqipëri po vendoset drejtësia e vërtetë. Nëse Gjykata e Apelit të Durrësit do të pranojë ekspertizën dhe hetimin e prokurorisë, prona më në fund do t’i përkasë shtetit, të cilit i ka takuar gjithmonë.

Një epilog i dhunshëm

Ndërkohë, kjo histori me grabitje ka marrë një kthesë të papritur që rrezikon të çojë në luftë mes bandash. Përveç shtetit, i cili kërkon të rimarrë pronësinë mbi pronën që i është grabitur, një grup tjetër pasardhësish kërkon ta marrë një pjesë të kësaj toke, nga ata që e morën të parët.

Pasardhësit e një ish-pronari të madh tokash në atë zonë, Azmi Toptanit, pretendojnë se rreth 275 hektarë të kësaj prone u takojnë atyre. Pasardhësit e Toptanëve akuzojnë ata të Vevçkave se e kanë marrë me mashtrim dhe dokumente të falsifikuara këtë pronë. Të parët i kanë paditur pasardhësit e Veveçkave para një viti dhe në ditët e ardhshme pritet që Gjykata e Durrësit të fillojë shqyrtimin e përballjes civile mes këtyre dy fiseve.

Por duket se, jashtë sistemit të drejtësisë, mund të ketë  grupe kriminale të lidhura me palët që kanë filluar të përplasen me dhunë. Atentati ndaj prokurorit Arian Ndoja apo Aleksandër Lahos (ende nuk dihet cila ishte synimi i vrasësve) nga i cili humbi jetën shoferi i Ndojës, ka gjasa të jetë i lidhur me përplasjen për tokën në Rrushkull.

Shteti ndërkohë hesht dhe pret edhe pse ka gjithë mundësinë t’i japë fund kësaj serie pa fund grabitjesh dhe krimesh dhe hapur, sikurse ka heshtur edhe 100 vjet më parë.

Plot 100 vjet pasi Shallvari përvetësoi me mashtrim pronën publike në Shqipëri, grabitja vazhdon të mbetet mënyra kryesore e veprimit të shoqërisë shqiptare: askush nuk përpiqet të ndërtojë, të gjithë përpiqen të grabisin./ exit.al