Shqiperia

Rama dhe Lleshaj gënjejnë: asnjë rol për Alvinin, çdo gjë propagandë

Nga Alba Mborja

Burime të sigurta italiane kanë bërë të ditur për Exit.al se Alvin Berisha është nxjerrë më 4 nëntor nga kampi sirian në negociata private me drejtuesit e kampit nga një person i njohur shqiptar dhe një sirian, lidhje private e tij.

Pas daljes nga kampi, ata e kanë strehuar fëmijën në një shtëpi të sigurt dhe kanë lajmëruar e janë koordinuar me autoritetet italiane për të organizuar nxjerrjen e tij nga Siria, që ishte edhe pjesa më e vështirë e operacionit.

Qeveria italiane ka organizuar menjëherë logjistikën e udhëtimit nga Siria për në Liban. Një ekip policësh e karabinerësh italianë e kanë marrë Alvinin në strehimin e fshehtë në Siri dhe kanë udhëtuar me makinë pa asnjë incident drejt Libanit, ku e kanë strehuar në ambasadën italiane në Bejrut.

Qeveria shqiptare nuk pati asnjë rol në këtë aksion.

Vetëm mbasi ka mësuar se Alvini kishte dalë nga kampi dhe qeveria italiane po organizonte shoqërimin e tij drejt Libanit, Kryeminsitri Rama ka nisur drejt Bejrutit Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, për të krijuar idenë e përkujdesjes dhe mbështetjes së tyre për këte aksion.

Në fakt e vetmja gjë që qeveria shqiptare dhe Ministri Lleshaj bënë ishte vetëm një foto me Alvinin brenda makinës së Ambasadës Italiane.

Burimet tona, madje, konfirmuan se Ministri Lleshaj nuk ka udhëtuar në makinë me Alvinin dhe nuk ka qendruar fare me të. Në një parkim në Bejrutit, italianët i dhanë atij mundësinë të hynte vetëm një çast në makinën me të cilën ata po transportonin Alvinin, sa për të bërë foton e mësipërme propagandistike.

Përpjekja e zotit Leshaj për të dhënë idenë se ai ka qenë pjesë e përpjekjeve apo ka bashkëpunuar për shpëtimin e Alvinit është mashtrim i opinionit publik.

As qeveria shqiptare dhe as Ministri Lleshaj nuk kanë luajtur asnjë lloj roli në operacionin për Alvinin.

Përkundrazi, ata e braktisën atë fillimisht, por pasi të tjerë siguruan daljen e tij nga kampi, vrapuan për të shfrytëzuar mundësinë për propagandë./ exit

OPINIONE