Nga Salih Kabashi
KUR VDIQ ENVERI…
Shoku Enver pat vdekë ditën e enjte. Data 11 prill 1985. Ndërsa unë vdekjen atij ia pashë në mëngjesin e të premtes. 12 prill 1985.
Asokohe, pasi më kishin ndjekë nga mësimdhënia në Pejë, unë po e bëja vitin e tretë si punëtor krahu në Slloveni. Lubjana ishte bërë vendqëndrimi im i ri i domosdoshëm, sa edhe i padëshiruar.
Përtej Lubjanës e përtej Sllovenisë nuk mund të shkoja askund. Hyqymeti ma kishte konfiskuar pasaporten. Me letërnjoftimin tim mund të lëvizja vetëm brenda kufijve të shtetit jugosllav.
Qëndrimin e punën në Slloveni e pata nisë duke perzi mallter e duke ngarku e shkarku si dhe duke iu bë hyzmet mjeshtërve në ndërtimtari.
Nana, gruaja e fëmijët kishin mbetur në Kosovë. Ndarja qe e rëndë dhe, sidomos për ta, e dhimbshme. Kojshia e katundi më dënuan rëndë. U bëra i padëshiruar edhe në raste vdekjesh a gëzimesh. Më leqitën.
Njerëzit, fqinj të mi, shmangnin e kthenin rrugë që të mos më takonin.
Në mesin e punëve të shumta që kërkonin fuqi muskujsh, më në fund pata gjetë një angazhim deri atëherë të panjohur për mua.
Në ndërmarrjen e shtypit Ljudska pravica, afër Trzhnicës (Tregut), e buzë lumit të turbullt Lublanica, aty ku botoheshin libra dhe ku shtypej edhe gazeta e përditshme Dnevnik e Lubjanës, pata gjetë një punë, të cilës nuk ia kisha haberin dhe që as e kisha menduar ndonjëherë se do të më binte hise.
Bëra një kontratë gjashtëmujore si shpërndarës gazete. Do të filloja në rrugën Celovshka, aty ku funksiononte Birraria Union.
Detyra ime ishte që me një motoçikletë, nga pika e shpërndarjes, të merrja dengje të gazetës ditore dhe t’i shpërndaja shpi për shpi ndër abonues të shumtë që shtriheshin nga aty gati deri në Medvode.
Punë pak e komplikuar për profesorin e dikurshëm, por edhe interesante:
Shumë dobro jutro gospod ose dobro jutro gospa! Interesant më dukej se si në Slloveni, ku, edhepse brenda Jugosllavisë si shtet komunist, pothuajse nuk dëgjoje tovarish as tovarishica (sllovenisht shok e shoqe), por kryesisht zonjë e zotëri…
Gazetat i hidhja nëpër kuti postare të të abonuarve, ose, sipas porosisë edhe duke i ra ziles për t’ia lënë abonuesit a abonueses drejt në dorë. Me sabah drite kisha punë me plaka e pleq, aty këtu edhe ndonjë grua hala të fortë, apo edhe farë çikë të re…
Që të gjitha, siç mund t’i shihja nga dera një grimë e hapur – veshur holl e me patjetër një qeshje të ëmbël në buzë…
Mbas një muaj punë u bëra i njohuri i rrugëve dhe shtëpive. Ishin disa gra bujare që kur ua dorëzoja ekzemplarin e gazetës, në mëngjezet e ftohta, ndodhte që të më ftonin për një çaj apo kafe e pak muhabet që nëkuptohej. Iu vinte gjynah kur mi shihnin të ngrira mustaqet e mjekrën time, asokohe zi si korbi… Po zbuloja se kishte bujari në Slloveni. Më shumë ndër gra se ndër burra. Po qebesa.
Eeee, se e nisa me vdekjen e Enver Hoxhës.
Gazeta Dnevnik që unë po e shpërndaja që nga fillimi i vitit, me datën 12 prill 1985 në faqen e parë po hapej me lajmin kryesor e titullin e madh të shoqëruar edhe me fotografi të të njohurit, e për inat Titos edhe të dashurit tim.
Umrl Enver Hoxha.
(Ka vdekë Enver Hoxha!).
Nga ora 5 e mëngjesit deri në drekë, me mendje më shumë se mbi çdo gjë tjetër, pata shpërndarë mbi 900 ekzemplarët e gazetës, duke e kujtuar personazhin e ballinës së saj në fragmente të shumtë të jetës e të ditëve të rinisë sime. Të fjalimeve të tij e të këngëve për të që me gjysmë zëri i këndonim…
Enveri ishte përditëshmëria e Kosovës. Për të, e thashë, flisnim e këndonim nën zë, nganjëherë edhe zëshëm e ashiqare.
Komunistët jugosllavë të kombësisë shqiptare, nëpër mbledhje të Lidhjes së Komunistëve dhe të Lidhjes Socialiste, shanin edhe Enver Hoxhën edhe Shqipërinë e tij. Sepse Enveri përmes glorifikimit të, siç stërpersëritej, të nacionalizmit të tij antijugosllav, po helmonte rininë shqiptare të Kosovës dhe po e shmangte nga rruga e Titos, e vëllazërim-bashkimit…
Duke vënë etiketa: enveristë, nacionalistë, irredentistë, separatistë… hak e pa hak, nomenklatura terrorizonte përditëshmërinë kosovare e përgjithësisht jetën shqiptare në Jugosllavi.
Etiketa enverist menjëherë nënkuptonte njeriun që duhet përjashtuar.
Që duhej diferencuar.
Që duhej bërë me shenj.
Dhe që duhej ndëshkuar.
Duhej vënë në index.
Me largim nga puna apo me futje disavjeçare në burg.
Deri edhe likuidim fizik!
Pas vdekjes së Titos, por edhe më shumë se për të gjallë të tij, populli shqiptar në Kosovë, sa bashkohej, poaq edhe po përçahej.
Ata që shanin diktaturën në Shqipëri, për të cilën ne nuk mund të dinim aq shumë, por që duke pasur hallet tona e shtypjet mbi ne, as edhe donim të dinim aq shumë.
Ata kryetarë komunash, sidomos sekretarë komitetesh, sekretar çelulash partiake nëpër fshatra e bashkësi lokale, ata ishin bërë Bog i Batina (nga sllavishtja Perendi e Dajak) për ne të tjerët. Fati ynë varej nga Pamëshira e tyre.
Të mësipërmit nxinin jetën e Shqiptarit nën Jugosllavi.
Numri i spiujve nëpër fshatra, lagje qytetetsh, strukturash politike lokale nëpër qytete, nëpër shkolla të të gjitha niveleve -shkaktonte frikë e urrjetje tek populli. Nga shërbimi ushtarak, ktheheshin kufoma ushtarësh shqiptarë të vrarë…
*
Në mbrëmjen e 12 prillit 1985, më thirri për një kafe në banesën e tij, për çudi, një burrë i anëve tona dalur kaherë në Slloveni, i cili nuk ishte në zâ për të mirë… Të shkoj a të mos shkoj?! E dita se e kishte me sherr. Shkova. Muhabetin e patëm të fragmentizuar, e nisëm dhe e sosëm me Enver Hoxhën e me vdekjen e tij një ditë më parë. Ai herifi, sa fliste me mua sa merrte telefonin dhe fliste sllovenisht me dikë matanë… Dhe kthehej kah unë duke e lënë telefonin hapur… Matanë s’ishte zor të kuptoje kush përgjonte.
Lidhur me vdekjen e Enverit, pothuajse nuk thashë asgjë. Pos:
Tash, pasi vdiq Enveri, me siguri ai atje tej do ta takojë Titon. Do të detyrohet që të shkojë në Xhehnem, sepse Titoja pa njërën këmbë atje e ka vendpushimin e përbottshëm…
Mutari, kështu ia deformonim emrin, bashkë me ata në anën tjetër të telefonit e patën bë një qeshje të keqe e të paqejf…