Shqiperia

‘4 mln metra katrorë ndërtim në Tiranë’

Një pjesë e mirë e debatit në Çim Peka LIVE u përqendrua tek bumi i ndërtimeve në Tiranë. Bëhet fjalë për 4 milionë metra katrorë, ndërkohë që çmimet kanë kapur qiellin.

Kjo nuk reflekton as fuqinë blerëse dhe as faktin që bankat nuk po kreditojnë për ndërtimin.

“A ju bën përshtypje fakti që po ndërtohet kaq shumë, ndërkohë që kreditimi në banka ka rënë? Ku i gjejnë lekët sepse ekonomia ka rënë? A e keni pyetur veten ju si qeveri se ku i gjejnë paratë këta që po blejnë 4 milionë metra katrorë ndërtim?” pyeti analisti Pano Soko ministren Elisa Spiropali.

Sipas saj, nuk është krim të ndërtosh dhe të bësh kulla. Këto janë ndërtime për biznes, për zyra, për banim, tha ajo.

Spiropali tha se nuk ka pasur takim mes mafiozëve të Ndraghetës dhe zyrtarëve në Tiranë. Megjithatë ajo tha se edhe nëse ka pasur takime, jo gjithmonë zyrtarët nuk e dinë se kë takojnë.

“Ti nuk je roje porte që nuk e di se kë do takosh,” tha Soko.

Sërish debati vazhdoi me pastrimin e parave te bumi i ndërtimeve në Tiranë.

“Nga vijnë këto para? A nuk kemi një departament që merret me parandalimin e pastrimit të parave në Ministrinë e Financave? A nuk kemi një departament në Policinë e Shtetit për këtë punë? Këto institucione a i kanë shtruar këto pyetje? Çfarë kanë bërë institucionet për të ngritur këto shqetësime?” tha analisti Artan Hoxha.

“Unë di që drejtoria e Pastrimit të Parave, Policia e Shtetit, thonë se Shqipëria është vendi më i vështirë për të sjellë para. Ne i kemi shtrënguar ligjet dhe i kemi bërë shumë të forta,” tha Spiropali, duke shkaktuar të qeshura në studio.

“OFL ka sekuestruar 180 milionë euro,” tha Spiropali, duke shkaktuar sërish habi në studio.

OPINIONE