A do të formohet Kushtetuesja më 31 dhjetor? Kronologjia e vonesave nga zyrat e qeverisë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të dërgojë brenda dy javësh në Kuvend dhe në Presidencë tre emrat e të kualifikuarve për të vazhduarën garën për gjyqtarë të Kushtetueses.

Ky ekip është në ditët e fundit të mandatit, para hedhjes së shortit të ri në Presidenti. A do ta zhbllokojë kjo procedurë formimin e Gjykatës Kushtetuese deri në 31 dhjetor, ashtu siç ka kërkuar SHBA dhe BE?

Kujtojmë se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga kushtet për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Gjykata Kushtetuese ka sot katër anëtarë, nga nëntë që duhet të kishte. Që gjykata të marrë vendime, duke të ketë të paktën 5 anëtarë. Tani Presidenti dhe Kuvendi duhet të zgjedhin nga një kandidat prej tre propozimeve që kanë kaluar pragun e KLD-së.

Juridikisht dhe matematikisht është e mundur, por nëse do të mungojë vullneti politik, edhe për shumë kohë do të mbetemi pa Gjykatë Kushtetuese. Ajo që duket për publikun, ka qenë përplasja e KED-së me Presidentin, për procedurat e përzgjedhjes dhe afatet. Por, prapaskenat  e këtij procesi, kanë të bëjnë me një palë e tretë, që trazon KED-në dhe e vonon punën e saj.

KED ka thuajse një vit që ecën ngadalë. Edhe pse Presidenca shpalli vakancën pas dorëheqjes së Besnik Imeraj që në 7 shkurt 2018, ndërsa Kuvendi shpalli vakancën pas shkarkimit të Fatos Lulos që në 28 gusht 2018, dy vendet vakante ende nuk janë plotësuar me anëtarë të rinj. KED ka kualifikuar tre kandidatë për dy vende vakante, por dy kandidatë të skualifikuar kanë bërë padi në gjykatë, duke bllokuar procesin.

Të ndodhur nën presion politik dhe diplomatik, anëtarët e KED-së kanë drejtuar gishti tek përgjegjësit e vonesës së punës së tyre, që janë institucionet e kontrolluara nga mazhoranca dhe qeveria.

Në procesverbalin e mbledhjes së KED të datës 5 tetor 2020, dalin në dritë, se për veç pandemisë, ka faktorë subjektivë që kanë penguar. Më kryesorët janë DSIK, SHÇBA, të varura nga Kryeministri dhe ILDKPI e KQZ të varura nga Kuvendi. Mospajisja me certifikata sigurie të relatorëve, siç del nga diskutimet në analizën e KED-së, ka vonuar procesin e shqyrtimeve në këshill nga nëntor 2019 deri në shtator 2020.

Pjesë nga Procesverbali i mbledhje së KED-së më datë 5 tetor 2020

Vitore Tusha: …ka pasur disa faktorë që kanë ndikuar në marrjen e vendimeve në lidhje me kandidatët për këto vakanca në datën 17 korrik 2020 dhe17 gusht 2020, të cilat janë:

-procedurat ligjore dhe afatet që duhen ndjekur për të siguruar një hetim të thelluar të kandidatëve, jo vetëm përfshijnë në këtë proces shumë institucione, agjenci ligjzbatuese, subjekte publike dhe private, por kërkojnë një kohë relativisht të gjatë për administrimin, përpunimin dhe vlerësimin e të dhënave;

-përfundimi i mandatit të KED-së 2019, pa përfunduar verifikimi i kandidaturave për 3 vakancat dhe konstituimi i KED-së 2020;

-forma e organizimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (ad hoc) është një sfidë për të gjithë anëtarë e tij dhe kryesisht për anëtarët relatorë, të cilët pavarësisht detyrës që duhet të ushtrojnë në KED, ushtrojnë detyrën funksionale në institucionet përkatëse me ngarkesë të plotë, çka kërkon përgjegjësi të shtuar për përmbushjen e funksionit;

-numri i reduktuar i personelit administrativ të Gjykatës së Lartë (këshilltarë dhe sekretarë);

-situata e imponuar nga gjendja e krijuar nga përhapja e virusit Covid 2019, që solli pezullimin e veprimtarisë së institucioneve;

-situata ligjore në lidhje me mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, që ushtronte funksionin e Kryetarit të KED-së, i cili vetëm në datën 23 qershor 2020 njoftoi Këshillin për pamundësinë e vijimit të ushtrimit të kësaj detyre;

-procesi i hartimit dhe miratimit të ndryshimeve në aktet e KED-së, në frymën dhe sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të cilat duheshin respektuar në procedurat që ndiqen gjatë shqyrtimit të gjetjeve për kandidatët;

-vonesa në procedurën e pajisjes së anëtarëve të KED-së 2020, përfshirë edhe relatoren, me certifikata sigurie (për ata anëtarë që nuk kishin qenë pjesë e KED-së së mëparshme), ku përfshihet edhe dërgimi nga ana e KED-së të shkresave përkatëse drejtuar DSIK-së;

-mospajisja me certifikatë sigurie e relatores ka sjellë vonesa edhe në njohjen, shqyrtimin dhe verifikimin e një kategorie të informacionit (i klasifikuar) dhe komunikimin e mëtejshëm me disa nga institucionet e përfshira në proces për plotësimin e informacionit, siç janë shkresat e dërguara nga SHÇKB-ja apo DSIK-ja;

-me njoftimin e datës 13.07.2020, Gjykata e Lartë njoftoi reduktimin e veprimtarisë së saj për një kohë të pacaktuar, për shkak se një punonjës i kësaj gjykate rezultoi pozitiv me Covid 19. Sipas ligjit Këshilli ka selinë e tij në këtë gjykatë dhe administrata e Gjykatës së Lartë e ndihmon Këshillin në punën e tij. Kjo situatë e reduktimit të veprimtarisë zgjati për muajt korrik-gusht 2020, ku përfshihet edhe periudha e lejes vjetore;

-në mbledhjen e datës 17 korrik 2020, Avokati i Popullit propozoi që KED-ja të zgjeronte spektrin e hetimit për kandidatët në lidhje me kriterin e mospërfshirjes në veprimtari politike, duke i kërkuar informacion edhe KQZ-së, si subjekt që mund të ndihmonte për adresat e subjekteve politike që deri në atë kohë nuk ishin përfshirë në subjektet që u ishte kërkuar informacion.

Pas pajisjes në datën 10 shtator 2020 me certifikata sigurie të anëtarëve të KED-së, ka vijuar me përparësi puna për përmbylljen e relacioneve dhe caktimin menjëherë të mbledhjes së datës 16 shtator 2020. Problematikat si më sipër do të jenë pjesë e raportit vjetor të veprimtarisë së KED-së

Fiona Papajorgji: Për të ardhmen kjo do të kërkojë një studim më të thellë, që mund të shoqërohet edhe me ndryshime ligjore.

Arta Marku: Jam dakord me opinionin e znj. Papajorgji nuk mendoj se ka diçka që nuk është bërë nga ana e Këshillit.

Miranda Andoni: Duke marrë shkas që në relatimin që i është ngarkuar asaj shkak për vonesën ka qenë pajisja me certifikatën e sigurisë, ndoshta do të duhet një zgjidhje.

Marsida Xhaferllari: Vonesa ka pasur edhe nga faktorë të tjerë që nuk lidhen me zbatimin e ligjit, si për shembull lidhet me vonesën e tepruar të Kryetarit të KED-së për pajisjen e anëtarëve të KED-së me certifikata sigurie. Përsëris shqetësimin për përfshirjen e DSIK-së në proces, që jo vetëm intimidon kandidaturat, por edhe shpenzon kohë të panevojshme në drejtim të pajisjes së anëtarëve me certifikata sigurie, në paraqitjen e kërkesave për informacion, në mbledhjen e informacionit nga DSIK prej agjencive të tjera ligjzbatuese, në paraqitjen e informacionit pranë KED-së të klasifikuar “sekret shtetëror”, në kërkesën e Këshillit për deklasifikimin e informacionit, në mbledhjen e Komisionit të posaçëm të DSIK-së për deklasifikimin e informacionit deri në paraqitjen e informacionit të deklasifikuar pranë KED-së. E gjithë kjo kohë shpenzohet për të administruar në përfundim një informacion të deklasifikuar, që sipas ligjit duhet t’i vihet në dispozicion kandidatit dhe do të përdoret për verifikimin e kandidimit.

Bilbil Mete: Jam dakord me informacionin, i cili është i argumentuar. Duhet t’i jepet zgjidhje problemit që KED-ja duhet të dijë konkretisht cilët janë ata që pengojnë, cilat zyra institucionesh janë, cilët persona janë, nëse ka shkaqe objektive apo ka qëndrime subjektive që  mund ta mbajnë peng KED-në deri në pafundësi. Në rast se i drejtohet DSIK-së një shkresë dhe ajo thotë e kam përcjellë në një institucion tjetër, cili është ky institucion tjetër, sa kohë ka që nuk përgjigjet, pse nuk i përgjigjet?

Mimoza Arbi: …ka edhe faktorë subjektivë, vonesa ka pasur qoftë me kërkesën për pajisjen me DSIK, vonesa drejtuar institucioneve për marrjen e informacionit, moskomunikimi me drejtuesit e këtyre institucioneve për ardhjen e informacionit.

Vitore Tusha: KED-ja, të paktën në këtë periudhë, ka komunikuar me institucionet dhe nuk ka pasur asnjë komunikim tej mjeteve të parashikuara me ligj.

Bledar Dervishaj: Ne të Presidencës e kemi thënë gjithmonë, me emra dhe me kallëzime penale. Nuk kemi hezituar të themi se çfarë nuk ka ecur në këtë Këshill…

Erdhëm prapë në muajin Mars 2020, dhe erdhëm prapë tek pandemia. Nëse do të flasim për pandeminë Këshilli nëse do të thotë se është penguar nga kjo çështje, ne mendojmë se nuk mund ta thotë ashtu kollaj. Se më parë KED do të duhet të analizojë dhe krahasojë se cilat ishin efektet e aktit normativ të nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë për situatën pandemike përkundrejt veprimtarisë së KED-së?

Vitore Tusha: Nuk kam qëllim të mbroj asnjë institucion, kam komunikuar me drejtuesit e institucioneve dhe komunikimi ka qenë shumë i shpejtë, çka del dhe nga shkresat. Edhe përgjigja e Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë e vonuar, por nuk ka qenë ajo pengesa. Pajisja me certifikatë sigurie ka qenë çështja më e rëndësishme për të cilën ka ardhur vonesa, ndaj vetëm ne fillim te shtatorit relatorja ka mundur të shikoj dokumentacionin që ishte konfidencial dhe nuk mund të shihej më parë nga askush dhe se shkresa konfidenciale nga SHCKB-ja ishte për të gjithë anëtarët.

Marsida Xhaferllari: KED-së i është drejtuar gishti nga faktorët politikë, informacioni është një mjet i parë reagimi i Këshillit për analizën e situatës. Kërkoj që Këshilli të fokusohet tek interesi parësor, duke mos i kthyer procedurat

Vitore Tusha: Ky do jetë fokusi i mbledhjes…

Procesverbal, datë 9 nëntor 2020

Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Enio Haxhimihali: Unë doja të ndalesha te një moment i rëndësishëm, te puna që bën stafi teknik i KED-së, këshilltarët. Të gjitha këto pikëpyetje që ngremë, janë bërë apo s’janë bërë këto verifikime, apo edhe kjo mbledhje që bëhet sot në një farë mënyrë është një punë, mbase jo në nivelin e duhur të këshilltarëve…Jo më larg se mbledhja e kaluar, pika e parë e rendit të ditës ishte eficienca e këtij Këshilli. Pra, shqetësimi që ngremë, a është në nivelin e duhur të punës administrata e KED-së, sepse jemi në muajin tetor dhe kjo rregullore ne nuk na ka ardhur ende, nuk e dimë në çfarë faze është, mbase dhe pandemia, por në vlerësimin tonë nuk do ta pengonte, sepse është një punë që mund të bëhet edhe nga shtëpia…

Bledar Dervishaj: Duke marrë spunto nga disa çështje parimore që ngriti përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, verifikimi i të dhënave të kandidatëve për faktin e pagimit të taksave/tatimeve, duhet të jetë pjesë e raportit të ILDKPKI-së, i cili kujdeset shumë qartë dhe është kujdesur “shumë qartë” në disa raste të shqyrtimit në themel të disa detajeve. Në disa raste verifikimi ka shkuar deri në vitin 2003.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne