A po shkon Shqipëria drejt zgjedhjeve të parakohshme?! Përse opozita nuk duhet të tundohet nga kjo rrugë e “shpejtë”

Në Shqipëri, kanë nisur të shtohen sinjalet se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Së pari, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka braktisur zotimin e tij, se nuk pranon zgjedhje me Edi Ramën kryeministër dhe retorika e tij është spostuar e gjitha në funksion të zgjdhjeve të parakohshme. Basha thotë se Partia Demokratike është e gatshme për zgjedhje dhe mund t’i fitojë ato bindshëm që nesër, por nevojitet reforma zgjedhore.

Ai ka nisur një tur bashkëbisedimi me qytetarët në të gjithë Shqipërinë, i cili ngjason me një fushatë elektorale,  çka sugjeron se për Partinë Demokratike nuk ka më asnjë dilemë, vendi duhet të shokojë në zgjedhje dhe të gjitha kushtet radikale të vendosura gjatë protestave, kanë rënë.

Është e paqartë se nga buron kjo vetësiguri e opozitës, duke patur parasysh se asnjë nga shqetësimet e saj për vjedhjen e zgjedhjeve dhe përdorimin e krimit të organizuar, nuk janë adresuar. Askush nuk është dënuar për krimet zgjedhore të denoncuara nga përgjimet e Bild, media vijon të jetë e nënshtruar dhe oligakët më pranë se kurrë me qeverinë. E vetmja gjë që ka ndryshuar, është marrja nën kontroll total të pushtetit lokal, nga kryeministri Edi Rama, pas votimeve të 30 Qershorit, çka e shton disavantazhin e opozitës.
Reforma zgjedhore e negociuar për disa muaj, nuk mund të adresojë të gjitha këto shqetësime madhore të opozitës.

Për t’ju kundërpërgjigjur kësaj lëvizje nëpër Shqipëri të kreut demokrat, Partia Socialiste ka nisur të organizojë takime të ngjashme, por me argumentimin se ato kanë të bëjnë me zgjedhjen e delegatëve për Kongresin e PS-së.
Ditën e sotme, një mbledhje e madhe u zhvilluar në Elbasan. Nga përmasat dhe pjesëmarrja, ishte e dukshme se Partia Socialiste synon të tregojë “muskujt” dhe të sfidojë takimet e zotit Basha, në mbledhje dukshëm me karakter elektoral.

A tregojnë këto organizime partiake, se Shqipëria është drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Edhe pse Partia Socialiste e ka mohuar kategorikisht këtë gjë, nëpërmjet Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, apo edhe vetë Edi Ramës, faktet sugjerojnë se palët po përgatiten për një përballje.

Në dukje, më e interesuar në këtë rast për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duhet të jetë opzoita, e cila pasi braktisi parlamentin dhe dështoi me rrugën radikale, synon rikthimin në jetën institucionale të vendit. Por, kushtet e përshkruara më lart, qartazi nuk e favorizojnë atë, ndaj për Lulzim Bashën, zgjedhjet e parakohshme që po kërkon me ngulm, do të ishin ndoshta basti i tij i fundit, që ose mund ta ngrejnë shumë shpejt në postin më të lartë, ose mund ta largojnë përgjithmonë nga politika, sepse kontestimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë thjesht i pamundur, sado problematike të jenë ato.

Pra, pyetja thelbësore, nuk është a do të kemi zgjedhje të parakohshme, por kujt i interesojnë më shumë ato? Qartazi, jo opozitës, ndaj ajo nuk duhet të tundohet nga zgjidhjet e shpejta, që mund ta çojnë drejt katastrofës.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne