Dyshime të forta për konflikt interesi dhe mungesë transparence po rikthejnë në qendër të vëmendjes ish-Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, dhe mënyrën se si janë trajtuar ngjarjet e 21 Janarit. Dokumentet e dorëzuara pranë ILDKPI tregojnë se Rama ka deklaruar si pasuri një kat të tërë pallati në zonën e Digës së Liqenit Artificial, pjesërisht të regjistruar në emër të shokut të saj të fëmijërisë, Artur Luku.
Sipas të dhënave, Luku nuk ka jetuar kurrënë këtë pronë, por i gjithë kati është shfrytëzuar nga vetë Ina Rama. Kjo diferencë mes pronësisë ligjore dhe përdorimit real ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e regjistrimit të pasurisë dhe arsyen pse është përfshirë një person i tretë në dokumentacion.
Situata bëhet edhe më delikate kur zbulohet se Artur Luku është ortak në hotelin La Brisanë Dhërmi me Agron Malajn, ish-gardistin e përfshirë në ngjarjet e 21 Janarit. Pikërisht ndaj Malajt, Ina Rama – gjatë drejtimit të Prokurorisë së Përgjithshme – kishte vendosur pushimin e çështjes penale.
Këto lidhje mes pronës private, interesave ekonomike dhe vendimmarrjes penale krijojnë një rrjet të ndërlikuar marrëdhëniesh, të cilat, të paktën në nivel dyshimi publik, kërkojnë sqarim të plotë. A ka pasur konflikt interesi? A ka ndikuar lidhja personale dhe ekonomike në vendimet e prokurorisë? Pse një pronë përdoret nga një zyrtare e lartë, ndërsa regjistrohet në emër të një personi që s’ka lidhje me banimin aty?
Pavarësisht pyetjeve të shumta, SPAK nuk ka nisur ende një hetim mbi këto deklarime pasurie dhe lidhjet e përfshira. Në një klimë ku transparenca e institucioneve të drejtësisë duhet të jetë maksimale, heshtja e SPAK ngre akoma më shumë dyshime mbi prioritetet dhe efikasitetin e tij në hetimin e zyrtarëve të lartë.
Mungesa e një verifikimi të thelluar të këtyre pasurive, kombinimi i faktorëve personalë, ekonomikë dhe institucionalë, si dhe vendimmarrjet penale të diskutueshme, e bëjnë këtë rast një provë të rëndësishme për integritetin e drejtësisë shqiptare. Pa një hetim të pavarur dhe të plotë, dyshimet për konflikt interesi dhe ndikim të padrejtë në vendimmarrje do të vazhdojnë të rëndojnë mbi besimin e publikut./mexhlis


















