Për të 42-në herë me radhë, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në përpjekje për t’u konstituuar, por edhe kjo seancë pritet të përfundojë pa ndonjë zgjidhje konkrete.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përpjekjeve të presidentes Vjosa Osmani për të ndërmjetësuar përmes takimeve me liderët politikë, ngërçi institucional vazhdon. Arsyeja mbetet mosmarrëveshja për postin e kryetares së Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut, ndërsa partitë opozitare, përfshirë PDK-në dhe AAK-në, kërkojnë një emër tjetër që mund të jetë më përfaqësues dhe unifikues. LDK, nga ana tjetër, ka deklaruar qartë se nuk do të votojë asnjë emër të propozuar nga Vetëvendosje.
Një ditë më parë, presidentja Osmani deklaroi se votimi i fshehtë mund të jetë një mundësi për zhbllokimin e procesit, por theksoi se për këtë nevojitet konsensus i deputetëve dhe një vendim paraprak nga seanca.
“Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit kushtetues, atëherë unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për sqarim rreth pasojave juridike,” tha Osmani.
Ajo theksoi se moskonstituimi i Kuvendit nuk mund të kalojë pa pasoja ligjore dhe paralajmëroi se pritja e pafundme për zgjidhje nuk është e pranueshme në kuadër të rendit kushtetues.
Ngërçi politik në Kosovë po hyn në javën e gjashtë, ndërsa vendi vazhdon të funksionojë pa një Kuvend të konstituuar dhe pa një udhëheqje të re parlamentare.